Nga Vlora Konushevci
U ktheva prej nji udhëtimi të shkurtë prej nanës Shqipni, valixhen veç e hapa dhe e lash në korridor të hapun. E kam pas shprehi si të kthehem prej udhëtimeve menjëherë me i rahatu teshat e valixhen me kthye në vend, por motra jem, e cila asht diku 15 vjet ma e re se unë, ma pat dërgu nji artikull, të gjetuna të nji studimi psikologjik, ku ndër të tjera thuhej se njerëzit që e bajnë atë punë kanë tendenca me qenë psikopatë madje edhe vrasës. Ajo asht shkri kur e ka gjetë atë artikull, sepse mision e ka me ma nxi jetën, e unë nuk harroj me ja kujtu se në moshë të saj e kam mbajt krejt shpinë me pare, e asaj nuk i mjafton rroga as deri me të 10-tin. Nejse, valixhja mbeti aty për dy ditë rresht, edhe sa herë kalojsha anej me këqyrke habitshëm e unë i thojsha: “Hiq mos më këqyr, s’të preki se s’jam psikopate”. Kur e pash që jam tu diskutu me valixhen e kuptova që edhe me lanë hapun po dalin në pah disa tendenca tjera. Çka po du me tregu asht që kur i kalon katër dekada jete dhe hyn në të pestën, çmimi që e pagun për faktin se je gjallë shkon tu u rritë, dhe herët a vonë secili prej nesh ka me e nxanë veten tu folë me naj objekt.
Përveç kësaj, para ditëlindjeve jubilare si kjo e jemja, tash e katërdhjeta, dashtë e padashtë e nxen veten tu e kthye kryet përmas me ja lëshu nji sy asaj udhe të shkelun. E nxen veten herë krenare e herë krejt mllef tuj i bërtitë vetes së dikurshme: “Oj hajvane, mos shkel në atë dërrasë të kalbun, oj idiote…”, por pa ndonji dëshirë me u kthye mrapa e me i përmirësu gabimet tash me “qito mend”. Pse me u kthy mrapa, edhe sot mundem me pi e me ba qef sikur kur jam kanë në të njizetat, ani që periudha e rikuperimit “hangover” më zgjatë tash ma shumë, por rrnoftë “oki”. Shpikja gjeniale e kësaj epoke…! Nuk po du me thanë se s’kam pengje si krejt të tjerët, por nëse kisha mujt veç nji këshillë me ia dhanë vetes tem të atëhershme, edhe çikave të reja sot, asht me kultivu shprehinë e kursimit financiar. Edhe me ju tregu që kurrë kurrkush s’ka dekë prej dashnisë, përveç në drama të Shakespear-it dhe personazheve në letërsinë ruse, ndërkaq zemra e thyme ka pasoja të cilat edhe mujnë me e shpejtu dekën nëse s’ia del me menaxhu, por kjo asht temë për tjetër herë.
Dekadën e katërt 30-39 e kisha quejt dekadën e njohjes me veten, por edhe me humbjet. Të pakët janë ata njerëz fatlum që nuk e humbin ndonji njeri të afërt në këtë periudhë. Asht koha kur toka nën kambë të livritë dhe gjanat për të cilat ke kujtu se janë të sigurta s’janë ma… E, kur jemi te siguria, e sigurt asht veç deka, të tjerave hiq s’iu dihet.
Unë gjatë kësaj periudhe i kam humb nanën e babën prej kancerit, e paralelisht edhe martesën, ngjarje këto që kanë ndodh njëra pas tjetrës brenda nji periudhe të shkurtë. Ngjarje këto që të detyrojnë me lyp fajtorin të vetja, pse po na ndodhin neve krejt këto, çka kemi ba aq të ligë me i meritu këto fatkeqësi. E kam nji lajm për juve, të cilin vonë e kam kuptu:
JETA NUK ASHT ME MERITA! Kur dhunshëm, pra pa dëshirë bahesh e vetëdijshme sa shpejt shkon jeta, atëherë e veç atëherë ja nis me i shiju gjanat e vogla edhe e kupton që meritokraci në jetë nuk ka.
Më kujtohet kur hulumtojsha forumeve online për mjekësi alternative qysh me shëru kancerin, sepse tashma kujtojsha që ilaç ka, por që ai ilaç asht i fshehun për shkak të “Big Pharma”, lexojsha edhe rrëfime personale të njerëzve të cilat më patën ndihmu shumë. Ato rrëfime tregojshin që nuk je vet dhe që e keqja s’ka skej. Në njanin prej tyne, nji gru e kish pas babën, burrin dhe djalin me kancer në të njëjtën kohë, në atë moment kam lëvizë prej vendit, më ka ra në mend se kam fëmijë dhe se duhet me qenë falënderuese për shëndetin e tij. Siç do të shprehej shkrimtari anglez Samuel Johnson: “Kur ta kesh vuajtur ndonji fatkeqësi, gjëja e parë që duhet t’iu shkoj në mend asht se sa shumë gjana i kanë ikë asaj”, pra fatkeqësisë.
Populli thotë kur të lëshohen të këqijat veç çiljau derën, e unë ju them hiqne derën krejt se s’ka çka ju duhet, me rëndësi asht me pas njerëz të mirë afër vetes edhe me qenë falënderues për bekimet e tjera, edhe me u mundu me ba humor në secilën situatë, s’ka ilaç ma të mirë. Kur pat dekë mami, unë si ma e madhja, përgjegjëse, s’dojsha me ja përcjellë të pamën me drama e me vaj, sepse mami jem e ka meritu nji të pame të dinjitetshme qysh ka qenë edhe vet. Në përballje me pikëllimin i kam thanë motrës tem mos qaj se kemi kohë me qajt, njëherë duhet me u marr me të pame. Në nji rast po e nij dikë që po e vetë motrën “a u mërzite”, edhe ajo po i thotë pa nja pa dy: “JO”. Thash mos po më bajnë veshët, prapë njësoj. Dikur pe thirri në dhomën tjetër e po i them:
Unë: A je moj ti normal? Qysh po thu jo!
Ajo: Po ti a më ke thanë mos me qajtë e mos mu mërzitë…
Ky leximi i fjalëpërfjalshëm, kanihere di me të ngatërru si mos ma keq.
Nuk ka lavdi për asnji sëmundje, por e bukura e kancerit asht se e di përafërsisht edhe sa kohë ki edhe atë kohë e shfrytëzon mençëm, krijon kujtime përderisa gjatë asaj kohe mësohesh me idenë se personi i afërt ka me ikë prej kësaj bote. Mësohesh me jetu me dhimbjen dhe me mungesën ndërkaq ushqehesh prej kujtimeve. Pas krejt kësaj përvoje njerëzit kur më takojshin s’dishin qysh me m’ngushëllu, shpeshherë më drejtoheshin me fjalët: “Kuku çka të ka gjetë ty”, asht goxha situatë komike kur ti përfundon tu i ngushëllu ata që ish dasht ty me të ngushëllu. Por, njerëzit e bajnë prej padijes, kaq!
Tolstoi thotë se lumturia asht alegori, por pikëllimi asht rrëfim. Edhe unë gjithmonë i kam çmu rrëfimet e muhabetet me njerëz për gjana të vërteta, rrëfime personale, përvojat e ndryshme, prandaj edhe këshillat i kam kërku aty. Gjatë procesit të shkurorëzimit nji prej këshillave ma të dobishme që e kam marr e që du me nda me juve asht: “Personi me të cilin ke lidh kunorë s’asht i njëjti person prej të cilit po shkurorëzohesh”. Kjo fjali e vetme goxha të kursen. Nuk e torturon veten t’u vu në dyshim gjithçka që ke kujtu se ke ditë: “Khu si mos me pas njoft kurrë” ose “S’po mundem me besu që asht i njëjti person”. Po s’mundesh de s’mundesh se nuk asht i njëjti person. Pikë!
Kaq për dekadën e katërt… Tash me të dy kambët kam me hy në të pestën, edhe di me ju thanë që kurrë ma e lumtun s’jam kanë. Prandaj edhe po më duket vetja mjaftueshëm e pjekun me ba këtë reflektim, ani që Tik -Tok-un nuk e njoh. Për atë punë e kam motrën e cila ka sens të budallëm të humorit, e dhunshëm më detyron me këqyr video palidhje, të cilat asaj i duken qesharake. Mue jo që nuk më qeshet, por kam nis me dyshu mos qëllimshëm po do me m’qorru kur vjen me turr e ma shtien telefonin gati n’sy, aq sa që nuk sheh gja veç bardhë. Duhesh pak me largu, pak me marr veten për me këqyr naj video krejt nonsense. Nëse hapi najherë llogari në Tik- Tok, ta dini që e kam hap veç me i shantazhu motrën dhe djalin.
Në dekadën e pestë po hy plotë siguri, me prioritete tjera e në dashni. Nëse asht për me i besu popullit kur thotë që “Miku- mikut i ngjan 40 vjet përpara”, atëherë burri jem, megjithëse nuk asht i treti duhet me kanë i vërteti. Njisoj sikur babës tem dikur edhe këtij sot i komplikohet jeta kur duhet me ndërru nji poq elektrik.
Ndoshta edhe jam tu shkru krejt koti sepse ma shumë mundemi na me mësu prej 20-vjeçareve sot sesa ato prej neve. Motra, kur jetojke me mu e harxhojke komplet shamponin me dy të lame e tash në banesë të vet nji “Kopriva” e ka qe nji muaj. Imagjinoni, nji shoqe e cila e ka çikën e rritun po më tregon para disa ditëve qysh ajo e paska lanë të dashurin e saj (i cili sipas shoqes tek o kanë “pika e djalit”), sepse ai tipi nuk e ka ba me qesh….
Ku ka ma bukur se kjo, unë dhe gjenerata jem para 20 vjete kurrë se kishim lanë dikë se s’po na banë me qeshë. More edhe me qajtë na kanë ba, e nuk i kemi lanë. Ndoshta kjo asht pikërisht arsyeja pse tash flasim me objekte, se s’kemi qesh mjaftueshëm.
ObserverKult