Lazgush Poradeci apo Llazar Sotir Gusho lindi më 27 dhjetor 1899, në kohën ku u thurrën zjarret e mëdhaja të kombeve. U ngjiz në dallgët e liqenit të Pogradecit, në liqenin e Ohrit, aty ku oshëtima e ujit sjell qetësi. Sot është 31 vjetori i vdekjes së tij.
U rrit me urraganet letrare të Fan Nolit, Mishtrush Kutelit, Konicës, Migjenit, Ernest Koliqit, Gjergj Fishtës, Tefta Tashko Koços, Vangjush Mios, vëllezërit Frashëri e një vargan të pafundëm figurash të ndritura që e shpërthyen në vargje e rima atë plot zjarr e dëshirë për letërsinë dhe ndërgjegjen për kombin. Shtysë ishte dhe babai i tij arsimdashës.
I ati ndikoi në arsimimin e Lasgushit. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, në një shkollë të gjuhës rumune në Manastir nga 1909 deri më 1916.
Më pas deri në 1920 shkollimin e kryen në Athinë pranë liceut ‘’Leonin’’. Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht. Në këtë kohë ai i bashkohet lëvizjes së shqiptarëve në Bukuresht si Asdrenin apo Mitrush Kutelin.
Në 1924 shkon me bursë në Universitetin e Gracit “Karol Francik” në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike.
Në maj të 1933 doktoroi me temën ‘’Der verkannte Eminescu’’ und seine volkstümlich-heimatliche Ideologie’’, ‘’I paçmuari Eminescu dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare’’.
Po si u zhvillua Lasgushi në personalitetin e tij?
Poeti i dashurisë lindi dhe u vargëzua në qytetin e Pogradecit. Në tre elementë që përbëjnë kollonat e jetës, ajri, ujin, zjarrin. Ashtu si Zarathustra u ngjiz në kulturën e lindjes me zjarr, dhe si grekët e lashtë donin Homerin për vargjet, ai ashtu u thurr ndërmjet dashurisë së ujit, mendimeve të zjarrta dhe mëngjeseve plot aromë flladi liqenor.
Liqeni i Pogradecit me qetësinë e tij të fton për një Lasgush që të ofrojë pak mjaltësi me vargjet e veta. Ai nuk iu nda liqenit në mendime dhe në rrethana kur donte të futesh në vetevete dhe të meditonte për të bukurën.
Liqeni i Pogradecit të ofron si me magji gjithçka që nuk plotëson kultura e qytetit të Pogradecit me njerëzit e saj me edukatë dhe të urtë. Liqeni të ofron, si përfitime, ashtu dhe qetësi, bukuri dhe shumë vargje që notojnë nën vjershat e të madhit Lasgush Poradeci me qetësinë e tij.
Uji të plazmon romantik në personalitet, do vëmendje dhe inteligjencë ta dëgjosh oshëtimin e tij ndër dallgë, zjarri të bën energjik dhe pasionant, ajri të bën dinamik nën ritmin e veçantë të rimës së Lasgushit për njerun, natyrën, kombin.
Ai është romantiku i fundit i Shqipërisë, dhe më i vuajturi që mbajti mbi supe gjithë kumtet e gjithë rilindasve, kohën e ligë që donte ta poshtëronte, sistemin politik që e kishte nga pas supeve, intrigat që i stiseshin nëpër këmbë kudo dhe qenin e tij të dashur që e donte, aq shumë, sa fëmijët e vet.
Kjo ndikoi edhe në psikologjinë e fëmjëve të tij dhe ai e dinte fare mirë këtë.
Njeri praktik sa dhe mendimtar, çapkën, i gjendur e i shkathët, i vogël sa nuk binte në sy dhe madhështor sa nuk mund të matet në lirikë, sa nuk mjaftojnë fjalët ta përshkruash, i ëmbli i dashurisë, i ka mjaltëzuar aq ëmbël vjershat si një sufist modern, sa mund të gjendesh si padashur me diabet nga ëmbëlsia e fjalës së tij.
Rilindjen kombëtare ai e kalon në periudhën e shpërthimit të tij poetik si dhe kryengritjve që gjëmuan te ai çështjet kombëtare, lirinë dhe pavarësinë e vendit. Më pas përjetoi ndrydhjet e sistemit komunist dhe vdiq me peng për brengat e tij dhe në varfëri të plotë, i harruar nga shteti.
Udhëheqësi i dikurshëm i sistemit për të ishte ‘’qoftëlargu’’, katili, nuk ia përmendte dot emrin, vetëm i thoshte ‘’Ay’’ sipas vajzës së saj. Në tradhëti të plotë dhe në intrigën e sigurimit të shtetit ai lozte me ta, tallej i lënguar kodrinave të liqenit për pak qetësi dhe brumë letërsie. E megjithatë ai ngeli me vargje në ‘Gojëëmbli i poezisë shqiptare’.
Siç thoshte ai ‘’Përpara të gjithave është Poezia. Ajo formon shpirtin e Kombit’’ Për kombin duhej bërë gjithçka dhe për të e para ishte poezia. Simboli i fjalës, kodi që përçonte vargu dhe vlera që kishte poezia nuk e zëvendësonte asnjëhërë romani.
Për të pra, e para ishte poezia, pastaj Zoti tha le të bëhet…le të vërshojnë varganë-varganë fjalët që të bëhen kombet. Edhe Gilgameshi thurret në vargje si Homeri, gjithë raposdët e vjetër që i kanë mbijetuar kohërave janë shkruar në poezi pasi ajo ka forcën për t’i dhënë mesazhin njerëzimit.
‘’Prandaj duhet të shkruajmë poezi jo të mirë, po shumë të mirë, jo të lartë, po shumë të lartë, shumë të thellë, shumë të gjerë, që t’i vemë shpirtit të Kombit themele të shëndoshë.’’ thoshte ai
Aty në poezi mbrujtet e brendshmja e njeriut, shpirti i tij i zjarrtë që vallzon me ujin në erërat e pamata të dashurisë së tij, të emocioneve, të dhimbjes, dramave, tragjedive që plotësojnë pasqyrueshëm vargjet e tij, e vërteta poetike është mbi gjithçka se vlon nga zemra, është legjendare, Odise që kërkon rrugëtimin e tij. Të gjitha dramat të stisura apo të vërteta lindin aty te poezia.
Dhe Lasgushi mbi gjithçka ishte poet e bënte poezi siç dinte vetëm ai.
Për të kombi qe gjithçka për të qenë vetvetja me një personalitet. Në këtë komb ka ‘’zakon, traditë, tradicion domethënë Komb, domethënë Nacion, domethënë njeri i vetëdijshëm, njeri që e di veten e vet, që e njeh vetëveten.’’
Aty në këtë traditë ngjizet fjala e shkruar që shumëfishon, qindfishon, milionfishon, ajo është pushteti i vërtetë sipas tij, shenjtësia vetë si mendon ai.
Shpirti jeton në zemër përjetësisht nga fjalët e tij Lasgush Poradeci. Flaka e ndrin këtë shpirt, dhe i jep jetë.
Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe Shqipëri’ e re, një e përjavshme kombëtare me ilustrime që botohej në Konstancë, dhe tek Dielli i Bostonit. Gjithashtu poezi te revista letraro-filozofike ‘’Përpjekja shqiptare’’ e Branko Merxhanit.
Më 1937 Poradeci bën dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” më 1933 dhe “Ylli i zemrës” më 1937.
Ai është autor i më shumë se 100 poezish dhe i përkthimit në shqip të disa kryeveprave botërore. Gjatë periudhës së regjimit komunist ai do të nënvlerësohej e do të përballej me një serë vështirësish për jetesën si përkthyes i lënë pas dore si poet.
Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun.
Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj.
Vitet 1944-’47, vitet e turbulluara të fillimit të regjimit komunist ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me të shoqen.
Pas punësimit jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” deri kur doli në pension më 1974.
Një njeri madhështor punëtor me normë, absurditeti i madh i kohës! Kështu e vlerësonte dhe shkrimtari i madh Ismail Kadare.
Në 1999 Me rastin e 100-vjetorit të lindjes në 27 dhjetor 1999, presidenti i Republikës Rexhep Mejdani i jep titullin “Nderi i Kombit” dhe Pogradeci, qyteti i tij i lindjes titullin “Qytetar nderi”.
Me bustin afër liqenit ai e sheh tashmë pareshtur atë, e dëgjon, e ndjen aromën e liqenit të tij të dashur që i jepte ujin, zjarrin dhe ajrin, tre elementë kryesorë ku u blatua zemra e tij dhe atë çka do njeriu për të qenë.
Vdes në varfëri të plotë në kryeqytet më 12 nëntor 1987, kryelartë dhe vjershëtor, ashtu si u ngjiz, u rrit dhe u shua, midis ujit, zjarrit dhe ajrit e dashurisë së madhe për jetën dhe familjen e tij.
Lavdi njerëzve që i thurrin himne dashurisë!
Më zu një mall
Më zu një mall dhe sot,
E s’mund t’a shuaj.
Ri vasha largë-o Zot,
Që kaq po vuaj.
Kalojnë kot më kot
Muaj me muaj.
S’vjen vasha sot as mot,
Pa heq e vuaj.
Nuk vjen, e më s’di dot
Ç’t’i them t’i shkruaj!
Ah! mëndja po më lot
Që s’plas e vuaj!
Në vëndin t’im o Zot,
Jam vetë i huaj.
M’a sill ti vashën sot,
Që kaq po vuaj.
Dremit Liqeri
Mi zall të pyllit vjeshtarak
Dremit liqeri pa kufi,
Ay ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.
posi me flakë u ndes e kroj,
E vetëtiti plot magji,
E ylli i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri
Tashi po shuhet nënë mal
Qytet’i ngrysur në zi.
Po ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri! plot fshehtësi!
Në këtë çast perëndimor,
Ndaj po më dehen sytë e mi,
Kuptoj si shpirtin vjershëtor
M’a frymëzon nja mall i ri.
nga Eugent Kllapi