“Lahuta e Malcis” zë vend në radhën e eposeve të mëdha botërore

Gjergj Fishta

Kryevepra epike e Gjergj Fishtës, që ka marrë përmasa botërore, njihet prej shumëkujt edhe përmendsh. Janë 15,613 vargje, ku homeri i letrave shqipe ka treguar vendin me zakone e troje të lashta. Ka rrëfyer botërisht, skenën e vogël ballkanike ku luheshin fate të mëdha, duke shkelur përmbi karakterin e shqiptarit, “të mujtun” prej varfërie dhe shtypjeje shekullore.

Përkthyesi i saj në anglisht, albanologu Robert Elsie, ka shkruar: “Lahuta e Malcís është një kryevepër, e cila zë vend në radhën e eposeve të mëdha botërore. S’ka lexues që të mos e pëlqejë. E kemi fjalën për lexues, që kanë durim të shfletojnë një libër me 15. 613 vargje… Natyrisht, po ta kesh parasysh historinë “politike” të Lahutës dhe të Fishtës, dmth heshtjen më se 50-vjeçare dhe zhdukjen e eposit kombëtar për një periudhë gjysëm shekullore, për rininë e sotme, nuk është e lehtë të lexohet, aq më pak, të interpretohet.

Por… “kush asht trim”, do ta lexojë me një frymë, do ta shijojë e do të mahnitet nga bukuria e Verbit të Poetit. Sot ky monument kulturor merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për Veriun, por për tërë Shqipërinë. Bëhet shumë më tepër se një vepër letrare. Në botimin anglisht të Fishtës, e quajta “vepra e parë letrare shqiptare që i përket botës”. Pjesa thelbësore e Lahutës u hartua në fillim të shekullit XX, kurse varianti përfundimtar – nëse ishte tamam përfundimtar – u botua në vitin 1937, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Po ta krahasojmë Lahutën me veprat e tjera epike, në veçanti me ato të Evropës, ta zëmë me veprat e Mickieviçit polak, të Dantes italian, të Donelaitisit lituanez, të Kamoeshit portugez… shohim se Lahuta e Malcís është shumë e vonë. Por, siç e dimë, Shqipëria e vogël është paksi vonë në çdo gjë, apo jo? Po kjo nuk do të thotë se është më keq. Lahuta nuk është, as nuk do të jetë kurrë jashtë kohe. Në anglisht thuhet “last, but not least (i fundit në radhë, por jo në rëndësi).

Fishta i papërkthyeshëm, si të gjithë poetët e kombit, frati i veshur me zhgun, të ngjeshur me konop në përmjet e me këmbë të zbathura verë e dimër… ishte humanisti, atdhetari, burri i madh, pa varr, por jo pa lavdi. Tanimë, Lahuta flet në katër gjuhë: italisht, gjermanisht, anglisht e frëngjisht./Konica.al