Me zjarr ju flas… me zjarr, poezi nga Lasgush Poradeci

lasgush

Me zjarr ju flas… me zjarr
Në gjirin tim kam hapur varr…
Që t’i jap shpresë- edhe t’ja marr…

Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë- urtuar zogjtë-e mi,
Dh’u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari:

Pa nis ah! Gjirin ta godas…
Dh’e hap ah! gjirin për një ças…
Dh’i nginj ah! zogjtë- e vdes me gas!…

Ahere – helmohet e buçet
Pas mallit tim liqer-i shkret,
E rrit tallazin posi det.

Ay e tund, ay e shkund,
Ay e hap sa me të mund,
Gjer mun në gjit, gjer mu në fund.

E shpirtin dyke ma përcjellë
Më thotë ah! shih sesa ‘sht’i fellë…
Ky gjir’i em që të pat pjellë…

Me zjarr ju flas…
Me zjarr…

*Titulli i origjinalit: Vdekja e nositit

ObserverKult

Lexo më shumë nga poeti Lasgush Poradeci:

lasgush poradeci

Lasgush Poradeci: Përse të dua
Lasgush Poradeci: Erë trëndeline

Lexo edhe:

Kujtimet e panjohura të ish-ministres së Arsimit e Kulturës;
“Kur Lasgushi hapi derën e më pa me kryetarin e Komitetit dhe sekretarin e parë tha…”

Plot 42 vite më parë, kryeministri, Mehmet Shehu më ngarkoi si detyrë, që të shkoja në Pogradec e të takoja poetin e madh, Lasgush Poradecin. “Më tha, që ta prisja në “Turizëm”, sepse ai nuk vjen në zyrat e partisë e të shtetit. Pyete, se ç’ probleme ka dhe t’ia zgjidhësh!”

Shkova në Pogradec dhe e njoftuan, se të nesërmen në orën 10-të paradite të pret ministrja tek Turizmi. E prita në një nga sallat e pritjes. Lazgushi erdhi në orën e caktuar. Kishte veshur një kostum të zi, me borsalinë  në kokë dhe me bastunin e tij në dorë. U përshëndetëm me një takim duarsh dhe u ul në kolltukun përball meje.

Tekstin e plotë të këtij reportazhi e gjeni duke klikuar KETU

ObserverKult