Popullore: Si u ba çika arushë pasi s’mund ta duronte zullumin e njerkës?

arushë

Si u ba çika arushë?

(Polanc, Drenicë)

Ish kanë ni burrë e e kish pasë ni çikë. Grueja i kish pasë dekë e ky burri ish kanë pas martue për s’dyti.
Çika u rrit. Njerka ish kanë shum e keqe. Gjithmonë i bâjke zollum çikës.
Sa ke çika e vogël, njerka e rrihke, s’i jepke  me hangër mirë, e munojke me punë.
Kur u rrit çika, gjithcillën punë, ku ishin ma t’ranat, ja lejke asaj.
Çika punojke sa mujke e kaniherë kajke e menojke me vedi:
“Qysh muj me rrnue une kshtu me kit farë zollumi?”
Dit pej ditsh ish havaja e shtirë e t’ftoftë i madh.
Njerka ja dha ni bashkë lesh t’zi postërkës e i tha:
-Merre kët lesh e shko te filan kroni e laje teri sa ta bâjsh t’bardhë.
Pa e ba kët lesh t’bardhë e me ma pru, vên n’shpi s’kie.
Çika u mërzit fort. Shkoi te kroni e pe lán leshin. Leshi i zi, i bardhë nuk u bâjke.

U lodh çika me shpyrt. Ja nisi e po kán. Po thotë:
-T’kishna m’u ba ni gjê e egër qi me mujtë me ja kthye kët zollum t’madh qi po ma ban njerka mue.
–Edhe atypëraty u ba arushë.

Njerka, prit se po vjen çika, e çika s’ka me ardhë. Priti sa priti, dikur u nis vetë tu kroni me e rrehë çikën që ish vonue  aq shum edhe me kqyrë a e kish la leshin e a e kish ba t’bardhë.
Kur nisi me iu afrue njerka kronit, çika u palue e u msheh mas ni stomi teri sa u afrue krejt ngat njerka.
Kur iu afrue ngat kronit e e pa leshin e zi, bani hyxhym njerka me e gjetë çikën edhe me e rrehë.
Çika, qi ish ba arushë, u çue at’herë prej mas stomit ku ish palue e iu gjuejtë njerkës edhe e myti.
Pej at’herit çika met arushë e krejt populli muer ibret prej zollumit qi i kish ba njerka çikës.

*Shkëputur nga libri i Anton Çettës: “Nga folklori ynë I”

Përgatiti: ObserverKult

LEXO EDHE: Legjenda popullore: Çika që e ruejti të dekunin 12 vjet