Legjenda e Liqenit të Plavës: Krejt çka â kanë qytet e ka lshue toka…


Plava â’ kanë sheher aty kah âsht sot Ikêni.
Ish kanë shkue ni musafirë tu njani, nifarë si fukarê, jabanxhi.
Shkon e i thotë t’zotit t’shpisë:
-A po m’len sonte mrêna?
-Hajde byrëm!- edhe e shtjen mrêna.

Ati konakxhisë iu paska pasë mushë mênja qi ka dishka pare ai musafiri. Me e mytë mrêna e me ja marrë, s’mujti. Ai musafiri edhe, at çantën qi e kish, e shtini nër krye.
Natjet shka bani i zoti i shpisë? E paska pa’ mytë ni pulë edhe ja paska pa’ qitë n’dueq. Shka me ba tash? U çue natjet musafiri edhe, kur ish kanë dalë, e kish pa’ harrue çantën n’dyrek. I zoti i shpisë iu lkê mrapa. Musafiri muer për me dalë n’bjeshkë n’Lak t’Babíns. Ky edhe konakxhia iu Ikê mprapa. Kur shkoi tu ni kërsh, ai ish kanë ungjë me pushue. Nejse, shkon e i thotë:

-A ke mujtë, burrë?
-Po kadale.
-Qysh ti, ham me t’lanë mrêna, ham me m’vjedhë?
-Hasha,-thotë-nuk t’kam vjedhë. M’ke lanë mrêna. Zoti t’dhashtë bereqet! Vallahi, s’tkam vjedhë.

-Vallahi, po, du me t’hallakatë.
Kur ja zgidhi dueqt, duel pula.

-Qyre pulën ku ma ke mytë, -i tha. –Edhe ja muer at mall; e plaçkiti.
Ai musafiri ungjet n’nguri edhe tha:
-Hej jarebi, shka kâki ju ky vên, jarebi u lshoftë toka e u baftë ujë!

Atina iu ba duaja kabull edhe ja nisi e e lshoi toka sa, kur shkoi ky qi e plaçkiti e ja muer at mall, e gjet ujë lkênin, se u bâ lkê ai vên.
Ata kajkaxhitë thojshin ktyneherë qi, kah trupojnë me kajka asajde, e shohin nifarë druni n’ujë. Krejt shka â kanë sheher, toka e ka lshue krejt, përjashta qaj dru, qaj dyrekë, thonë, âsht metë hala.
Ai musafiri ish kanë njeri i mrrinë, i mirë.

(Nivokaz, Reka e Keqe)

*Shkëputur nga libri i Anton Çettës: “Nga folklori ynë”

Përgatiti: ObserverKult

—————————

Lexo edhe:

PREJ 6-8 SHKURT, JU MIRËPRESIM NË FESTIVALIN POETIK TË PRISHTINËS!