Një histori dashurie, 300 letra – Nelson Algren dhe Simone de Beauvoir
Një të premte në mbrëmje, një të premte si sot, Nelson Algren hyn në barin “EL” bri lumit Çikago. Shquan me sy një sallë pritje ku shkruan “El Petit Cafe”. Zë vend në një tavolinë bosh, duke menduar me bezdi nëse duhej ta kërkonte gruan franceze apo jo. Një orë më parë, ai po gatuante darkën kur kishte rënë telefoni. Nga ana tjetër, dëgjonte një zë gruaje, me një anglishte me theks frëng.
E kishte mbyllur tri herë telefonin më herët, derisa zëri iu lut ta dëgjonte. Ju kujtuan sërish frazat prezantuese të gruas pariziene. Dalloi siluetën e saj, pallton e bardhë, flokët e mbledhur, e shallin jeshil.
Dy orë më vonë, ata po shëtisnin të dy bri lumit Çikago. 2 orë pas mesnate ata shkonin drejt shtëpisë së tij. Hoteli për Simonën qe fort i trishtë. Algreni ishte për të shembulli i vetmisë së madhe intelektuale në të cilën shkrimtarët amerikanë jetonin.
***
“Ne nuk do të kalojmë 30 vjet pa u parë, apo jo? Jo. Nuk do kalojmë”.
Më 1954, Simone de Beauvoir i shkruante Nelson Algrenit nga Parisi me dyshimin e trishtë nëse ata do të takoheshin një ditë. Ngjante se ata nuk do të takoheshin kurrë më, pos në letra.
“I burgosuri i Amerikës” siç nënshkruhej Nelsoni dhe mbajtësja e brengave të tij, qenë takuar për herë të parë më 1947.
Kishte qenë dashuri me shikim të parë. 8 vjet më vonë ajo i fliste edhe për vdekjen.
“Dua të fle në varr me ty dhe të shpresojmë se do të pimë skoç bashkë. Zemrën e kam plot me ty, Nelson”.
Asaj nuk i pëlqente të mblidhte brenga. Por brengat e tij kishin shumë rëndësi për të. Ishte shumë domethënëse që ia tregonte asaj.
“E di, i thoshte Simona, – që ke brenga në lidhje me mua, ashtu si unë për ty, sepse ti do të mbetesh gjithmonë pranë zemrës sime. Do të doja të mblidhja brengat e tua gjithë jetën time. Por, kjo nuk të ndihmon, as unë, askush nuk të ndihmon dot. Është histori e trishtë”.
Marrëdhënia e tyre pasionante zgjati njëzet vjet dhe u shtri në katër kontinente. Parisi, Londra, Algjeri, Vjena, Venecia, Spanja, Zvicra, Medina, Marseja dhe Kina janë vendet nga ku nisen a shkruhen letrat e Simonës që udhëtojnë mandej drejt Amerikës, ku Algreni jetonte.
I tregojnë çdo gjë njëri-tjetrit, si të ishin takuar veçse dje. Flasin për veprat që po shkruajnë dhe e nxisin shkrimtarin matanë oqeanit, për libra të rinj. Letrat mes tyre, flasin edhe për debatet intelektuale të kohës, çështjet e lirisë, bindjet politike dhe letërsinë e mirë.
Në një prej letrave, Simona i rrëfente atij mes të tjerash se historinë e tyre të dashurisë e kishte përdorur në një nga veprat e saj, “American love story” duke i thënë se “për ta bërë sa më origjinale një dashuri midis një burri që ngjan me ty dhe një gruaje që ngjan me mua, i shtova pak nga jona”.
Botimi “Një dashuri transatlantike” nga “Shtëpia e librit” me përkthimin e Alda Bardhylit, përmbledh më shumë se 300 letra dashurie, të shkruara nga De Beauvoir-i për Algrenin, duke krijuar kështu një pikëtakim unik midis kujtimeve personale të dy shkrimtarëve dhe historisë së botës intelektuale të krahut të majtë në Parisin e pasluftës.
Të shkruara ndërsa ajo punonte për librat: “Les Mandarines”, “Amerika ditë pas dite” dhe “Seksi i dytë”, letrat përcjellin prapaskenat e këtyre veprave klasike, ndërsa i japin formë portretit të pazakontë të ‘Simonës së Dytë’. Ne që patëm njohur veprat e shkrimtarëve, përmes këtyre letrave njohim zemrën e tyre të brishtë, fundet e palumtura e dashuritë e pamundura. Mbase me to, edhe shtratin e një letërsie të mirë që ngjizej në jetë të palumtura, bri lumit Çikago e në pritje të një vize.
LARG DHE AFËR
Mes mallit dhe problemeve të jetës së përditshme, dyshja intelektuale kishte një marrëdhënie krejt të hapur e të qartë. Në shkurtin e 1954-ës, Simona pranonte së kishte kohë që nuk i fliste për jetën e saj sepse “ashtu siç thua ti, të thuash të vërtetën është gjithnjë e vështirë. Po, na duhen shëtitje të gjata përgjatë Senës dhe lumenjve të rinj, për të treguar gjithçka në mënyrën e duhur.
Por, do ta provoj ashtu siç bëre ti. Në fakt, ‘magjia’ ka kaluar tashmë. Ka qenë, por nuk do të jetë më. Së pari, ose mbase së dyti, nuk ka rëndësi, sepse po mplakem dhe bota rreth meje po bëhet gjithnjë e më e pranishme tek unë dhe nuk ka shumë magji. Në fakt, pastaj dhe kryesisht sepse me siguri që nuk mundem dhe nuk dashuroj dot më ashtu si të kam dashur ty. Diçka ka marrë fund, përgjithmonë”.
