Lazër Stani: Censura dhe shkrimtarët shqiptarë në diktaturë (1)

lazer stani



Është fakt i njohur tashmë se e gjithë letërsia shqipe e publikuar pas Luftës së Dytë Botërore deri në fund të vitit 1990, e njohur me termin zyrtar “Letërsi e Realizmit Socialist” është një letërsi misionare e shkruar në funksion të edukimit komunist të masave, krijimit të njeriut të ri, shpirtërisht të depersonalizuar dhe ideologjikisht të infektuar, ose të shprehur me termat e kohës “të brumosur me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver”. Kjo letërsi e shkruar në kushtet e lirisë së munguar, rregullohej si të thuash me ligj, nëpërmjet metodës zyrtare të Realizmit Socialist, dhe çdo krijim artistik, para se të publikohej, i nënshtrohej një censure të rreptë, edhe pse zyrtarisht një fakt i tillë nuk është pranuar kurrë.
Në “Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe” të hartuar nga Akadamia e Shkencave, nga botimi i parë në vitin 1980 e deri në botimin e fundit në vitin 2006, por dhe në botimin online të këtij fjalori nga Shkenca.org, fjala censurë shpjegohet kështu:
CENSURË f.
Shqyrtim e kontroll i përmbajtjes së veprave të ndryshme para se të botohen a të shfaqen ose kontroll i letrave, i telegrameve etj. para se të dorëzohen, që bëhet (në vendet kapitaliste e revizioniste) nga një organ zyrtar ose nga një i ngarkuar; organi zyrtar që bën këtë punë. Censurë e rreptë. Censurë ushtarake. Censura fashiste. Vuri (vendosi) censurën. Hoqi censurën. I shpëtoi censurës. Merr pëlqimin (miratimin) e censurës. Kalon nga censura. Nuk e lejon censura.
Pra, sipas shpjegimit të këtij fjalori të hartuar nga akademikët në diktaturë, dhe të ripublikuar po nga akademikët në post-diktaturë, censura është një kontroll që ushtrohet ndaj veprave të ndryshme artistike në vendet borgjeze-revizioniste, por jo në një vend me “demokraci popullore”, siç ishte Shqipëria diktatoriale. Edhe pse ekzistenca e censurës nuk pranohej zyrtarisht, praktikisht censura sanksionohej me një manual rregullator, që quhej “metodë e Realizmit Socialist”, ku ishin të shprehura kushtet, të cilat dinakërisht quheshin parime, që një vepër letrare, apo çdo lloj produkti tjetër artistik, në pikturë, kinematografi e muzikë, të ishte i pranueshëm.

Censura e kamufluar

Pas Luftës së Dytë, që në hapat e parë të instalimit të diktaturës, Qeveria e re, u kujdes që të shtrinte kontrollin e saj mbi të gjithë institucionet e kulturës, gazetat dhe transmetimet në radio. Shtëpitë botuese ekzistuese u mbyllën të gjitha, gazetat dhe revistat gjithashtu. Revistat që kishin bërë emër në histori si “Hylli i Dritës”, apo “Përpjekja Shqiptare”, jo vetëm u ndaluan, por u hoqën nga qarkullimi të gjitha kopjet ekzistuese. Një komision letrar militant, i ngritur pranë Lidhjes së Shkrimtarëve të sapo krijuar, hartoi një listë të gjatë librash dhe autorë shqiptarë të paraluftës, të cilët ndaloheshin rreptësisht dhe veprat e tyre u hoqën nga qarkullimi. Në listën e të mallkuarve nga regjimi u përfshinë emrat më të njohur të kulturës shqiptare, autori i romanit të parë shqiptar Ndoc Nikaj, poeti më i madh shqiptar, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, At Anton Harapi, Musine Kokalari, Ali Asllani dhe pothuajse të gjithë autorët që përbënë elitën kulturore shqiptare të paraluftës. Shumë prej autorëve që ishin gjallë, i shpallën tradhtarë, armiq, kolaboracionistë, i arrestuan, i burgosën, i ekzekutuan. U ndaluan të gjithë librat e autorëve të huaj, të përkthyer paraluftës, me përjashtim të ndonjë përkthimi të klasikëve grekë dhe të klasicizmit europian.
Paralelisht, në këtë përzënie dhe ndëshkim të kulturës ekzistuese, u ngritën strukturat e reja botuese, të cilat ushtronin një kontroll të rreptë mbi gjithçka që botohej dhe lejohej të qarkullonte. U ngrit e vetmja shtëpi botuese me emrin e poetit rilindas, Naim Frashërit, nëpër filtrin e së cilës do të kalonin të gjitha botimet. Shtëpia botuese u strukturua me redaksi përkatësi, për poezinë, romanin, tregimin, letërsinë për fëmijë, dramën, dhe përkthimet. Të gjitha redaksitë përbëheshin nga shefi i redaksisë dhe redaktorët. Puna e tyre e vetme, ishte të lexonin dhe të vlerësonin krijimet në të gjitha gjinitë letrare dhe të lejonin botimet vetëm të atyre veprave që përputheshin me normat e shkruara të Realizmit Socialist, përshkoheshin nga partishmëria, fryma revolucionare, vija e partisë, porositë e udhëheqësit për letërsinë e artet.
Nën emrat e redaktorëve dhe të shefave të redaksive, fshiheshin emrat e vërtetë të censorëve dhe kryecensorëve. Në ndihmë të këtij aparati censurues, pajtoheshin edhe kritikë, shkrimtarë militantë, estetë, që quheshin recensentë dhe që jepnin mendim me shkrim për çdo vepër nëse duhej të botohej apo jo. Çdo vepër shqyrtohej nga dy ose tre recensentë dhe mendimi i tyre vuloste fatin e veprës. Dhe mbi të gjithë këtë aparat të kamufluar censurues, qëndronte një zyrë pranë Komitetit Qendror të Partisë, që quhej zyra e Shtypit dhe e Propogandës. Kjo zyrë mbikëqyrte punën e të gjitha redaksive botuese, përgjonte, hetonte dhe ndëshkonte ata redaktorë, apo shefa redaksish, që nga pakujdesia, paaftësia, ose neglizhenca, u shpëtonte ndonjë botim me gabime ideologjike.
Ndëshkimi, në këtë rast, nuk kufizohej vetëm me redaktorët censorë, por shtrihej dhe mbi autorët dhe veprat, të cilat ndaloheshin, hiqeshin nga qarkullimi dhe bëheshin karton, ndërsa autorët u nënshtroheshin masave disiplinore; në rastin më të mirë hiqeshin nga puna dhe dërgoheshin për edukim revolucionar në ndërmarrjet prodhuese, në ferma ose kooperativa, që të njiheshin më mirë me shpirtin revolucionar të klasës punëtore, të fshatarsisë kooperativiste, me sakrificat që bënin njerëzit e thjeshtë për ndërtimin e socializmit, ose në rastin më të keq, u ndalohej vepra, u hiqej e drejta e botimit, internoheshin nga kryeqyteti, po mund të përfundonin edhe në ndjekje penale.

Shkrimtari përballë censurës


Shkrimtari, pasi e përfundonte veprën e vet, vëllime me poezi, tregime, apo roman, e dorëzonte pranë redaksisë përkatëse në shtëpinë botuese. Ndërsa ai priste në ankth, përgjigjen nga redaksia, nëse libri i tij do të botohej ose jo, vepra e dorëzuar i nënshtrohej një procesi në dukje burokratik, por që në fakt, kishte të bënte me kalimin e saj nëpër filtrat e censurës. U jepej dy-tre recensuesve, të cilët e lexonin veprën me lupë, duke mbajtur shënime për gjithçka, që atyre u dukej jo në përputhje me vijën e partisë dhe me metodën e Realizmit Socialist. Të gjitha këto “të meta” ideoestetike, pasqyroheshin në formë konkluzionesh në fund të recensionit që përmbylleshin me frazat standard “mendoj të botohet”, “t’i kthehet autorit për ripunim” ose “të mos botohet”. Pasi recensionet ktheheshin në redaksi, redaktori përkatës, lexonte recensionet e porositura dhe në rast se libri do të botohej, e lexonte me vëmendje gërmë për gërmë, duke fshirë, fjali, paragrafë e kapituj të tërë, duke zëvendësuar e ndryshuar fjali, që ta sillte tekstin letrar në standardet e pranueshme, nga ai, censori. Në fund shkruante dhe një raport të shkurtër dhe ia paraqiste shefit të redaksisë, që ishte personi përgjegjës për botimin ose jo të librit. Provën e parë, rrallë ndonjë libër e kalonte. Në të shumtën e rasteve ktheheshin për ripunim, rishqyrtim, madje edhe kur kishim të bënim me autorë të njohur të letërsisë së Realizmit Socialist.

