“Kurrë nuk kam dashur askënd, përveç teje…”

15 prill 1945. Lemi Kokalari ishte 23 vjeç dhe kryente shërbimin ushtarak pranë U.S. Army Air Corps, kur u lidh në martesë me Drita Pashun, atëherë 21 vjeçe.

Ata do të jetonin rreth 50 vjet këtë marrëdhënie të bukur. Pak para se të ndërronte jetë, disa muaj para se të festonin 50-vjetorin e martesës, Lemi do të shkruante letrën e fundit ku i kujtonte edhe një herë Dritës se ishte dashuria e vetme e jetës së tij. Disa pjesë nga letra, janë si më poshtë:

“Ne kishim uljet dhe ngritjet tona, por nëse do e jetoja edhe një herë sërish jetën time, nuk do të kishte asnjë tjetër për mua, por veç ti. Do të kthehem pas, kur të pashë të parën herë në Rrugën Norfolk, kur ti ishe rreth 14 vjeç dhe unë rreth 16 vjeç, dhe megjithëse isha shumë i ri për të menduar për martesën, thashë me vete, ‘ajo është’.

Pastaj kaluan disa vjet, ti ishe rreth 16 vjeç ndërsa unë pothuaj 18 vjeç, kur shkuam së bashku në kinema. Nuk mbaj mend se si e bëmë të mundur, por ne e bëmë. Kjo ishte dalja jonë e parë së bashku.

Në film unë isha aq nervoz dhe atë natë nuk fjeta fare. Pyesja veten se çfarë mendoje për mua, dhe kur do të mund të dilnim përsëri. Mezi prisja të të shihja përsëri. Në ato ditë, siç e di, nuk ishte kaq e lehtë.

Familja jote ishte larguar nga Norfolk Street dhe ne qëndruam larg për disa vite. Unë nuk e kisha guximin për të ardhur në shtëpinë tënde, edhe pse shumë herë më tundonte ky mendim. Me kalimin e viteve, ne u takuam aty-këtu, por me distancën, shkollën dhe punën, ne ishim të ndarë, megjithëse të kisha gjithmonë në mendje.

Pastaj erdhi lufta, dhe unë shkova në ushtri. Nga kampi im të shkrova një letër. Nuk mbaj mend nëse më shkrove edhe ti, apo jo, por unë mora një kuti me karamele nga ju. Unë e di që ti dhe familja jote dërguat kuti të tilla për të gjithë djemtë shqiptarë në shërbim, por unë e mora kutinë time si personale.

Dhe po atë çast unë mendova që në vizitën e ardhshme në shtëpi do të vija në shtëpinë tënde, gjë që e bëra dhe lidhja jonë filloi. U ktheva në bazën e ushtrisë duke menduar se e përfundova qëllimin tim.

Kështu që unë vazhdoja të shkruaja. Nga ky moment fillova të vija në shtëpi më shpesh, kur më në fund arritëm të njiheshim mirë njëri-tjetrin.

Çdo gjë ndodhi shpejt deri në lidhjen në martesë. Ëndrra ime kishte ndodhur vërtet. Unë kurrë nuk kam dashur askënd përveç teje”, shkroi në letë Lemi Kokalari./Shqip

ObserverKult


Lexo edhe:

GRUA, MOS LEJO ASKËND QË TË SHKARKOJË RRUFETË E ZEMËRIMIT MBI TY!