Ledi Shamku Shkreli: Mua shkolla më ka nisë gjithnjë më 1 shtator!

Ledi Shamku Shkreli

Nga Ledi Shamku Shkreli

Për një besëlidhje të re me veten!

Mua shkolla më ka nisë gjithnjë më 1 shtator. Dhe çdo vit kam pyetur veten dhe gjyshat: Ore, pse viti i ri nis me 1 janar? Për mua asgjë nuk ndërronte me 1 Janar, përveç vitit në detyrat e shtëpisë, të cilin për inerci vijoja ta ngatërroja deri aty nga fillimi i Shkurtit. Për mua mbrëmja e fundit e vitit të vjetër ishte një mbrëmje si kjo e sotmja, e fundit para agut të një viti të ri shkollor.

Shpejt e kuptova se ky kalendar i ndryshëm që kisha unë në kokë në dallim nga të mëdhenjtë, ishte prova që unë ende po rritesha, dhe se shkolla më mbante ende të ndryshme nga të rriturit, nga ata që i kishin mbyllur punët me shkollën. Dhe meqenëse të rriturit nuk më pëlqenin (edhe sot nuk më pëlqejnë) vendosa t‘i mbahem gjithnjë këtij kalendari djemsh e vajzash që rriten.

Le ta nderojmë sonte vitin që po ikën e të presim agun e vitit të ri, ku çdo gjë bëhet e re: libra të reja, fletore të reja, zysha të reja, dëshira të reja, dikush edhe shokë të rinj, premtime të reja vetes. Vetes ama, jo të tjerëve e as prindërve.

Vetes, se me veten ke mundësi ta fillosh në çdo kohë nga e para. Veten ke mundësi ta përtërish kur të doni ti dhe vetja.

Mos bëj pra asgjë të vjetëruar në këtë ag të ri!

Nëse ke mësuar për të tjerët e jo për dëshirat e tua, mos e bëj më! Nise nga e para, mëso që të gëzohesh vetë. Jo që të gëzosh të rriturit.

Nëse ke gënjyer për t’u shpëtuar të rriturve, mos e bëj më! Thuaj fjalën tënde që të çlirosh veten, jo që të qetësosh të rriturit!

Nëse ke imituar në talente apo mësime vëllanë apo motrën e madhe, apo shokët që ka lëvduar pa pushim zysha, mos e bëj më! Ujit vetveten dhe duaje e çmoje! Vetja ka me t’dashtë e ka me të dhuru talente e dhunti plot!

Nëse ke dashur të kesh shok a shoqe atë që të kanë thënë të rriturit, mos e bëj më! Lere zemrën tënde ta gjejë gjuhën me mendjen tënde e të dyja së bashku ta gjejnë miqësinë e zemrës e shoqninë e mendjes.

Nëse ke ndjekur deri më sot pa mendje modelet që sheh në TV apo në celular, mos e bëj më pa mendje! Quaje veten tënde një model! Duaj daltat e tua! Vetëm dora jote mund të të japë Bukurinë që të kandet! Vetëm jotja!

Nëse lodhshëm nga viti që kaloi ke pyetur veten përse të duhet shkolla, dhe të rriturit të kanë treguar ”mirëqenie e rehati” apo “që të zesh punë jashtë”, hidhe në zjarr atë përgjigje. Shkolla të duhet që të mos e humbasësh kurrë fëminë që ke në shpirt. Dhe a e din përse të duhet ai fëmijë? Se vetëm fëmija brenda vetes do të të prijë në luftërat që do bësh. Dhe unë të uroj me shpirt që të hysh kokëekëmbë në luftëra gjithë jetës tënde.

Nise pra nesër Agun e Ri me një Besëlidhje të Re me veten! Me veten dhe me Shkollën. Shkollohu që të mbetesh Fëmijë!

Ky vend i bukur të don të tillë: Fëmijë! Se këtë vend të bukur që e ke Atdhe e tjetër Atdhe nuk ke, po duan të ta shëmtojnë të rriturit!

Shkollohu, pra ji përjetë Fëmija i Dheut tënd!

ObserverKult

Lexo edhe:

KA HUMBUR RESPEKTI PËR MËSUESIN!