Lamtumirë Lefter Çipa, bilbili i vendeve të mia!

Nga Alban Tartari

Sot është një ditë e trishtë. Sot vendosi të shtegëtojë për në një vend më të bukur, për në një vend më të ngrohtë, për në parajsën e poetëve e këngëtarëve, bilbili Lefter Çipa.

Princi i Polifonisë, nuk është më mes nesh fizikisht, por shpirti i tij, kënga dhe fjala mbeten më të gjalla se kurrë.

Jam rritur me këngën e Lefterit. Vargu i tij më ka mësuar poezinë ende pa e ditur se ç’është poezia. Kënga e tij më ka rrënjosur edhe më thellë dashurinë për këngën aq të veçantë e të lashtë labe.

Mençuria dhe atdhedashuria e tij, më ka mësuar që kudo që të shkosh, e ngado që të endesh, sërish do kthehesh në vendin ku je nisur!

Që në vogëli e mendoja dashurinë përmes vargjeve të tij:
“O në të marrça moj manushaqe/ S’dua doktor e ilaçe!”
“O mos u ngut o zog i shkathët / Bregu është vend i ashpër!”

Asgjë nuk është e lehtë në këtë botë. Aq më tepër dashuria! Aq më shumë dashuria labe.

Në rininë time dëgjoja “Naim Shqipërinë” e Lefterit, dhe kuptoja që kënga, është forma më e lartë e dashurisë për një njeri, më e larta e nderimit të një njeriu, i përjetësisë së tij.
Kështu qante e njëherazi  këndonte për Naimin Lefteri, ky Naim modern i Shqipërisë.\

LEXO EDHE: Vdiq në moshën 79-vjeçare, poeti Lefter Çipa

E tani, kuptoj e ndjej ndikimin e punës së tij për kulturën time, për vendin tim. I pari i një rryme poetësh, rapsodësh, këngëtarësh të Labërisë e jugut të Shqipërisë, ai priu përpara për ta kthyer në institucion këngën dhe vallen labe.

Ai diti ta nxjerrë këtë këngë e këtë iso, nga gërxhet e Labërisë, nga sofrat e vatrat, nga valet e stanet, nga gazet e mortet, nga luftërat e paqet, drejt skenave e festivaleve, drejt filmave e dokumentarëve, kënd më kënd e shpirt më shpirt të Shqiptarisë e në botë. Duke u bërë shembull për të tjerët, i dha një identitet, i dha një pasaportë.

Nuk mendoj se mund të analizoj nga ana artistike punën e Lefter Çipës. Jo e jo të flas për vargun e tij. Por mund të them se kam mësuar nga ai që i vogël, kur bëja pjesë në grupin e fëmijëve të Vranishtit.

“Bano, rri drejt në valle e në halle siç të ka hije! Labi nuk e ul kurrë kokën, as përballë këngës e as përballë gjëmës”, më thonte.

Ai e dashuronte këngën labe, vallen labe. Ai jetonte me të. Dhe ishte gati të vdiste në të! Ky vëllamë i Azem Shkrelit, e kish kuptuar se s’mund të bëhesh poet, nëse s’mund të lindësh në secilin varg në secilën fjalë, e të vdesësh, në secilin varg, në secilën fjalë.

Labëria e Shqiptaria krenohet me Lefter Çipën. Ne krenohemi me Mjeshtrin e Madh, Nderin e Kombit. Ndaj sot, mblidhemi nën këngën e tij, nën fjalën e tij; ndaheni nga trupi por mbajmë fort shpirtin e tij.

Trupi i Lefterit, do të mbajë përsipër Dheun e Tij; ky Dhe e këta njerëz do të mbajnë përsipër këngën e tij.

Unë të përcjell po me këngë, me vargjet e tua Lefter Çipa, ashtu siç do të doje ti, sepse kënga e tret lotin:

“Vdeksha,
Edhe prapë u ngrehsha,
Shokët në këngë i gjetsha!”

(gazetadita.al)