Lazër Stani: Diçka i mungon asaj gruaje

lazer stanii observerkult

Diçka i mungon asaj gruaje, tregim nga Lazër Stani

Pas ngazëllimit të një dite më parë, Anton P., skulptor, u kthye në studio të shihte edhe njëherë punën e tij të mbaruar – Nudo gruaje në këmbë.

Ora po shkonte dhjetë dhe gjatë gjithë mëngjesit, pati menduar vetëm për gruan në skulpturë. E mendoi në mëngjes, ndërsa pinte kafenë në verandë, e solli në mendje gjatë kohës që rruhej, aq i rrëmbyer pas saj sa fytyra e gdhendur i shfaqej në pasqyrë, e imagjinoi kur po lahej në dush, aq sa pandehu se nuk po fërkonte me shkumë kofshët e tij të mpakura, por këmbët e bëshme të gruas së skulpturës.



“E përkryer”, tha me vete, duke e shqiptuar fjalën me zë.

Pesëdhjetë vite punë, pesëdhjetë vite gdhendje në mermer, më në fund ishin shpërblyer. Një kryevepër që do ta përjetësonte emrin e tij, krahas të pavdekshmëve. Edhe pse jeta e tij kishte qenë e suksesshme, skulpturat e tij, zbukuronin sheshet më të njohura të qyteteve të shtetit, prapë, gjithmonë e pati ditur, se atje, përtej fuqive të tij, fshiheshin punët e vërteta, ato të paarritshmet, që edhe në ëndërr shëmbëllenin të mjegullta, të paqarta; më shumë ndiheshin si prani se sa shfaqeshin si imazhe.

Por më në fund Zoti e kishte shpërblyer për këmbënguljen dhe përpjekjet e shumë viteve; “Nudo gruaje në këmbë” gjendej aty, në studion e tij, e përkryer, e tjetërsojtë, si e zbritur nga qielli.


Hapi ngadalë derën e studios së tij duke rrotulluar me delikatesë çelësin në bravë, ashtu si një zonjë e shkuar në moshë hap kasafortën ku ruan gjerdanin me perla të çmuara të dhuruar në ditën e fejesës.

“Nudo gruaje në këmbë” gjendej aty, e ndriçuar keq, nga drita që futej përmes perdeve të dritareve. Largoi perdet nga dritaret dhe në studion e mbushur me dritë, zgjodhi një pozicion, që të sodiste punën e tij, duke i qëndruar dhjetë hapa larg. E mrekullueshme, shqiptoi me zë, pasi e kishte soditur të paktën dhjetë minuta.

Si ka mundësi, si? pyeste veten i çuditur. Si mundet që një bllok mermeri i ftohtë, të shndërrohet në një grua që të vështron e përqendruar me ata sy të dhembshur e të ngrohtë, sikur kërkon të të mbajë pranë vetes përgjithmonë? Si mundet një copë shkëmbi i akullt të shndërrohet në një fytyrë kaq të ëmbël e të dashur? Si mundet që ajo buzëqeshje e fshehur nën lëkurë të derdhë mbi ty dritën hyjnore të një mirësie të pafund? Si mundet që ti ndien frymën e saj të të përplaset në fytyrë?

E këqyri skulpturën nga koka te këmbët, gjatë, këmbëngulshëm, me po atë magjepsje që pati këqyrur trupin e të dashurës lakuriq në shtratin e tij para dyzet vjetësh dhe ku, gjysmë i përhumbur, pati bërë një pyetje që nuk do ta harronte kurrë: “Zot, çfarë të mire kam bërë, që e solle këtë grua në shtratin tim?”

Seanca e adhurimit të skulpturës, duhet të ketë zgjatur shumë, sepse dielli qe fundosur në qiellin e perëndimit, kur skulptori Anton Plavra u pushtua nga një parandjenjë e ligë.

“Nuk është e përkryer”, tha me vete, duke lëshuar krahët teposhtë. Diçka i mungon kësaj gruaje. ”Po çfarë? pyeti veten i zhgënjyer, duke ndjerë një këputje në gjunj. U zhvendos disa hapa që ta shihte nga një kënd tjetër. Mungesa u bë edhe më e theksuar, nderej si një perde e errët midis tij dhe skulpturës. Iu afrua nga mbrapa dhe i vuri dorën në shpatull. Ftohtësia e mermerit i shkaktoi të ngjethura në kurriz. Lëkura iu puprrua. U largua nga statuja, i doli përballë, u shtri në dysheme dhe po e vështronte nga poshtë lart. Prapë e njëjta prani mungese e padëshifrueshme.

Zot, tha, duke u ngritur në këmbë, çfarë i mungon kësaj gruaje? Çfarë i mungon? E këqyri edhe njëherë duke e fragmentuar: i këqyri flokët, ballin, vetullat, sytë, veshët, faqet, hundën, buzët, mjekrën, qafën, krahët, gjoksin, barkun, kofshët, kërcinjtë, këmbët, shputat, gishtërinjtë… Gjithçka dukej e përkryer dhe prapë diçka i mungonte. E ndjente këtë mungesë të mallkuar që po e shpartallonte.

U largua nga studioja e tij i dëshpëruar për t’u kthyer aty prapë të nesërmen, të pasnesërmen, në të gjitha ditët e javës, të muajit.

Dhe gjithnjë e strukur në mermer, gjendej po ajo prani mungese, që nuk shfaqej, nuk perceptohej, nuk bëhej e dallueshme, vetëm të ngjallte një parandjenjë të keqe.

E kuptonte se sa kohë që nuk do ta dinte se çfarë i mungonte kësaj gruaje, nuk do të mund ta përfundonte kurrë veprën e tij. Një ditë mori një copë letër, shkroi mbi të “Punë e papërfunduar” dhe e ngjiti në barkun e skulpturës.

Letra e ngjitur mbi barkun e skulpturës tashmë është zverdhur, skulptori ka vdekur. Mungesa gjithashtu është bërë e përjetëshme.

ObserverKult

Lexo edhe:

LAZËR STANI: FANTAZMA E PARAARDHËSIT