Legjendë popullore: Çka e gjeti shtëpinë që u ndërtua me Gurët e Mujës?

(Tërstenik, Drenicë)

N’katunin Morinë… janë Gurët e Mujës, qysh i thrrasin krejt Drenica. N’midis katunit Morinë, âsht ni ledinë.

N’at ledinë janë ata tre gurë. N’fun t’asaj ledine âsht udha qi e lidh Sërbicën me Makërmal, Polluzhë, Obrijë e tjera katune.

N’anën e verit àsht ni farë uji qi rrjedh pej Bjeshkës ‘Deviçit, derdhet n’lumin e Drenicës e shkon n’Sitnicë. Aty janë tre gurë: njâ âsht rrâjë udhe; thonë qi âsht guri i Talës pej Budini. Mi tâ, afër dhetë metra, âsht qetri-thonë qi âsht guri i Halilit, vllajit ‘Mujës, Sokole Halil agës.

Apet nja dhetë pesëmdhetë metra ma nalt, ma i madhi; thonë âsht guri i Mujës, Mujë bylykbashit.


N’at kohën e vet të tre janë kanë tuj nejtë n’Bjeshkën e Çiçavicës.
Ty ba llaf, sukurse vllazni e t’afërm nërmje’ veti, kanë thanë: ,,Hajde qesim gurapeshk”, sukur qi qesim edhe na sod. ? Hajde,-kanë thanë –cili p’e qesim ma larg gurin”.

Se n’at kohë s’ka pas knej pari katune kërkun, as shpija kërkun. Âsht kanë krejt shkret. Tnohet qi prej Bjeshkës ‘Çiçavicës,  n’katunin Morinë janë qitë ata gurë gurapeshk.


Guri i Mujës i ka afër pesë kubik. Guri i Halilit afër tre kubik. Guri i Talës â’ pak mâ i vogël, dy kubik. Ma larg e ka gjuejtë gurin Muja, masanej Halili e ma afër Talja.
Katunet asajde thonë se â’ diqysh si e mallkuene qi, ai qi i prek ata gurë, a me i thye a me u ba dishka, âsht shum shtirë për tâ.


Asht edhe ni shêmëll qi e kallxojnë. Guri i Mujës gjinet tash gati n’gardh t’ni are. Tuj u shtye ara poshtë pej ledine, u munue i zoti i arës me e thye Gurin e Mujës.

Edhe ja ka hjekë afër dy kubik ati guri edhe e ka marue shpinë. Edhe sod, me i vetë katunarët, thonë qi ajo shpi âsht farue me rob, me robi, me krejt çka ka pasë.

*Shkëputur nga libri i Anton Çettës: “Nga folklori ynë”

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

ANTON ÇETTA: DO TË VIJ PRAPË, POR PËR NJË PUNË TJETËR, EDHE MA TË MADHE SE KJO

Nga: Blerim Latifi

Në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, një pjesë të madhe të kohës së tij, Anton Çetta, e kishte kaluar nëpër fshatra të Drenicës.

Ai ishte etnograf dhe kishte marrë përsipër projektin e mbledhjes së tregimeve popullore në gjithë Kosovën, para se tregimtarët e fundit të tyre të vdisnin.

Rezultatet e punës së tij etnografike në Drenicë u publikuan në tri vëllime me titullin “Prozë popullore nga Drenica”.

Për tre muaj Anton Çetta kishte qëndruar edhe në Prekaz, përkatësisht në konakun e Hazir Lutit, i cili dallohej nga pleqtë e tjerë të fshatit me faktin se njihte qindra tregime popullore, përralla, legjenda e mite, por edhe tekste këngësh të vjetra.

Ai ishte një thesar aq i pasur etnografik, saqë Anton Çettës iu desh një kohë e gjatë derisa ta eksploronte të tërin për ta hedhur pastaj në letër.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult