Nga: Simone De Beauvoir për të dashurin e saj, shkrimtarin Nelson Algren
I dashuri im i shtrenjtë, fjeta pak, por kam ende dhembje të tmerrshme koke. Sapo i telefonova kompanisë Air France; më presin më orën dhjetë edhe sërish po më therin brengat. Nuk e mbledh dot mendjen, të të telefonoj, apo jo? Them se jo. Nuk besoj se mund ta përballoj dhe nuk dua të jem “duke qarë nga larg”, siç thua ti.
Ajo që nuk arrita ta shpreh mbrëmë plotësisht, është ëmbëlsia e atyre ditëve me ty. Që në fillim e bëre gjithçka aq të ngrohtë e të lumtur, gjë që më lumturoi më shumë se sa kam qenë këto dy vjet. Sa mirë ishte të jetoje me ty! Mirupafshim, i dashuri im.
Nëse përplaset avioni im, në çastet e fundit do të mendoja vetëm të të falënderoja për gjithçka që më fale. Meqë nuk do të ndodhë, do të vazhdoj të të dua gjithë vitin, derisa të jem përsëri në krahët e tu.
Të puth nga zemra ime gjithmonë e përvëluar. Ti më mbaj në zemrën tënde! Të dua!
ObserverKult
Lexo edhe:
SIMONE DE BEAUVOIR: AI KISHTE GABUAR QË MË KISHTE GËNJYER…
Nga Simone de Beauvoir
Ankthi i tij më vajti drejt e në zemër dhe e dëgjoja pa armiqësi. Sigurisht, ai kishte gabuar që më kishte gënjyer, por duhej ta kuptoja; ngurrimi i parë ishte si ortek: “Nuk guxoja të ta thosha, sepse duhet të pranoja gjithashtu se të kisha gënjyer. Pengesa është e pakalueshme edhe për njerëz si ne që e vlerësojmë kaq shumë sinqeritetin.” (E pranoj, kushedi me ç’këmbëngulje do të kisha gënjyer për të fshehur një mashtrim.)
Kurrë nuk i kam pranuar gënjeshtrat. Gënjeshtrat e para të Lysienës dhe të Koletës më prenë krahë e këmbë bashkë. E kisha të vështirë të pranoja se të gjithë fëmijët e gënjejnë nënën. Jo mua! Nuk jam një nënë që mund ta gënjesh; as një grua që gënjehet. Krenari budallaqe. Të gjitha gratë mendojnë se janë ndryshe; të gjitha besojnë se disa gjëra nuk mund t’u ndodhin atyre dhe të gjitha e kanë gabim.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult