Lasgush Poradeci: Kur të më jesh e zemëruar

lasgush poradeci liqeri

Ti m’u rrëfeve për sëpari shkrepëtimtare në stoli,
Un’ ëndërrova se në zemër po më valon një mall i ri.
O, ç’ka që m’u venit qipalla me kaq të ngjethur të pafaj?
Haj! shkretëtirë-e-zemrës s’ime! Dhe haj! e zeza jetë, haj!

Posi një yll i perënduar më pate humbur gjith më larg…
Nga malli yt i thura fjalët gjith sërë-sërë-e-varg-e-varg;
E çdo mendim e pata tretur vetëm n’ërgjënd e në flori,
O, vashë-e lotit të zhuritur që vetëtin nër syt’ e mi.

Prej largësisë së pa anë kalon durimi mot-me-mot…
Pas kaqe kohë dhemshurije, ndaj vëndi-i lum as eja sot!
Në gjirin t’ënd të llaftaruar m’a lerë mëndjen t’a humbas,
Të ndjej si zemra më gatohet plot me dëshir’ e plot me gas.

Ti buzëqesh-më-zilitare,e më çkëlqe si vetëtim,
E më vështro me sy pëllumbi drejt mun në fund të shpirtit t’im;
Se gazi-i-kthjellt’ i lumtërisë, që çel si lulja në mëngjes,
Si lule-e pastër do më mbijë në krahruar mun në mes:

Kur të më jesh e zemëruar, me shpirt të vrarë-e varfnjak,
N’e mbajç në zemër zembëratën, prej helmit t’ënd s’do heq aspak;
S’do psherëti n’e lënc të vdesë, a në m’a thënç, në mos m’a thënç:
Mjafton një mvrejtje-e buzës s’ate, që të më bësh të prishem menç.

—————————————-

LEXO EDHE: DITA KUR IKU LASGUSH PORADECI…

Më 12 nëntor të vitit 1987 është vdekja e Lasgush Poradecit, është ndalimi i kohës së një zemre dhe pene që gjeti prehje në shpirtin e poezisë që ai mëkoi dëshirueshëm.

Vdekja e Poradecit, është vdekja e poetit, fikja e një ylli, është ngjarje e galaktikës së shpirtit të botës.

Vdekja e poetit, nuk përngjason me asnjë tjetër vdekje. Ajo është vetanake sepse gjithçka përkundrull këtij ndalimi ka reshtur së frymuari. Ka ngrirë rrëkaja e strehëve, ka ndalur zogu këndimin, gjethet dhe degët, trishtueshëm kalërojnë kortezhit të stinës dhe thyerjes së një drite…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU