Laura Siner Brahimi, fituese e “Çmimit William Walker”

Në Ditën e Masakrës së Reçakut, më 15 janar, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime u hap Edicioni i II-të i ekspozitës tradicionale “Çmimi William Walker”.

Ekspozita, e ideuar dhe kuruar nga Emine Jetishi, solli vepra të ndryshme artistike si piktura, grafika, skulptura dhe mozaikë, të cilat përmes artit trajtojnë dhimbjen, rezistencën dhe qëndresën e popullit të Kosovës, duke ruajtur gjallë kujtesën historike.

Ky edicion vazhdoi rrugëtimin e nisur në vitin 2025, me synimin që ekspozita të jetë një platformë e përhershme për të vërtetën historike dhe reflektimin artistik. Me këtë rast, organizatorja theksoi se i ka premtuar Ambasadorit William Walker se “Çmimi William Walker” do të vazhdojë të jetojë ndër breza, ashtu si e vërteta që ai bëri të dëgjohej para botës.

Në hapjen e ekspozitës mori pjesë edhe Ambasadori William Walker, i cili kontribuoi me fjalën e tij, parathënien e katalogut dhe ndarjen e çmimeve. Falënderime u shprehën për jurinë profesionale Fortesa Beqa Arifi, Zenun Sherifi dhe Elvana Beqa Avdiu, sponsorët dhe moderatorin Val Ajazi.

Fituesit e Edicionit të II-të:

Çmimi Kryesor “Çmimi William Walker”: Laura Siner Brahimi

Çmimi për Grafikë: Astrit Rexhepi

Çmimi për Mozaik me Tekstil: Fatos Kabashi

Laura Siner Brahimi, fitoi çmimin me pikturën e titulluar “Dhimbja që mbeti fëmijë”. Brahimi me këtë rast e falënderoi z.William Walker për kontributin e tij të çmuar si dhe organizatorët.

“Jam e emocionuar për këtë çmim, pasi që mban emrin e të madhit William Walker, dhe jam krenare që ma dorëzoi çmimin pikërisht ky njeri me vlera të çmuara, që e bëri të njohur para botës masakrën e Reçakut”, tha Brahimi.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ekspozitë në ObserverKult: Laura Siner Brahimi, piktore (foto)