(Kushtuar A. P.)
Jam vetëm…
I vetëm me mendime pa fund
Shtrirë në prehrin e kotësisë
Siç shtrihet një ditë mbi muzg.
II
Dua ta mposht këtë dreq mendimi
Ta largoj nga prehri i kotësisë
Dua të më shijojë mendimi
Që mundet të të falë një ditë
III
Kam shijuar gëzimin e asaj dite
Kur u njoha me ty shoku im
Atëherë kotësia tek unë nuk kishte lindur
Gëzimi im i mirë atëherë ishte ti.
IV
Tani ti je larg, nuk je më pranë
Je bërë i dëgjuar, kështu më kanë thënë
Kurse unë i njëjtë, gjithmonë kam mbetur
Provincial i thjeshtë, ashtu siç kam qenë.
V
Në xhiron e madhe të mbushur me njerëz
Copëza mbrëmjesh çdo ditë ti shijon
Copëza mbrëmjesh ku shkrihen neonet
Si mbi një gotë ujë që tresim limon
VI
Ti shijon çdo mbrëmje reflekse reklamash
Me ngjyrë të kuqe, të verdhë, të bardhë
Unë mbi tryezë shfletoj kalendarët
Sa vjet ju bënë shokut tim pa ardhë?
VII
Ti ndoshta mendon, se në ç’restorant
Do ta çosh të dashurën sonte për darkë
Unë mbi tryezë shfletoj kalendarin
Iku dhe kjo ditë, iku dhe kjo natë.
VIII
Ç’është kjo shpresë e humbur, e vjetër, e kotë?
Cila shkëndi i jep jetë asaj
Përse vallë i shkruajta këto vargje?
A mos e shuajta mallin që m’kish marrë?
IX
Ç’më shtyn të mendoj se do vijë një ditë
Që shoku im të vijë përsëri
Ndoshta do zgjohet tek ai njëherë
Dashuri e vjetër që fle tani.
Shkurt, 1983
ObserverKult
Lexo edhe: