Legjenda e famshme “Kostandini dhe Jurendina” është padyshim më e bukura dhe më tronditësja në trashëgiminë tonë gojore.
Për herë të parë dëshmohet si studim etnologjik me materiale burimore qysh me Dorëshkrimin e Famshëm Arbëresh të Kieutit, (1737) vepër e shkrimtarit të njohur arbëresh Nikollë Filja (1671-1769), lindur nga një familje historike arbëreshe, shpërngulur në Italinë e Jugut pas pushtimit osman te Shqipërisë në shekullin XV, me origjinë nga Filati i Çamërisë. Filja renditet midis folkloristëve të parë arbëreshë.
Në kapitullin III, të këtij dorëshkrimi, nën titullin “Kënkezë të pleqrijsë”, jepen 18 këngë popullore, balada, këngë historike dhe lirike popullore, të cilat i përkasin folklorit të arbëreshëve të Sicilisë.
Legjendën e famshme e gjen në dhjetëra variante në tërë hapësirën shqiptare, veri e jug, por asnjë prej tyre nuk ka bukurinë e variantit arbëresh. Më vonë ajo mori përkushtimin e zjarrtë të poetit më të madh lirik shqiptar, De Radës dhe sa e sa poetëve e studiuesve të tjerë arbëresh të Italisë.
Vetëm tek ky version gjejmë për herë të parë emrat real (dhe jo artistikë) të baladës, vendin ku u martua motra e Kostandinit dhe ngjyrime të tjera thellësisht arbërore. Heronjtë e saj janë Kostandini dhe Jurendina, një emër, që më së shumti, nga banorët e vjetër shqiptohej edhe me rënien e ‘”J” së pazëshme, duke mbetur thjesht Urendina ose Urëndina.
Shembull: “Urëndina, motra ima, ç’ësht ki sinjall (ki shëngj) që m’shek? I vreni ka xerku: “Veshzit tënd jan t’pluhuruara” … rrëfiar nga nglezot Matallena Brunetti (101 vjet)
Me këta emra këngën e gjejmë të kënduar në traditë dhe me stofin modern të sotshëm fare lehtë duke klikuar në YouTube me linkun:
Për herë të parë këtu gjendet i përcaktuar qartë edhe vendi i martesës së Jurendinës, në Veneti, (Venedik-u,) me gjasë, ende të banuara nga fise iliro- arbërore./Redaktori.net/Përgatiti Petrit Ruka/
ObserverKult
———————–