Lazër Stani: Vdekja nuk vjen me sy dashurie

cesare pavese
Cesare Pavese
lazer stanii observerkult

Nga Lazër Stani

Po a ishte vetëvrasja e Paveses një vetëvrasje nga dashuria e paralajmëruar me poezinë e famshme “Do të vijë vdekja dhe do të ketë sytë e tu”?

Një lexim i vëmendshëm i poezisë të bind për të kundërtën. Në poezinë e tij, poeti e përshkruan vdekjen si bashkudhëtaren tonë nga mëngjesi në mbrëmje, të pagjumë e të shurdhët, si një peng i vjetër a një ves absurd, të çliruar nga makthet, tragjizmi, gjëma. Nuk ka kuje, as lot dëshpërimi. Përkundrazi, ka një kthjelltësi tmerruese, ku më në fund do ta dimë se “shpresa e dashur është jeta dhe është asgjëja”.

Në vargjet e fundit të poezisë vdekja thjeshtësohet, rrëgjohet, bëhet si “shkulja e një vesi, “si të shohësh në pasqyrë, rishfaqjen e një fytyre të vdekur”, a “si të dëgjosh një buzë të mbyllur”. Pra, sido që të jetë, kjo “zbritje në vorbullën e shurdhët”, siç e përshkruan poeti vdekjen, nuk ka atë dramë, atë tragjizëm, që ka vdekja e njeriut të dashuruar.

Ndërkaq në ditaret e tij, teksa ideja e vetëvrasjes forcohet, pikërisht më 25 mars të po atij viti, poeti shkruan:

 “Askush nuk e vret veten nga dashuria për një grua, por sepse dashuria, çdo dashuri, na zbulon lakuriqësinë, mjerimin, dobësinë dhe asgjënë tonë.”

Dhe se ku qëndron lakuriqësia, mjerimi, dobësia dhe asgjëja poeti e shpjegon qartë në shënimin që ai ka lënë me datën 27 maj:

“Lumturia ime e ’48 – ’49-ës është paguar grosh më grosh. Mbas asaj kënaqësie Olimpike shtrihet pafuqia dhe refuzimi im për t’u përfshirë. Tani, në rrugën time, kam rënë brenda një gremine. E parashikoj pafuqinë time, e ndjej në eshtrat e mia, jam kapur nga përgjegjësia politike që po më shkatërron. Ka vetëm një përgjigje: vetëvrasja.”

Përse vallë? Për çfarë përfshirjeje bëhet fjalë? Këtë poeti e ka shpjeguar kohë më parë, pikërisht në një fletë ditari të shkruar me 15 shkurt 1950, që e fillon me fjalët: “Pavese nuk është një komunist i mirë”… Rrëfime të intrigës gjithkund. Kundërkomplote në hije që mund të jenë pastaj përfolje të atyre që i ke patur më afër zemrës”.

Dhe këtij zhgënjimi nga politika dhe miqtë politikë “më të afërt të zemrës”, madje dhe intrigat e komplotet e komunistëve e futin poetin në një kurth, ku ai sheh si të vetmen rrugëdalje vetëvrasjen.

Është e pamundur që kritikëve profesionistë, po edhe lexuesit e vëmendshëm të veprës së Pavese-s, t’u kenë shpëtuar këto fakte tronditëse të jetës së tij, që paraprinë dhe parapërgatitën vetëvrasjen e poetit.

Por me sa duket askujt nuk i ka interesuar e vërteta tragjike, por miti, krijimi i një legjende sa poetike aq edhe madhështore e heroike, frymëzuese për njerëzit që po jetonin depresionin e thellë të pasluftës, mungesën e shpresës, zhgënjimin dhe frikën për një tjetër asgjësim global në një konflikt bërthamor. Poeti u flijua për dashurinë e humbur.

E priti vdekjen me sytë e të dashurës , ose siç shprehet në poezinë më të lexuar të tij “Do të vijë vdekja dhe do të ketë sytë e tu”. (Sytë e Constance Dowling).

Gjithsesi një vdekje e tillë është frymëzuese dhe shfajësuese njëkohësisht.

E ç’përgjegjësi, mund të kenë vrasësit realë të poetit, nëse ai u vetëvra nga dashuria?! Të gjithë janë të larë: kritikët, miqtë e afërt, bashkëpunëtorët politikë, intrigantët, ziliqarët, smirëzinjtë, vrasësit e fshehtë.

Sikur ta kishte parandjerë gjithë manipulimin që do të bëhej me historinë e tij të mbrame të dashurisë, poeti shënon në ditarin e tij:

“Sidoqoftë, edhe ti je vetëm një pretekst. Dështimi real, veçanërisht i imi, qendron në “trazimin agonizues, me ngërdheshjen e tij të fshehtë.”

Ai është krejtësisht i zhgënjyer, shpirtërisht i mpirë, i neveritur, pa dëshira, pa shpresa, pa ëndrra, nuk gjen asnjë fill ku të kapet, asnjë arsye se përse duhet të jetojë. Ai është më i pashpresë, më i humbur se të gjithë ata që kanë drejtuar jetën e tij në humnerë. Nuk kanë rëndësi emrat.

Në mos ishin këta emra do të ishin të tjerë. Ky është tuneli i errët ku është futur dhe dalja prej këtij tuneli ka çmim të lartë: paguhet me mishin dhe gjakun e tij, me vetë jetën.

Nuk ka dyshim se sytë me të cilët i erdhi vdekja Pavese-s kanë qenë sytë e tij, sy të ftohtë akull, sy të zbrazur nga dëshira për jetë, sy të zhgënjyer, sy të neveritur me gjinden dhe këtë botë, së cilës ai i kishte dhënë gjithçka: poezinë si askush tjetër, dhembjen, shpirtin, dashurinë dhe gjithë ndjenjat e epërme njerëzore.

Në çdo ditë të ekzistencës mbi këtë tokë, Pavese i kishe dhënë dritë jetës nga drita e syve të tij derisa kjo dritë u shterr, u shua.

Me këta sy të verbër, sytë e tij, i erdhi vdekja Paveses dhe jo me sytë e Constance Dowling, jo me sytë e bukur të gruas së dashur. Vdekja nuk mund të vijë kurrë me sy gruaje, me sy dashurie.

Në vdekje shkohet gjithmonë vetëm, me sytë e tu dhe të askujt tjetër.

*Fragment nga “Sytë e vdekjes”, libri “Rrugë pa krye”.

ObserverKult


Lexo edhe:

LAZER STANI KUJTON TAKIMIN ME PETRO MARKON: DUA TË SHKRUAJ NJË ROMAN, MË THA…

Dy ose tre javë nuk e takova më Petron (Marko). Edhe pse dilja pothuajse çdo mbrëmje nga Kafeneja e Gazetarëve.

Nuk e pashë as në bulevard. Aty ku bënte shëtitjen e tij të zakonshme. Mendova i shqetësuar . Mos ishte i sëmurë. E ngushëllova veten. Ndoshta është ulur. Ose po shkruan. Mendova….

Nga Lazer Stani

Kur e pashë një të shtunë në bulevard. Më mbetën sytë te kaçurrelat e thinjur. Dhe të pakrehur. Palltoja që mbante veshur m’u duk më e vjetër se kurrë.

I lodhur, i drobitur. Hapat i hidhte ngadalë. Po trupin e mbante drejt. Nuk shihte as majtas as djathtas. Nuk pata guxim t’i flisja.

M’u duk sikur do t’ia prishja atë udhëtim. Pra udhëtim të vetmuar. Drejt askundit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult