“Një dhuratë e papritur” tregim nga Leon Lekaj
Sapo u ulën në tavolinë i biri, si zakonisht i paduruar, ngriti gishtin lart që t’i tërhiqte vëmendjen kamerierit. I ati shfry lehtë, në një gjest të përsëritur, gjë, të cilën e bënte sa herë që nuk arrinte ta bindte atë. Ishin gati duke hyrë në një bisedë të re, kur panë se dikush po i drejtohej tavolinës së tyre. Fakti që nuk ishte kamerieri, nervozoi të riun, ndërsa i ati, një burrë që lexohej qartë se i kishte kaluar të pesëdhjetat, nuk reagoi deri në çastin që tjetri u ndal përpara tavolinës së tyre.
-Shqetësoj? –pyeti ai me një zë prej baritoni.
Biri shfaqi sërish shenjat e padurimit, ndërsa ati, pasi e vështroi qetësisht në fytyrë tha krejt befas:
-Uluni.
I huaji hodhi sytë tek vendi i djalit dhe e pa teksa kthente demostrativisht kokën në anën tjetër.
-Nuk do t’iu mbaj gjatë, vetëm pak minuta dhe do të largohem.
Për pak çaste atmosfera e tavolinës mbeti memece, por i huaji dukej se ishte kujdesur edhe për ato minuta të rënda. Vuri çantën mbi tavolinë dhe nxori prej andej një kuti të vogël, e cila ishte e mbështjellë me një letër të hollë. Nuk u ngut ta hapte edhe pse tashmë shenjat e kureshtjes në sytë babë-bir qenë të dukshme.
-Kjo është për ju, -tha sërish, por pa i vendosur duart tek letra e bardhë, -ndërsa mua tani duhet të më falni.
Nuk iu la kohë dy të tjerëve as të habiteshin dhe as të kundërvepronin. U ngrit krejt qetë, me në njëjtën mënyrë ecjeje dhe sa hap e mbyll sytë, dera e daljes e përpiu.
Vetëm atëherë babë e bir hodhën sytë nga dhurata që ishte mbi tavolinë. Padurimi i djalit, i ndeshur në sytë e rreptë të atit, u fashit me një ndjenjë pakënaqësie.
Burri e mori pakon në duar dhe e hapi me kujdes. Pa një mini-skulpturë, që tregonte një burrë të zhveshur me dorën e tij të fuqishme poshtë mjekrës dhe me një vështrim të ngulur diku në tokë. Në ballë të saj, në një drejtkëndësh të vogël lexoi “Le Penseur” Auguste Rodin.
E çoi dhuratën e vogël nga tavolina, si donte të kujtohej se njeriu që kishte ardhur dhe qe zhdukur krejt befas kishte qenë i panjohur, por pikërisht aty, në formën e një letre të vogël u shfaq surpriza e dytë. E hapi me ngut, i shoqëruar prej një nervozizmi që i shkaktonin sytë e të birit, dhe lexoi me zë të lartë:
“Kjo ishte gjendja ime, atë ditë me shi, kur për herë të parë, kaloja në një prej rrugëve kryesore të qytetit tim i shoqëruar prej një njeriu, i cili më kishte hedhur dorën në qafë. Dhe ai njeri ishe ti. Atëherë! Atëherë kur sinqerisht ndjehesha krejt i vetmuar, ndjehesha shumë më shumë se sa një lebros i braktisur. Unë jam ai, që edhe pse qysh prej asaj kohe kanë kaluar gati dyzet vite, e kam ende mbi supin tim atë dorë miqësie. Të falënderoj!” N. T.
Burri brofi në këmbë për tek dera. Iku dhe u kthye me shenjat e dështimit në fytyrë.
-Baba, -tha i biri, -njeriu që la pakon këtu nuk ishte normal?
I ati u mat një herë që të thoshte dy fjalë, por edhe në bisedat e mëparshme, sa herë që kishte tentuar të komunikonte me të birin për të shkuarën, qe ndjerë të kafshohej prej mosbesimit të tij.
-Nuk ishte normal? Jo biri im, ai ishte krejt në rregull, por dukej i tillë, sepse koha për të cilën fliste ishte anormale. Sepse ai fliste për kohëra të çmendura, ku njeriu…
E la përgjysmë fjalinë dhe nxorri një cigare.
ObserverKult
Lexo edhe: