(“1001 books you must read before you die”, 2008; botimi i dytë: 2011)
Në librin me titullin “1001 libra që duhet t’i lexoni para se të vdisni”, të përgatitur nga Prof. Dr. Peter Boxall, janë radhitur 1001 libra që “secili duhet t’i lexojë para se të vdesë”. Natyrisht, librat e tillë u ngjajnë pak toplistave, por ajo çka ma tërhoqi vëmendjen është vepra e Ismail Kadaresë. Jo pse “edhe ai” ishte i përfshirë aty, as pse “vetëm ai nga shqiptarët” ishte i përfshirë aty, e as pse “ai përfshihej në dy ndarjet e librit” (si autor i shekullit XX dhe si autor i shekullit XXI), por pse “ai ishte i vetmi autor” që te shekulli XXI (21) përfshihej me dy vepra (të përfshirët e tjerë janë vetëm me nga një).
Nga Ag Apolloni
Te kapitulli “2000”, ku përfshihen veprat nga viti 2000 e këndej, ai radhitet krahas shkrimtarëve të njohur si: Philip Roth, Mario Vargas Llosa, Michel Houellebecq, Orhan Pamuk, Haruki Murakami, Amos Oz, Thomas Pynchon, Don DeLillo, Paul Auster, Ian McEwan, Peter Esterhazy, Javier Marias, Javier Cercas, Zadie Smith, Jonathan Franzen etj. Kjo më ktheu te një konstatim imi i para një dekade, kur shkrova kundër mendimit klishe, se Kadare veprat e mira i kishte shkruar vetëm gjatë diktaturës. Në artikullin e dikurshëm përafërsisht them kështu: edhe pas diktaturës, Kadare vazhdon të jetë autor i mirë, vetëm se tash është bërë më i vështirë.
Pra, po e shihni që ka edhe të tjerë që mendojnë se Kadare shkruan mirë edhe në shekullin e ri.
Editori i këtij libri, Prof. Dr. Peter Boxall është ligjërues i letërsisë angleze në Universitetin e Sussex-it. Ka botuar shumë studime mbi prozën dhe dramën e shekullit XX. Në këtë libër ka bërë prezantimin e dy librave të Kadaresë: “Prilli i thyer” (1980) dhe “Lulet e ftohta të marsit” (2000). Kurse për librin e tretë, “Pasardhësi” ka shkruar Jenny Doubt, e cila ka kryer studimet master në Universitetin e Sussex-it për letërsinë postkoloniale. Ajo është një nga redaktoret e Transgressions, një revistë interdisiplinare e shkencave humane.
Libri “1001 libra që duhet t’i lexoni para se të vdisni” fillon me përrallat arabe “1001 net” (titulli është intertekstual dhe “jep idenë e pafundësisë”, do të thoshte Borges-i). Kapitujt e tij janë: “Pre-1800”, “1800s”, “1900s”, “2000s”.
1. PRILLI I THYER (1980). I vendosur në Shqipëri midis dy Luftërave Botërore, në një komb në prag të modernitetit evropian, Prilli i thyer përqendrohet në historinë e përfshirjes së Gjorg Berishës në një gjakmarrje, sjellja e së cilës rregullohet rreptësisht nga Kanuni, një kod i lashtë nderi që ka dominuar kulturën shqiptare prej brezash. Familja e Gjorgut është përfshirë në një grindje shtatëdhjetë vjeçare me një familje fqinje, Kryeqyqen. Romani fillon kur Gjorgu vret një anëtar të familjes Kryeqyqja, për t’u hakmarrë për vrasjen e mëparshme të vëllait të tij. Kjo vrasje e bën në mënyrë të pashmangshme vetë Gjorgun viktimë të radhës në ciklin vicioz të akuzimit dhe gjakderdhjes.
Kanuni dekreton se ka një periudhë tridhjetë ditore të armëpushimit pasi të ndodhë një vrasje, dhe para se të ndodhë hakmarrja e radhës. Është kjo periudha që mbulon romani, nga momenti kur Gjorgu vret viktimën e tij, në mes të marsit, deri në momentin kur Gjorgu do t’i dorëzohet drejtësisë mizore të Kanunit, në mes të prillit. Gjatë kësaj periudhe, Gjorgu nuk është as i gjallë, as i vdekur, por i pezulluar në kohë boshe.
E shkruar me një thjeshtësi dhe elegancë të jashtëzakonshme, kjo është një përrallë shokuese dhe e përhumbur. Hapësirës midis jetës dhe vdekjes ku shtrihet romani i jepet një artikulim ëndërrimtar që është i mbushur me frymën e Homerit, Dantes dhe Kafkës. Kadare ka një origjinalitet mahnitës, kur shpik një gjuhë të re “antike” në të cilën shprehen kontradiktat e jetës bashkëkohore në Evropën Lindore. (Peter Boxall)
2. LULET E FTOHTA TË MARSIT (2000). Lulet e ftohta të marsit është vendosur në Shqipërinë bashkëkohore dhe tregon historinë e Mark Gurabardhit, një artisti i cili po lufton për të jetuar dhe punuar pas rënies së regjimit komunist të vendit të tij. Romani i Ismail Kadaresë është i strukturuar me kujdes midis të kundërtave të ekuilibruara – midis lëvizjes dhe pauzës, midis gjumit dhe zgjimit. Kudo në roman ka shenja të rilindjes, dhe kudo këto shenja janë të balancuara kundër shenjave të vdekjes talismanike, të përforcuara më fuqishëm në “librin e gjakut”, ose në Kanunin që ka rregulluar vrasjet rituale në Shqipëri që nga kohërat mesjetare.
Këto kundërshtime krijojnë një efekt jashtëzakonisht shqetësues. Përbërës nga Evropa bashkëkohore ulen krah për krah me historinë dhe ritualet që rrjedhin nga thellësia në kujtesën kulturore shqiptare. Këto kundërshtime sugjerojnë një bllokim, një ngërç mes një historie mitike të falimentuar dhe një të tashme po aq të falimentuar. Marku nuk mund të ndihet si në shtëpinë e tij, as në të kaluarën shqiptare, as në të tashmen e dominuar nga kapitali global. Romani përshkruan gjallërisht këtë ngërç të tmerrshëm. Por në lëvizjen e heshtur poetike të prozës së Kadaresë, ne mund të hedhim një vështrim në një sërë mundësish të reja: një art të ri dhe një Shqipëri të re, për të cilën nuk ka ende një gjuhë. (Peter Boxall)
3. PASARDHËSI (2003). Ngjarjet e këtij romani të shkruar nga Ismail Kadare, fitues i çmimit Man Booker International në 2005, janë vendosur në Tiranë, kryeqytet i Shqipërisë, dhe bazohen në vdekjen e Mehmet Shehut, “pasardhësit” të “udhëheqësit”, diktatorit komunist Enver Hoxha, i cili sundoi Shqipërinë për pesëdhjetë vjet dhe më 1981 ishte gati ta dorëzonte pushtetin e tij. Pas arrestimit të familjes së Pasardhësit, mbetet e paqartë nëse ai është vrarë apo ka kryer vetëvrasje. Misteri i vdekjes së tij shoqërohet për shumicën e shqiptarëve me një frikë të gjatë të hetimit. Është kjo frikë që proza e qartë, e saktë dhe josentimentale e Kadaresë komunikon, duke përforcuar tensionin e sjellë nga vrasja e pazgjidhur. Tensioni dhe frika prodhojnë paranojën që shkatërron personazhet e tij shqiptarë: Suzanën, vajzën e Pasardhësit, e cila është traumatizuar nga prishja e fejesës së saj me Gencin; patologun, që shqetësohet se në kryerjen e autopsisë së Pasardhësit, mund ta zbulojë shkakun e vdekjes së tij; arkitektin, që ndërton shtëpinë e madhe të Pasardhësit – më të madhe se ajo e Udhërrëfyesit. (Jenny Doubt)
Nëse ju duken shumë 1001 libra, atëherë lexoni së paku këta tre “para se të vdisni”, se i gjeni shqip dhe kudo.
(Merreni vetëm si nxitje për lexim, jo si “fjalë të fundit” të kritikës, se, për shembull, unë mendoj se “Kronikë në gur” dhe “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” janë më të mirat e Kadaresë, ju mund të mendoni për “Pallatin e Ëndrrave” etj. Dhe janë edhe 1001 libra të tjerë po aq të bukur e që s’janë përfshirë këtu).
ObserverKult