Lasgushi dhe Tirona

Nga Bedri Alimehmeti

Kisha disa ditë që puna nuk po më ecte. Ulesha në tryezë i vendosur që nuk do të ngrihesha pa i dhënë fund edhe një tregimi.

Por, qe e pamundur, më kot mundohesha, gjithçka hidhja jo nuk më pëlqente, por nuk më ngjiste fare.

Shkurt ndihesha i shqetësuar ei mërzitur ngaqë po vononte përfundimi i ciklit “Tregimet e Tironës”, të cilëve ua kisha taks numrin nëntë. Kaq kishte qenë dëshira ime e kahershme.

Ndërkohë kisha përfunduar tetë prej tyre, disa nga të cilët i kisha botuar në shtypin letrar, dhe kisha ngecur.

Jo se më mungonin subjektet, përkundrazi në shënimet e mia kisha disa projekte të cilët, edhe pse i nisja, e kisha të pamundur t’i çoja deri në fund.

Ndaj në shtjellën e këtij shqetësimi, sidomos ngaqë nuk po arrija ta bëja librin gati në kohën e duhur, u sorollata atë ditë nga njëra kafene në tjetrën. Derisa tek po shëtisja bregut të Lanës u përballa me një shokun tim të fëmijrisë.

Kishim vite pa u takuar, ndaj e patëm të pamundur të shkëputeshim nga njëri tjetri, pa ndenjur e biseduar gjatë. Zumë vend në një kafene aty pranë dhe nisëm bisedën.

Ai kishte kohë që më ndiqte në shtyp, në radio e në televizor, madje i kishte lexuar të gjithë librat e mi, dhe në fund të ligjëratës më pyeti se, ç’farë kisha në dorë?

I tregova, madje i shpreha edhe shqetësimin, që jo pak po më mundonte ato ditë, teksa ende nuk po e çoja deri në fund atë çka i kisha vënë detyrë vetes. Kur i thashë për titullin e librit të ardhshëm, atij i bëri përshtypje ndaj më pyeti: “Përse ju tiransit i thoni Tirona dhe jo Tirana qytetit tuaj?” Atëherë u detyrova t’i rrëfeja këtë histori.

Të njejtën pyetje thuajse si kjo e jotja, i thashë ia kishte bërë një ditë Lasgush Poradecit edhe miku i tij, arkitekti Petraq Kolevica, që nuk harronte ta vizitonte shpesh në atë banesën e thjeshtë në atë lagje periferike të Tiranës, ku banonte poeti ynë i madh.

Për mua Lasgushi është padyshim një nga mendjet më të ndritura, që ka nxjerrë ky komb. Ai shkroi pak, por na la shumë.

Lasgushi vërtet nuk ishte nga Tirana. Por fakti që ai kaloi në këtë qytet një pjesë të mirë, ndoshta më shumë se gjysmën e viteve të jetës, pa thënë se gjatë gjithë kësaj kohe jetoj mes tiransve, në një shtëpi të familjes së nderuar Mumajesi, në lagjen “Xhamia Sherif” (sot lagja nr.1), ku bashkë me ta përballoi halle e vështirësi të panumërta.

Teksa përkulur ditë natë mbi makinën e shkrimit, për të siguruar bukën e gojës duke na sjellë në shqip poetët më të mëdhenj të botës.

“Ky hamall i përkthimit” siç e quante ai veten, bëri të mundur krijimin e shumë fijeve të padukshme, që e lidhën përjetësisht me banorët e kësaj treve të begatë e të pafund në vlera njerëzore.

Madje, ai i deshi shumë, por edhe ata ama e nderuan dhe e respektuan pamasë.

Kudo që ta shihnin e përshëndetnin, qëllonte të ishte me një trastë në dorë, sigurisht pasi kishte psonisur diçka, ia merrnin nga dora dhe ashtu duke biseduar me të e përcillnin deri te porta e shtëpisë.

Kur ia ndjenin trokitjen e bastunit nëpër pllakat e trotuarit ndaleshin dhe i hapnin udhën, teksa ai u dhuronte pambarimisht buzëqeshje të këndshme.

Mahniteshin sidomos nga pamja e tij ngazëllyese në ditët e para të pranverës, kur pemët çelnin lule, zogjtë cicëronin gazmorë dhe mimozat të dehnin me kundërmimin e tyre.

E Dajti dukej sikur i afrohej edhe ca më shumë qytetit, tek e shihnin të ecte i rinuar brigjeve të Lanës me kapelën karakteristike dhe pardesyn e hirtë shtrënguar në mes.

Në raste të tilla nuk i afroheshin, e linin ashtu të qetë në përjetimin e atij meditimi poetik.

Sigurisht e ndjenin që poetin tashmë se ndalte kush nga shuarja e atij përvëlimi të pakrahasueshëm malli për liqenin dhe qytetin buzë tij.

Madje, e dinin që edhe pak ditë, ja sa të ngrohej ca moti, ai do të merrte rrugën për të mbërritur sa më parë atje.

Dihet nga të gjithë, Lasgushi gjashtë muajt e dimrit i kalonte në kryeqytet, kurse gjashtë muajt e verës buzë “gjolit” në Poradecin e tij të dashur, të cilit i tha gjithnjë kështu dhe kurrë Pogradec.

Gjatë kohës kur ishte në Tiranë e vizitonin herë pas here shokët e miqtë e tij të pendës. Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, Eqerem Çabej, Andrea Varfi, Petro Marko. Pastaj Mustafa Greblleshi, Sterjo Spasse dhe Petraq Kolevica.

Këta ishin miqt e ngushtë të Lasgushit, të tjerë nuk qaste në shtëpi.

Kur puqeshin të gjithë tok dhe biseda ngrihej në nivele të atillë, që do t’ia kishin zili edhe profesorë të shquar universitetesh, tiransi Mustafa Greblleshi, të cilin poeti e donte aq shumë thoshte gjithnjë: “Kjo është Akademia Lasgush Poradeci”.

Vetëm pak pasi ishte kthyer nga një shëtitje e tillë, kishte mbërritur atë ditë Petraq Kolevica. Pasi i tregoi disa poezi të përkthyera nga gjermanishtja në bisedë e sipër i tha:

– Ama dhe këta tiransit, nuk ia thanë një herë tamam emrin Tiranës, qytetit të tyre, por gjithnjë Tirona, Tirona!
Lasgushi e kishte parë gjatë në sy dhe më pas i kishte dhënë këtë përgjigje:

– Që duhet ta kenë një arsye që i thonë Tirona e jo Tirana qytetit të tyre, unë nuk e diskutoj.

Them kështu sepse, e di mirë që ky popull bujar ka qindra vite, më saktë shekuj që e quan kështu qytetin e tij. Dhe arsyeja kam mendimin se vjen pikërisht nga thellësia e shekujve.

Arkitekti qe stepur për një çast, aq më tepër kur kishte vën re që nga sytë e poetit kishte nisur të fekste vezullimi i një drite të paparë.

Gjithçka ishte e qartë, “masati” mendjes së tij pritej të shkëndijonte sërish, madje edhe më fuqishëm.

– Ty të shqetëson shumë mbaresa ‘ona’, por duhet të dish që Perëndesha e lashtë e ilirëve, pra e të parëve tanë ishte Dodona.

Madje, enkas për të ata ndërtuan tempullin e Dodonës, ku vinin ei faleshin për ditë. Në jug të Shqipërisë kemi një qytet shumë të bukur buzë detit, m’u aty ku ndahen dy detet e mrekullueshëm Joni dhe Adriatiku.

Ai qytet sot quhet Vlora, por emri i tij i lashtë është Aulona. Po të shkojmë në veri dhe të ngjitemi në alpe, atje mes Bjeshkëve të Namuna kemi një lumë me bukuri përrallore, që quhet Valbona. Pra, edhe këto emra me ‘ona’ mbarojnë.

Dhe ne na pëlqen dhe i duam shumë. Por nuk mbaron këtu llafi im. Po të kalosh detin Adriatik dhe të zbresësh në brigjet italiane ke një qytet mjaft të bukur, që mban emrin Ankona.

Kurse në veri të Italisë gjëndet një qytet tjetër me emrin Verona, qyteti i Romeos dhe i Zhuljetës.

Dhe italianët me sa di deri më sot, nuk janë jo shqetësuar por, as ankuar që emri i qytetit të tyre të mrekullueshëm mbaron me ‘ona’.

Pas kësaj Lasgushi e ndali fjalën dhe mori frymë thellë. Kundërmimi i aromës së selfijonit ose borzilokut të sapoçelur, siç i thoshte ai nëpër vazot e radhitura me kujdes anës murit, ia zgjeroj edhe më shumë kraharorin. Arkitekti i zënë disi ngushtë pandehu se poeti kishte mbaruar dhe desh të shtonte diçka, por ai ia bëri me dorë të priste.

– Nuk kam mbaruar, kam edhe më.- shtoi poeti – Po të përmend edhe dy emra qytetesh nga më të bukurit në Europë. Madje, njëri prej tyre është kryeqytet, Lisbona dhe tjetri Barcelona.

Po gjithsesi këtë herë do të jemi sërish në Shqipëri në dheun e Arbërit, ku plot vajza të bukura quhen Elona, Bleona, Jona, Edona, Emona, Ermiona etj.

Gjithë këta emra bukurish të rralla vijnë nga lashtësia dhe mbarojnë me ‘ona’. Dhe neve na vjen mirë, dhe i gëzohemi pamasë yllësisë së tyre.

Ndaj dhe ky popull i urtë e punëtor, mikpritës në kulm, dashamirës e bujar, që nuk di të përgojojë askënd e ka një arsye të fortë që nuk i thotë kurrë Tirana. Por Tirona qytetit të tij, të cilin sigurisht e dashuron më shumë se sa ne.

Unë kaq di të them, të tjerat kanë për detyrë t’i bëjnë historianët, arkeologët e gjuhëtarët, të cilët duhet të hulumtojnë, të kërkojnë e të gjejnë arsyen e vërtetë.

Kaq kishte nxjerrë nga “masati” Lasgush Poradeci dhe kishte heshtur.

Brenda pak çastesh, në mënyrë të habitshme perceptimi i tij qe zhytur në thellësi të paimagjinueshme e të mistershme të shekujve.

Duke vërtetuar kësisoj edhe një herë potencën e pakrahasueshme që karakterizonte analizën e tij zhbiriluese prej gjeniu.

– Tregim i bukur shumë! – foli bashkëbiseduesi im.

– Cili!? – i thashë i habitur.

– Ky që sapo më tregove. Dhe kot e vret mëndjen për të shkruar tregim tjetër. Ja tek e ke.

Siç ma tregove, shko e hidhe në letër. Madje, me të do të parandalosh kundërvëniet, me që ke përdorur në vend të Tirana, Tirona.

Shoku kishte plotësisht të drejtë. Ndaj dhe unë, merreni si të doni e vendosa këtë histori si në vend të një “parathënie”, në krye të këtyre tregimeve për Tironën.

Por, pa harruar kurrsesi t’i përulem në këtë rast me respekt madhështisë së fjalës lasgushiane.

Faleminderit poet i liqenit. Nderim për ty Lasgush Poradeci “shterg i fundit” i poezisë së vërtetë shqipe, që aq shumë i deshe tiransit e mi.

ObserverKult


lasgush poradeci liqeri

Lexo edhe:

CILAT ISHIN AMANETET E POETIT, LASGUSH PORADECI- FLET E BIJA E TIJ

Ai është një emblemë e poezisë tonë, një personalitet që i dha aq shumë letrave shqipe, por nuk mori sa duhej në këmbim.

Lasgush Poradeci është pa dyshim një prej emrave që ka ngjallur debat ndër vite, për poetin brilant por edhe për faktin që krijimtaria e tij nuk u pozicionua si duhej.

Sot, figura e tij komplekse kujtohet me admirimin e munguar ndër vite. Por edhe me krenarinë për një emër që dha aq shumë me përulësi të madhe.

E bija e tij, Marie Gusho erdhi në “Esencë’ për një rrëfim të veçantë për gjërat që kanë mbetur ende pa thënë dhe për figurën e babait të saj. Me të cilin ajo ishte shumë e lidhur.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult