Legjenda e rrallë dhe tradita e Ditës së Verës

Foto ilustrim

Sipas legjendës, Zana dilte nga faltorja, vetëm ditën e 14 marsit, që përkonte me nisjen e stinës së bukur…

Nga Albert Z. Zholi

Sa herë që përmendim festën e Ditës së Verës, instiktivit mendojmë për qytetin e Elbasanit. Elbasani është qyteti ku festa ndjehet dhe përjetohet më së shumti. 

Zanafilla e lidhjes së festës me këtë qytet është faltorja e Zanës së Çermenikës, e cila gjendet në një ndër fshatrat e Elbasanit. Sipas legjendës, Zana dilte nga faltorja, vetëm ditën e 14 marsit, që përkonte me nisjen e verës dhe që prej asaj kohë është kthyer në një festë që identifikon qytetin. Janë të shumtë ata që shkojnë në këtë qytet çdo 14 mars për ta ndjerë festën e Ditës së Verës edhe më shumë, gjithashtu për të provuar gatimet karakteristike, si ballokumja, revania dhe gjelin e detit me arra.

Historia ndryshe

Historia e Ditës së Verës, festës më tradicionale në Shqipëri dhe kryesisht në qytetin e Elbasanit, lidhet me kalendarin Julian, që zbatohej në kohën e lashtë në të gjithë Europën Perëndimore. Sipas kalendarit marsi ishte muaji i parë i vitit, i cili fillonte i gëzuar dhe i begatë. Por, sipas kalendarit Gregorian që përdorim edhe në ditët e sotme, 14 marsi përcaktonte ditën e fillimit të stinës së pranverës, ku njerëzit mezi prisnin të dilnin nga dimri i gjatë dhe të shikonin natyrën tek gjelbëronte. Kjo festë pagane ka ritualin e saj të cilët shqiptarët, por jo vetëm, e kanë trashëguar brez pas brezi. Në antikitet festa i dedikohej perëndisë Diane, ndërsa sot praktikohet për një verë të mbarë.

Sipas studiuese dita e verës është e ndarë në katër faza. 

Faza e parë është përgatitore, ku të gjithë njerëzit përgatisin të gjitha ushqimet dhe zbukurimet për shtëpinë e tyre dhe për të pritur vizitorët. Faza e dytë është nata e Verës, ku tradita thotë se nëpër shtëpi ose komunitete të vogla duhet të ndizet një zjarr i madh, e më pas konsumohet darka me ushqimet e rezervuara nga dimri, si zahire të ndryshme ose mishi i thatë. Ndërsa faza e tretë është zgjimi në orët e para të mëngjesit, për të larë sytë me ujin e vezëve të ziera një ditë më parë, ndërsa pritja e njerëzve tregon bujari në këtë ditë. Faza e katërt është përgatitja për piknikun e gjatë së bashku me familjarët. Edhe, pse nëse në vende të tjera të rajonit nuk festohet aq shumë, në vendin tonë është aq tradicionale sa festat fetare. Që prej lashtësisë kjo festë është cilësuar si harmonia e të gjithë shqiptarëve sepse bashkohen për të festuat të gjithë, pa dallim krahine, feje dhe bindje politike.

Tre nga simbolet më kryesore të kësaj dite janë:

Ballokumet
Kjo ëmbëlsire është një tjetër mjet identifikues për qytetin e Elbasanit. Nëse shkon në këtë qytet, për festën e Ditës së Verës apo jo nuk mund të kalosh pa marrë një ballokume Elbasani. Në të gjithë Shqipërinë bëhet kjo ëmbëlsirë, por receta e saktë qëndron vetëm në këtë qytet.

Verorja 
Ky simbol i ditës së Verës prej lashtësisë është byzylyk i përgatitur nga fije peri të kuqe dhe të bardhë, i cili vendoset në dorë ose në portat e shtëpisë, në mënyrë që dallëndyshet t’i marrin dhe njerëzit e shtëpisë të kenë fat.

Lulet e ndryshme që përcaktojnë ardhjen e verës
Elbasanasit dhe shqiptarët, gjatë ditës së verës respektojnë natyrën dhe luten për një verë të shëndetshme dhe të mbarë. Lulet më karakteristike të qytetit të Elbasanit, por dhe një tjetër simbol i festës janë lulja e jaseminit, karafilit, trëndafilit, zymbylit, karakaftet etj. Të gjitha shtëpitë duhet të kenë mbjell një nga këto lule për t’i dhuruar gjatë ditës së verës të afërmve.

14 veçoritë e ditës së verës

1. Origjina e Ditës së Verës vjen nga lashtësia. Ajo është festë arbëreshe e trashëguar në veçanti nga qytetarët e VALM‐it Elbasanit (Skampa e lashtësisë) dhe festohet gjithmonë më 14 Mars.
 2. Dita e Verës, e njohur si festa e ripërtëritjes së natyrës dhe e vazhdimësisë së jetës, është sot festë kombëtare dhe festohet kombëtarisht si e tillë.

 3. Mëngjesi i 14 marsit – Të gjithë zgjohen me të njëjtën lutje: Inshalláh është kohë e mirë! Rituali vijonte me përgatitjen nga i zoti i shtëpisë të pjatave për të bërë kamë (këmbë) te të afërmit etj. Këtu hynin pilafi me gjel, ballakume ose revani, vezë të ziera, arra, palë dhe 2-3 bisqe me lule, zakonisht lule misiri, që në Elbasan çelin herët.

 4. Kulti i kësaj dite të shenjtë “tempullin” e vet e ka pasur qëmoti në trevat e Elbasanit, pasi në këto anë ndodhej faltorja e Zanës së Çermenikës (Diana Candaviensis). Në kohët e lashta perëndesha Diana mbahej si hyjnesha e gjuetisë, pyjeve dhe e gjithë natyrës. Ajo adhurohej jo veç në hapësirat ilire, por në mbarë brigjet mesdhetare. Statuja të saj janë gjetur jo veç në Apolloni, por dhe në brigjet e Afrikës Veriore e në Azi të Vogël.

 5. Fakti që një festë mistike e natyrës, u ruajt në qytetin e Elbasanit dhe u përcoll “e pastër” deri më sot, pavarësisht tallazeve historike, ideologjike e fetare, përbën një krenari dhe pasuri gjithëkombëtare.

 6. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa në Lezhë Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse.

7. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 Mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan, po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.

8. Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 Mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, 14 Mars).

 9. Populli iranian (themeluesit e kësaj feste) e festojnë më 21 mars, sepse pikërisht në këtë datë fillon stina e parë e pranverës, pikërisht në këtë datë fillon shenja e parë astrologjike, Dashi, që është shenje zjarri, prandaj simbol i kësaj feste është zjarri. 10. Edhe pse kjo festë ndodh në pranverë, në kohët e lashta njiheshin vetëm dy stinë: Vera e cila niste në mars dhe mbaronte në shtator dhe dimri që niste nga shtatori në shkurt. Pra, nga ana shkencore kjo festë duhet të festohet me datën 21 mars, sepse në atë kohë dita dhe nata janë barazim.

11. Shumë vite më parë, në Elbasan festa kishte përmasa të mëdha. Një muaj më parë, por dhe më herët, sigurohej gjeli i detit, i cili së bashku me ballakumen dhe revaninë përbëjnë nishanet më përfaqësuese të festës. Gjeli i detit ka qenë tradicionalisht pjesë e Ditës së Verës. Gjeli ushqehej me shuka që të ishte i madh, i majmë, me pendë të shkëlqyeshme dhe “i fortë”.

 12. Pas kësaj date hynte mbretëria e Diellit (zotit të lashte pagan), dita fillonte të zgjatej dhe Dielli dukej përherë e më shumë.

 13. Shumë kohë me përpara kjo festë festohej edhe më 1 mars, sepse marsi ishte muaji i parë. Sot ne te gjithë përdorim kalendarin gregorian, i vendosur nga papa Gregori, ky është kalendar i bazuar te Dielli.

 14. Mëngjesin e Ditës së Verës kryhej dhe një rit tjetër disi i pazakontë. Djem të vegjël dilnin herët në mëngjes dhe i binin çekiçit të derës (familjeve jo farefis). Në qoftë se nga brenda dëgjohej thirrja: – Kush asht? – atëherë djali niste vargjet:  Marrsh morrat e pleshtat Gjumin e sabahut Ethet e verës Me çekiça derës Simbolika e këtij riti ishte që i huaji të largonte të ligat nga dera e tij, për t’ia lënë derës tjetër. 

Ballokumja e rrallë

Ballokumja është një nga ëmbëlsirat autentike shqiptare, traditë e qytetit të Elbasanit dhe simbol i Ditës së Verës gjithashtu. Pavarësisht se tradita e përgatitjes së saj është me rastin e Ditës së Verës ajo përgatitet edhe si ëmbëlsirë në çdo rast e kohë. Kjo recetë kërkon durim dhe kujdes duke nisur nga përzgjedhja e përbërësve dhe deri tek përpunimi i tyre, e mandej procesi i fundit i pjekjes. Receta autentike e përgatitjes së ballokumes, të cilën AgroËeb.org e sjell më poshtë, ka disa elementë specifikë të cilët bëjnë diferencën në shijen perfekte të saj.

Një nga përbërësit unik të ballokumes është finja. Ajo përgatitet nga hiri i zjarrit, e madje nënat e gjyshet e vjetra elbasanase kujdesen që të marrin hi nga zjarri me dru ahu. Finja i jep ballokumes shkriftësinë tipike.

Ndezja e zjarrit

Ndërsa në disa zona të Shqipërisë ndizen edhe zjarre në natyrë. këto zjarre më pas kapërcehen me idenë e çlirimit nga meraket dhe trishtimi i dimrit.

Degët e pemëve

Në disa krahina, fëmijët e vegjël mbledhin degë pemësh, kryesisht dafinash, dhe shkojnë derë më derë duke bërë “ciu, ciu” për t’i uruar fqinjët apo të afërmit një stinë të mbarë. Ata gostiten me ëmbëlsira dhe dhurata të vogla. Familjet i kushtojnë rëndësi personit të parë që hyn në shtëpi dhe nëse është një djalë i ri, thonë se sjell mbarësi.

 Kulaçi me lek

Gjatë drekës së 14 Marsit, ndahet edhe kulaçi mes pjesëtarëve të familjes për të parë se kujt do t’i qëllojë leku që është vendosur brenda tij. Leku simbolizon mirëqenie dhe mbarësi.

Kopshtaret e luleve dhe këngët e traditës

Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet dhe këngët. Prej kohësh elbasanaset njihen si kopshtare me nam dhe këngëtare të shpirtit. Lulet me karakteristike ne Elbasan janë jasemini, karafili, trëndafili, zymbyli, karakaftet etj. Kultivuesit kujdesen për lulet ne mënyre qe ato te shpërthejnë Ditën e Verës. Vitet e fundit ansambli i luleve është pasuruar me trëndafila dhe karafila te ardhur nga disa vende te botes, nga Egjipti deri ne Holandë. Gjate natës dhe Ditën e Verës këndohen me pasion te veçantë këngët e mjeshtrit te muzikës popullore qytetare Isuf Myzyrit. Kënge te tilla si ; “Një lulishte me trëndafila”, “C’u deshiruesh me te pa”, “Ma mire n’pyll se sa n’qytet, “Si bilbili ne pranvere” etj., këndohen jo vetëm nga elbasanasit, por ne mbare trojet shqiptare.

Koha dhe ritet sot, çfarë ka ndryshuar

Nga viti ne vit, festa pasurohet me gjerat qe\ë burojnë nga shpirti i vetë njerëzve. Me 14 mars, Elbasani kthehet ne epiqendrën e pelegrinazhit. Ai atë ditë është kryqyteti I Shqipërisë. Festa ka një ndikim te çuditshëm tek te gjithë. Jo vetëm shtëpitë, por i gjithë qyteti vishet me dekor shumëngjyrësh, ashtu si lulet e pranverës. Ne vigjilje te festes, ndërmarrja e dekorit zbukuron rrugët dhe sheshet kryesore te qyteti.

LEXO EDHE: LEGJENDA E GURIT TË PËRMETIT, DIESTRA MORI NË DORË DJEPIN ME DJALIN DHE U HODH NGA MAJA E SHKËMBIT…