Lamtumirë, ne nuk do të shihemi më…

Ivan S. Turgeniev, mjeshtri i penës ruse të shekullit XIX, lindi në 9 nëntor 1818 në një familje aristokrate dhe vdiq në Bugival të Francës në 1883.

Turgenievi është bashkëkohësi i korifejve rusë e francezë të shekullit XIX si Pushkini, Gogoli, Dostojevski, Tolstoi, Balzaku, Mopasani, Floberi, Sendi, Merime etj.

Shkrimtari i madh është njëherazi poet, romancier, dramaturg dhe tregimtar.

I lindur në Orel, një fshat i vogël 350 kilometra në jug të Moskës, Ivan Turgenievi ia kushtoi gjithë rrugëtimin e jetës letërsisë. Së pari si botues (në veçanti korrespondencën e Pushkinit), më pas si përkthyes (autorët francezë që lexonte), para publikimit të punës së tij.

Në vazhdim po t’ju sjellim një fragment të shkëputur nga “Ngadhënjim i dashurisë“:

Në një copë të vogël letre ishin shkruar me laps nxitimthi, këto fjalë:
Lamtumirë, ne nuk do të shihemi më. Nuk largohem nga krenaria, jo, nuk kam si të bëj ndryshe. Dje, kur unë qaja para jush, po të më thoshit një fjalë, një fjalë të vetme, do të rrija.
Ju nuk e bëtë këtë. Si duket është më mirë kështu…Lamtumirë përgjithmonë!

Një fjalë…O, unë i çmenduri! Këtë fjalë…me lot në sy e përsërita dje, e hodha kot në erë, e përsërita midis fushave të shkreta. Por nuk ia thashë këtë fjalë asaj, nuk ia thashë se unë e dashuroja…
Unë madje as që mundesha ta shqiptoja atë fjalë. Kur u takova me të, në atë dhomë fatale, ende nuk isha i qartë për ndjenjat e mia të dashurisë, madje ajo nuk u zgjua as atëherë, kur isha ulur me vëllanë e saj në një heshtje të pakuptimtë dhe të mundimshme…
Ajo shpërtheu me një forcë të papërmbajtur vetëm disa çaste më vonë, kur i trembur se mos ndodhte ndonjë e keqe, une nisa ta kërkoj dhe ta thërras, por ishte tepër vonë!

Përktheu: Myzejen Shpallo

*Shkëputur nga novela e Ivan Turgenievit “Ngadhënjim i dashurisë”

E përgatiti: A. S.- ObserverKult

—————————

Lexo edhe:

IVAN TURGENIEV: JETA DO TË IKË… PO NE, ÇFARË KEMI BËRË?