Ledi Shamku: “Skënder Gjinushi kërkoi të më përjashtojnë nga konferenca”, vjen reagimi nga Akademia e Shkencave…

Pak ditë më parë studiuesja Ledi Shamku ka hedhur akuza për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kryesinë e saj se është ndërhyrë për përjashtimin e saj si pjesëmarrëse në konferencën “Shqipja standarde sot” që u mbajt në Prishtinë nga dy Akademitë.

Këshilli organizativ i konferencës “Shqipja standarde sot” ka reaguar ndërkohë me një deklaratë, duke e quajtur shpifje pretendimin e studiueses Ledi Shamku për ndërhyrje nga Akademia e Shqipërisë për përjashtimin e saj nga kjo konferencë.

Përgënjeshtrimi në faqen zyrtare të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si më poshtë:

“Nëpër rrjete sociale kemi vërejtur, me shqetësim, diskutime që aludonin për tendenca përjashtimi të ndonjë studiuesi nga Konferenca shkencore ‘Shqipja standarde sot’, mbajtur më 17 nëntor në Prishtinë, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në shënim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

Si Këshill Organizativ njoftojmë opinionin se, ndërsa, si gjithmonë, ka pasur rrahje mendimesh brenda Këshillit Organizues për parimet e përgjithshme të kritereve të pranimit të kandidatëve, që do të paraqiteshin me punime në konferencë, nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje nga Akademia e Kosovës apo nga Akademia e Shqipërisë në punën e Këshillit. Pra, nuk ka pasur shkresë ndërhyrëse drejtuar organizatorëve, siç pretendohet.

Si Këshill Organizativ kemi punuar shumë për mbarëvajtjen e konferencës dhe kujtojmë se kemi arritur të organizojmë një konferencë shumë të suksesshme, me rezultate të rëndësishme për shqipen standarde sot.

Prandaj, konsiderojmë se është për keqardhje që një tubim i tillë të vihet në hije të një diskutimi të këtillë të parëndësishëm, ta pandershëm dhe, për më tepër, të mbështetur në pohime të pavërteta”, thuhet në reagim.

Ledi Shamku prej disa kohësh ka vënë në qendër të sulmeve të saj kreun e Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, ndërkohë që ky i fundit e ka injoruar./(gazetatema)


Lexo edhe:

VAZHDON POLEMIKA/ LEDI SHAMKU KREUT TË AKADEMISË SË SHKENCAVE: SI ENVER HOXHA, EDHE T’I KËRKOVE TË MË PËRJASHTONIN…