Lamtumirë, o e bukra vashë …

(Kujtimet e një karrike )

Nga Arlind Farizi

E ndezi veturën dhe u nis, drejt saj. Do e merrte sërish dhe përsëritja do përsëritej përsëri. Por, në një moment u ndal dhe fiku veturën.

U kujtua. Duhej ta harroja me çdo kusht, ta nxirrja nga vetja ime atë. Duhet ta largoja mjeshtërisht pa thyerje të mëdha. Xhamat e besimit ti ruajmë se mund të na duhen. Duhet ta largoja me një të kthyer shpine, e shpina është vetëm një drejtim drejt një qorrsokaku të lidhjes sonë. Duhet ta largojë më fjalën më të padëshiruar për shqiptim, ik, ose ta zbusja pak, ti thosha të lutem ik, ta lusja për ikje, unë ikësi mi madh i qytetit me ajër të ndotur. Duhej ta largoja duke i thënë mu aty të veshi i shpuam katër herë, se ke jetën përpara, se mund të shpohesh dhe për së pesti herë.

Vendosa, do e takoj të vendi njëjtë ku u takuam, aty do puthet fillimi me fundin e një stuhie dashurie e cila edhe pse qe maskuar para syve të botës, si një miqësi e madhe, u zbulua. U zbulua nga një gabim teknologjik telefoni. Ra fotografia dhe na panë. Pse ia besova telefonit sekretin kur kisha mundësi të bëjë tregime, ja si ky. Duhet ta harroja, atë, numrin e saj, telefonin që rri kokë shpinës si një kufomë që sapo ka dhënë shpirt. Duhet ta harroja atë, të bindja veten se gjithçka qe lojë, kohë pështyme, prekje, dhe shkrirje në një në sediljen e pasme të veturës. Duhet, e kam me patjetër, të heq qafë, këtë kancer lidhur keq shpirtit. Duhet një prerje nga ato që dhembin shumë, por shërojnë. Duhet të largojë, dhe pse e pranojë përthellë se jam persekutuari saj erotik, se me pëlqen të jetoj me prangat që vetëm ajo di ti vë.

Nuk u largua as me Jo-në e saj të madhe të shkuar në sms. Nuk u largua dhe pas një pauze disa muajsh. Nuk u largua dhe kur rastisi në feisbuk të saj një foto me dikë dhe motrat që i rrini afër në shenjë feste. Mund të kishte qenë ndonjë ditëlindje… Nuk u largua dhe kur rrugën drejt saj ia minuan më fjalët më të zeza, madje e quajtën gjysmë prostitute. Nuk i bëri mirë asnjë terapi largimi.

Qe këshilluar për mosdorëzim. Andaj, mori telefonin, që për një çast iu duk sikur rëndoi si me më shumë peshë, e afroi të veshi, po ai që kishte dëgjuar gjithë leksikun e një dashurie të stuhishme, priste me nge, zërin e saj, fjalët e saj në ngutje, deri sa të gjente qoshin e rehatisë për të folur, priste deri sa lidhja u ndërpre. Provoi sërish, dhe në thirrje e sipër, i erdhi një sms. Me mosbesim e shikoi, dhe e rilexoi: “Jam e tjetërkujt”. Pas kësaj, asgjë tjetër më si kujtohej. Vetëm shija e hidhërimit, e pazbutshme, e patretshme, dhe kënga e Muharem Qenës: ” Lamtumirë ti o e bukra vashë unë do t’vete tash o hije n’vend të largët. Më vjen keq vasho që nuk u pamë dhe pa m`dhan besë vashë na duhet me u nda, por besoj se netët nuk na janë harru t’përqafum që i kemi kalu…”

ObserverKult