Leon Lekaj: Mohim në një natë Krishtlindjesh

leon lekaj

Nga Leon Lekaj

Slita prej argjendi ndali tek ksolla e tij dhe një grue hyni me hapa të çmenduna drejt e brenda. Çasti iu duk i pabesë, kur ajo e urdhnoi të çonte kryet që shihte nga votra. Rroba e plakut të Krishtlindjeve, që aq mrekullisht i shkonin për shtat, rrëshqiti poshtë kambëve pa zhurmë, ndërsa sytë e tjetrit u zmadhuen tej masave përshkruese.

E gjithë skena gremisej normalisht drejt honeve të parapërgatituna n’imagjinatën e grues së slitës. Dy gjinj nervozë ju ngjeshën në parzm, ndërsa atij i duhej të merrej me zbërthimin e të shkuemes, në ditët kur ajo kishte depërtue thellë në jetën e tij. Grueja i tha se nuk duhej të vazhdonte me ba jetën e murgut, por ai u mbraps si një kërmill i lënduem, ndërsa nervat mund t’i këputeshin nga çasti në çast. Mandej shtrëngoi fort gojën, shenjë që diftonte se ajo nuk duhej ta tradhtonte kurrsesi dhe mbylli sytë.

Ajo pa shenja djerse në ftyrë, ndjeu të ftohtin e tij t’i hynte në shpirtin e mbushun me imagjinatë, e ma mbrapa hermetizmin absurd, i cili nuk i jepte asnjë mundësi që të hynte tek tjetri. Hapa nervozë u dëgjuen prapë në ksollën e vorfën, ndërsa jashtë vazhdonte me ra borë. Grueja hypi në slitën e saj të mrekullueshme, dhe urdhnoi të largoheshin sa ma parë.

Ndërsa ajo doli, atij i rrëshqiti një pikë loti dhe hodhi përtokë gacën e ndezun, q`ë e kishte të mbledhun në grusht. Atë gacë, me të cilin kishte përvëlue dorën, në çastin kur dy gjinjtë nervozë të saj i kishin folë për gjana, të cilat i kishte fshi përfundimisht nga jeta.

ObserverKult

=====================

Lexo edhe:

ÇFARË SIMBOLIZON FESTA E KRISHTLINDJEVE!