Kokonozi: Si e shpjegonin marrëdhënien intime mësuesit tanë të marksizmit

dashnor kokonozi:

Seksi utilitar.
Asnjëherë nuk e kam kuptuar nëse ishte një ide e K. Marksit, gjë që do të më habiste shumë po të kihet parasysh edhe ndonjë kalama ilegal që kishte ai, apo e mësuesit tonë të marksizmit e paketuar kuptueshëm për ne nxënësit e tij të paformuar.

Nga Dashnor Kokonozi


Ideja e tij se asgjë, nga vdekje e deri te marrëdhëniet intime në çift në nuk mund të shihen të shkëputura nga politika, ishte magjepse për ne. Në kapitalizëm intimiteti seksual nxitej edhe pa asnjë qëllim utilitar, thjesht për të kultivuar idenë se kënaqësia është qëllimi kryesor i ekzistencës.
Një mënyrë kjo për t’i larguar të rinjtë nga rruga e revolucionit. Edhe shtëpitë publike këtë synojnë, përsëriste ai.
Me aq sa na funksiononte fantazia, gati me zili, i përfytyronim ata duke pritur në radhë te dera e ndonjë shtëpie publike, sa kohë që imperativi i kohës ua kërkonte të ishin në krye të barrikadave të luftës klasore.
Diskoteka, klube, mbrëmje të shfrenuara etj., le të merreshin me ç’të donin, por jo me ide revolucionare. Ky ishte kultivimi i kultit të kënaqësisë edhe kur nuk kishte asgjë utilitare në të.
E kuptoni ?
Jo profesor, bërtiti klasa në kor!
Vështroni çfarë skandalesh paraqesin në filma. Arrijnë deri aty sa të shkojnë në shtrat me gratë e tyre edhe pa asnjë qëllim të dobishëm, edhe kur nuk kanë ndërmend të bëjnë kalamaj.
E kuptuat?
Diçka më mirë, ishte përgjigja jonë.

ObserverKult