Lamtumirë: Dje humba një mik!

Nga Kreshnik Spahiu

Dje u nda nga ne, një shok dhe mik i shtrenjtë. Drithërimat më kapluan trupin dhe toka më rrëshqiti nën këmbë.
Ishim rritur bashkë,
Ishim shkolluar bashkë,
Kishim punuar disa herë bashkë,
Kishim ndarë bukën në ditë të vështira.
Kishim qarë dhe qeshur të dy, në çdo gëzim dhe hidhërim.
Ai nuk ishte më aty. U nda krejt papritur, atëherë kur askush nuk e imagjinonte.
Nuk u nda nga jeta jo, as nga bota.
Thjesht, ai u largua nga facebooku im.
Harroi miqësinë 30-vjeçare. Harroi që ishim si vëllezër.
U ligështova dhe s’dija ku gabova, por mora guximin dhe i shkrova.
I dashur mik, i dashur vëlla,
Ku të kam lënduar? Në punë, në familje, në shoqëri, në biznes, në fis, në fe, apo në planet e tua?
Ku të kam shkelur dhe s’kam kuptuar?
Mesazhi i tij tronditës erdhi me dy fjalë: –
“Kreshnik, ti më ke sharë kryetarin e partisë! Kam frikë se ai na sheh që unë të bëj LIKE.”

Së fundmi e kuptova që s’kisha humb vetëm dje një mik, por edhe pardje një mik tjetër, madje dy apo tre ditë më parë disa miq më shumë sepse kisha sharë edhe kryetarin e partisë tjetër!
Kishin vdekur mijëra miq apo mikesha sepse unë tashmë isha: “Armiku i partive”

Lamtumirë dhe udha e mbarë o mik, sepse ti kurrë nuk e kishe merituar miqësinë time!
Mos u kthe më kurrë, sepse ne tashmë jetojmë në dy botë të ndryshme.
Të vdekurit nuk ngjallen…
Nuk do e harroj kurrë nënën tënde kur na gatuante dhe mirëpriste në shtëpinë tuaj.
Ishte një grua e mrekullueshme, që të rriti me mundime. Ajo ishte krenar për ty.
A po më lexon or mik?
Po flas për nënën tënde, që të bëri kokën.
Jo për “nënën parti”.

Sinqerisht
Kreshniku

2019

ObserverKult


Kreshnik Spahia
Kreshnik Spahiu / Photography: Arsim Berisha ArtPix

Lexo edhe:

KRESHNIK SPAHIU: BESA E SHQIPTARIT? GRUAN, SHOKUN APO MIKUN E TRADHTOJNË PA PROBLEM

Nga Kreshnik Spahiu

(Nga besa e shqiptarit ka mbetur pjesa më e neveritshme: Besa për partinë)

A janë shqiptarët njerëz të “besës” më shumë se kombet e tjera?
A janë shqiptarët njerëz të besës më shumë se gjermanët, suedezët, anglezët, francezët, kroatët, kinezët, japonezët apo indianët?


Përpara se të jepni një përgjigje duhet të keni eksperienca jetësore apo profesionale me njerëz të kombësive të ndryshme që ti krahasoni.


Nga filmat apo media nuk mund të zbuloni nivelin e besës të një kombi.


Referuar qindra e qindra çështjesh juridike që kam asistuar në 30 vite eksperiencë brenda dhe jashtë Shqipërisë, mund t’ju them se shumë të huaj nuk janë më pak korrekt se shqiptarët në fjalën e dhënë në:

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult