Aktori me famë botërore, Leonardo DiCaprio, i ka dalë edhe njëherë në ndihmë iniciativës për të mbrojtur lumin Vjosa në Shqipëri.
Si një nga ambasadorët e ruajtjes së ambientit dhe paqes, aktori i filmave hollivudianë i është bashkuar nismës për t’i thënë stop ndërtimit të HEC-eve, rrezikimit të ujit dhe biodiversitetit në zonat përreth lumit Vjosa.
Ai ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, e cila ndiqet nga afro 48 milionë njerëz në botë, disa fotografi të lumit Vjosa dhe protestave të shqiptarëve për ta mbrojtur atë.
Fotografitë janë të shoqëruara me hashtagun #VjosaNationalParkNow, me kërkesën e banorëve ndaj Qeverisë së Shqipërisë, për ta shpallur lumin Vjosa park kombëtar.
“Lumi Vjosa i Shqipërisë është lumi më i madh i egër në Evropë. Nga malet e Greqisë deri në Detin Adriatik në Shqipëri, ai shtrihet në 300 kilometra, plotësisht i lirë nga barrierat artificiale, si digat e hidrocentraleve. Lumenjtë dhe përrenjtë që janë degë të Vjosës janë shtëpia e më shumë se 1,100 specieve të botës së egër, shumë prej të cilave janë të kërcënuara.
Vjosa është kurora e #BlueHeartofEurope (Zemrës së kaltër të Evropës) dhe njerëzit në të gjithë Shqipërinë duan ta mbrojnë atë përgjithmonë. Ata po i kërkojnë qeverisë së Shqipërisë për të krijuar #VjosaNationalParkNow, i cili do të ishte parku i parë i lumit të egër në Evropë.
Le të qëndrojmë me ta. Klikoni në linkun tim në bio për të parë filmin dhe për të nënshkruar peticionin”, ka shkruar DiCaprio në Instagram. /Telegrafi/