Ritmi i letrave është i ndryshëm, humori i të dyve po ashtu. Me një oqean në mes, raporti i tyre bëhej i vështirë. Ata nuk e dinin se çfarë u sillte e nesërmja. “E sheh sa ndryshe është kur e mbaroj librin: të përgjigjem sapo marr letrën tënde!” shkruan Simona. Pranon se i shkaktoi brengë në zemër kur i tha: “javët pa letra janë të gjata”. Gruaja me shallin jeshil i premtonte se “mes nesh nuk mundet e nuk do të humbasë kurrë. Ajo është dhe do ta mbaj gjithnjë në zemër, ashtu si ti”.
A ËSHTË KY FUNDI?
Qe një farë kohe në mesin e viteve 1950, kur Algreni ndihej i humbur dhe i pafuqishëm dhe ngjante se do prekte fundin. Botuesi, divorci, e ardhmja, pamundësia ekonomik e kishin vënë përfund. I dukej se e kishte humbur forcën nxitëse, shkëndijën që ndizte dëshirën për të shkruar dhe për të gjithë qenien e tij.
Kuptoi edhe se po humbiste Simonën përgjithmonë dhe në këtë gjendje të tmerrshme shpirtërore, nuk kishte frikë të pranonte se e merrte malli tmerrësisht. Ditët më të mira të tij i kishte kaluar me të. Pse e kishte lënë të ikte aq larg?
“Brengat dhe ndjenja e humbjes nuk kanë ndonjë domethënie të madhe, i shkruan Simona. “Duan vetëm të thonë se ndjenjat duhet t’i shkëputje në mënyrë të panatyrshme, sepse nuk kishin vdekur ende brenda teje.
Dhe tani do ta kenë të vështirë të vdesin, sepse do të mbeten diçka nga e kaluara, diçka që nuk është jetuar deri në fund. Besoj se idenë e humbjes dhe mallin për të kaluarën do t’i ruash për një kohë të gjatë – mbase më gjatë se sa do të kishte zgjatur dashuria në zemrën tënde, sikur ta kishte përmbushur veten. Mundohu të mendosh edhe në këtë mënyrë; është e vërtetë, edhe pse e hidhur”, e këshillon ajo Simona.
Muajt kalojnë dhe ata janë sërish larg. Më 31 Dhjetor 1953, letra e saj e fundit shkëmbehet me të tijën. Ai dukej pak i inatosur me të ndërsa ajo ndihej fajtore kur Nelsoni i thoshte se po bëhej një lloj fantazme.
“Tani nuk më pëlqen të shkruaj letra dhe nuk do të thotë se kam zemër prej fantazme, kurrsesi”, shkruan ajo.
Mandej, pak radhë më vonë, shton.
“I dashur, ti bën një pyetje, që ndonjëherë ia drejtoj vetes pak me frikë: kur do të shihemi sërish? Pa dyshim, do të jetë çuditshëm. Zbulova që miqësia nuk është aq e lehtë kur njerëzit e donin njëri-tjetrin aq sa ne. Ti jeton me dikë, po ashtu edhe unë dhe jam e sigurt që të dyve do të na duket e çuditshme. Sidoqoftë, unë jam e bindur se nuk do të dështojë. Do të jem thellësisht e lumtur të të shoh e të të dëgjoj përsëri.
Gjithsesi, ta provojmë sa më shpejt; nuk kemi shumë për të humbur edhe një dështim nuk do të prishte asgjë, as në të shkuarën tonë, as midis nesh dhe kemi shumë për të fituar. Prandaj, të lutem i dashur, mos më mbaj më inat! Të jesh i sigurt që nuk jam fantazmë”.
SËRISH E PREMTE
Ka shumë të premte mes Simonës dhe Nelsonit, veç të premtes së parë, kur u takuan në një bar buzë lumit. Të premten 25 Korrik 1953, ajo rrëfen se letra e tij e fundit i ka shkaktuar brengë.
“Kur mora letrat e tua të hënën, sidomos atë ku ndonjëherë thua se në mëngjes ndjen sikur te ty zë vend njëfarë vdekjeje – vdekje mes meje e teje, duke qenë larg e më larg, për një kohë tepër të gjatë – më shkaktoi brengë, jo ankesë, brengë e vërtetë”.
Ajo kishte dalë për të pirë dhe kishte pirë dhe befas, kur në orën 2 të mëngjesit grupi i xhazit luajti një melodi amerikane që e dëgjuan të gjithë, asaj i shkaktoi të tillë brengë në zemër, sa hera e parë në jetë që gati e humbi vetëdijen. “I kam ruajtur të gjitha kujtimet tona dhe nuk i humbas kurrë, edhe ty të mbaj në zemër. Mes meje e teje nuk do të ketë vdekje kurrë”.
Kjo ishte dashuria e pamundur e dy njerëzve të lirë, që nëse do të ishin dashur ndryshe, mbase më shumë, mbase më me guxim, nuk do të ishte një dashuri veçse ne letra. Ata e mohuan dashurinë e tyre duke e pranuar me gjithë mangësitë e saj.
ObserverKult
—————
Lexo edhe:
LETËR DASHURIE: DUA ZONJËN TIME, DUA ENGJËLLIN TIM, JOSHJEN TIME…