Për shembull, një vëllimi me poezi të rikthyer për ripunim, autorit i listoheshin poezitë që e kishin kaluar testin e censurës, i kërkohej të shtoheshin disa poezi për partinë, ku autori me përulësi të shprehte dashurinë e tij të pakufishme, poezi për atdheun, poezi për klasën punëtore dhe fshatarsinë, të pasqyronte më mirë vrullin revolucionar të masave dhe shndërrimet epokale nën udhëheqjen e partisë. Nëpërmjet ripunimit, libri duhej të çlirohej nga intelektualizmi borgjez, sentimentalizmat e sëmurë, ndikimet neofrojdiste, ekzistencialiste, apo ndonjë nuancë konservatore e bartur nga tradita negative e shoqërisë së përmbysur. Para se të dërgohej për ribotim, vepra tjetërsohej, shfytyrohej, kastrohej nga vetë autori. Ndonjë autor që refuzonte ta masakronte veprën e vet, i mbetej dorëshkrimi në sirtar, madje edhe listohej midis të dyshimtëve. Kështu që çdo vepër letrare e botuar në diktaturë, ishte një vepër e abuzuar, së pari nga vetë autori dhe së dyti nga gjithë ai aparat monstruoz i censurës. Dhe kur ndodhte që ndonjë gjë e papëlqyer dhe e papërputhshme me standardin zyrtar botohej, e priste syri vigjilent i kritikës, që e masakronte me ashpërsinë më të madhe.
Si shembull për të justifikuar masakrën e ripunimit të veprave përdorej romani “Garda e Re” e shkrimtarit sovjetik, Aleksandër Fadajev.
Aleksandër Fadejev, shkrimtar komunist, autor romanesh të famshme si “Shpartallimi” dhe “I fundmi i Udegëve” të botuar me sa di dhe në gjuhën shqipe, në vitin 1945 botoi romanin “Garda e re”, një roman që i kushtohej rezistencës antifashiste të një organizate komsomoli në vitet e luftës në qytetin ukrainas Krasnodon. Romani u kritikua ashpër pas botimit, sepse në roman nuk pasqyrohej roli udhëheqës i organizatës së partisë në Luftën e Madhe Patriotike, siç e kanë quajtur sovjetikët Luftën e Dytë Botërore. I ndodhur përballë presionesh të paimagjinueshme, shkrimtari e rishkroi romanin dhe e botoi në vitin 1951 tashmë “të përmirësuar”. Në të gjitha shkollat shqiptare mësohej ky shembull se si shkrimtari me ndihmën e partisë, mund të shpëtohej nga gabimet dhe të shkruajë një vepër të shëndoshë letrare.
Ama në shkolla nuk mësohej fakti se shkrimtari komunist, i fyer dhe i poshtëruar nga partia e tij, i dha fund jetës me vetëvrasje me 13 maj të vitit 1956 në Moskë.
Të njëjtit filtër i nënshtroheshin edhe librat e përkthyer, sidomos librat e përkthyer nga Letërsia Perëndimore. Ndërsa librat e letërsisë ruse të Realizmit Socialist botoheshin me shumicë, po edhe disa klasikë kryesisht francezë, si Balzaku, të cilin e kishte lavdëruar Engelsi në kohën e tij, librat e tjerë të përkthyer nga autorë perëndimorë, i nënshtroheshin një filtri të egër. Romanit “Zoti President” (El Señor Presidente) të Miguel Angel Asturias, i hoqën mbi tridhjetë faqe nga libri, që të mund të botohej në gjuhën shqipe. Këtij fati i janë nënshtruar pothuajse të gjithë librat, aq sa sot bëhet i dyshimtë leximi i këtyre librave, edhe pse përkthimet u bënë nga një plejadë përkthyesish të talentuar, shumica prej tyre të shkolluar në Perëndim. (vijon…)

Teksti eshte botuar ne librin “Shteti dhe shoqëria në Shqipërine komuniste 1945 – 1990”, botim i Institutit te Studimeve Politike

ObserverKult