Le ta falim veten miq!

Silvana Kola-Loka

Të falësh veten!
Sot, si çdo ditë, është një ditë e mirë për ta falur veten; për të falur të gjitha vetet.
ASNJË ditë në kalendar nuk duhet shpërdoruar në këtë drejtim. E sotmja është thjesht një ditë më shumë për të dashur zotërimin më të çmuar që kemi: VETEN…

Nga Silvana Kola Loka

E keni menduar ndonjë herë përse ne arrijmë të falim të tjerët por e kemi kaq të vështirë të falim veten? Përse vërtitemi në qerthullin e ndërgjegjes, gjykimit dhe frikës nga humbja e vlerësimit për veten sa herë na kërkohet të falim veten?
E kemi të vështirë sepse që të falësh veten do të thotë si fillim të pranosh se ke gabuar?!
E kemi të vështirë sepse të falësh veten do të thotë si fillim të pranosh se ke lënduar dikë?!
Këto nuk janë të vetmet pyetje që kam lidhur me “Faljen e vetes”. Dhe as nuk guxoj të mendoj se i kam të gjitha përgjigjet.
Por, mendoj se urimi im në këtë prag fundviti është ky:
“Le ta falim veten miq!
Le ta ulim nga supet barrën e rëndë të fajeve që kemi bërë, lëndimeve që kemi shkaktuar, vendimeve të gabuara që kanë rënduar dikë!
Le ta falim veten duke pranuar se duhet të dinim më shumë dhe duhet të bënim më mirë e as nuk ditëm e as nuk bëmë por nga sot e tutje mund të bëjmë diçka për të ditur më shumë e për të bërë më mirë!
Le ta falim veten për gjithçka shkoi e nuk kthehet më! Tek e fundit, le të heqim dorë nga ideja utopike se mund ta bëjmë të shkuarën më të mirë! Nuk e ndryshojmë dot të shkuarën. Le të bëjmë paqe me këtë fakt!
Le ta falim veten miq! Le t’i falim të gjitha vetet që lamë pas në 2023-in!
Ju uroj një vit të ri 2024 të njerëzishëm!”

ObserverKult