Legjenda e bletës dhe një përsiatje për “thumbin” e njeriut

Silvana Kola-Loka


Nga Silvana Kola-Loka

Sipas mitologjisë greke Nëna Mbretëreshë, fluturoi një ditë nga mali Himetus drejt Olimpit për t’i paraqitur Jupiterit dhuratën e saj të vyer: mjaltin e saponxjerrë nga hojet.
Jupiteri, plotësisht i mrekulluar nga shija e mjaltit, i premtoi Nënës Mbretëreshë se, në këmbim, do t’i jepte çfarë të dëshironte.
Ajo e dinte çfarë dëshironte: “Dua një thumb me të cilin të thumboj për vdekje cilindo të vdekshëm që do të dojë t’i afrohet mjaltit tim!”.
Legjenda thotë se Jupiteri i donte shumë njerëzit por, duke qenë se nuk mund ta merrte mbrapsht premtimin që i bëri Nënës Mbretëreshë, i tha:
“Dakord! Do të ta jap një thumb vdekjeprurës, por ai do të vijë me çmimin e jetës tënde. Kur të thumbosh një njeri, thumbi do të mbesë në trupin e tij dhe do t’i shkaktojë dhimbje të tmerrshme, por ti do të vdesësh nga humbja e thumbit tënd!

***

Këtë thotë legjenda. Dhe unë rri e mendoj nëse do të dëshiroja që këtë “dhuratë” Jupiteri t’ia kishte dhënë Njeriut.
Ndoshta jo një thumb si i bletës sepse, së pari e kam ca të vështirë ta mendoj vendndodhjen e thumbit në gjeografinë e turpit tonë dhe, së dyti, sepse tek e fundit ne nuk bëjmë mjaltë.

E megjithatë mendojeni pak.
A nuk kemi edhe ne gjëra të vyera që i mbajmë brenda vetes? A nuk janë një trajtë mjalti dijet që fitojmë gjatë jetës, dashuritë për njerëzit e shtrenjtë, kujtimet e kohërave të shkuara, muzika që pëlqejmë, poezia që e ndjemë dhe nuk e shkruam asnjëherë, frikërat tona të vogla dhe të mëdha e shumë të tjera?

Ju do të pyesni ndoshta “E kush do të donte të rrezikonte jetën për të na marrë neve një poezi të pashkruar që endet brenda shpirtit tonë?”.
Mbase keni të drejtë. Mbase askush nuk do të donte ndonjë herë të na merrte atë bukuri të papërsëritshme njerëzore që fshihet brenda secilit prej nesh.

Por mua nuk më trazon ky mendim.
(Në fakt, unë gjithnjë kam menduar se njerëzit kanë një prirje të çuditshme për të dashur atë që është e tjetrit.)

Ajo që mendoj është se, nëse dikush do të donte të vinte të më “rrëmbente” njerëzoren brenda meje, dyshoj se do kisha dashur ta thumboja. Dhe jo sepse më dhimbset jeta që do ta humbisja pas thumbimit. Përkundrazi, pikërisht sepse do të kisha besimin e plotë se, për aq kohë sa do të isha e gjallë, unë do të mund ta ‘rikrijoja gjithçka njerëzore” nga fillimi.

Ndoshta bletët nuk janë në të vërtetë krijesa kaq superiore.
Ose, ndoshta, grekët nuk e kanë menduar aq gjatë këtë punën e paralelizmit tim të bletës me njeriun.

Por, diçka e di me siguri. Pavarësisht gjithçkaje që bëjnë të tjerët për të na lënduar e për të na rrëmbyer paqen tonë të brendshme, është në dorën tonë të zgjedhim të mos e “thumbojmë” tjetrin me sa kemi forcë. Nëse e godasim ka shumë të ngjarë ta lëndojmë por kjo do të vijë gjithmonë me rrezikun e humbjes së vetes…

ObserverKult

përputhen
Silvana Kola-Loka

Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: KËTO JANË KOHË TË VËSHTIRA PËR DASHURINË!