(Në 20-vjetorin e “emigrimit” drejt mallit tonë të pafundmë)
Nga Martin Leka
-Mbiemri: mund i madh ta mbash mbi supe.
-Profesioni: shkroi prozë e poezi, për të mbetur NJERI.
-Vendlindja: kryeqytet, aty ku ishte dhe kryebohem.
-Studimet Universitare: në Fakultetin që sot prodhon dhe diplomantë që kanë alergji për drejtshkrimin apo gramatikën e që psh, fjalën “mrekulli” e shkruajnë “mBrekulli”.
-Punësimi: deri në 1990 punoi në të vetmen gazetë të kohës, që e merrnim borxh dorë më dorë që të shihnim pak “Drita”.
-Nga 1991, deputeti më atipik e historik, antikonformisti i pashoq që shpejt iku nga ajo sallë e papërshtatëshme për rracën e vet.
-Ishte Kryeredaktor në disa gazeta e revista, për të mbetur përgjithmonë “Kryeredaktor i Lirisë së Fjalës”.
-Disa kryeministra e ministra duhet të shënjojnë në CV-të e tyre: “kemi patur këshilltar Teodor Kekon”.
Thënia proverbiale, sipas meje: “Dori vogël as nuk shitet, as nuk blihet, por vetëm sponsorizohet”…
-Fobia: njerëzit që nuk qeshin.
U bënë 20 vjet pa u parë, qysh kur ti ike “emigrant” në parajsën tënde të shndritshme, me vezullimin e dritës, aromës së luleve e parfumit tënd, erën e të cilit e ndjejmë përmes veprave që le pas. Nuk kam çfarë ti them dynjasë për Dorin, por një gjë do vazhdoj ta them përherë: gabimi dhe mëkati më i madh yti ka qenë ikja jote.
Të pata shkruar para dy vjetësh një letër, të cilën e rilexova sërish. Të them të drejtën, pa u trembur të tregohem mazokist, nuk kam vërejtje për veten dhe nuk i heq asnjë presje asaj çfare të kam shkruar. Por, po të shkruaj që ti dish dhe ca gjëra të tjera për këtë nahinë tonë këndej, këtu e dy vjet e këtej.
Dori, siç të pata shkruar, Edi Rama e mori dhe mandatin e tretë. Hyri në histori për këtë, por prit se me gjasë, nuk do jetë çudi të fitojë edhe një tjetër mandat të radhës. D.m.th, të katërtin. Ndoshta jo për meritën e vet, më shumë se sa për një opozitë lesh e li. Ja, ta lidhim fillin e muhabetit të opozitës. Saliu u pendua dhe erdhi prap në krye të PD. U rikthyem aty ku ishim, si para 31 vitesh kur ti ëndërroje se me këta mund të ishte më mirë. Ashtu siç di vetëm ai me çetën e tij, e përzuri Lulin me forcë nga selia, me hunj e gurë e varre’. U bënë gazi i botës, veç të shihje pamjet në selinë e PD. Më turp s’ka!
Tani Saliu ka partinë, deputetët ca i ka ca jo, vulën ende e kanë kundërshtarët, ndërsa vetë Saliu është “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe. Saliu mbahet ende, është energjik dhe del çdo ditë nëpër ligjërata. Siç duket, ai nuk jeton dot pa qenë udhëheqës. Ja, fiks tani që po të shkruaj, ai është live në një TV dhe po orienton fermerët nën moton “Bujqësia në rrezik”. Po flet për lopët, viçat, arrorët, ullirin…
-Kjo qeveri është armike e ullirit, po thotë tani. Në fakt, ai është në dakordancë të plotë me veten, sepse Edi Ramën e ka shpallur armik e me “rregull treshi”, Edi është armiku i të gjithëve e të gjithave, është “nëna e të gjithë të zezave’ në këtë vend. Me pak fjalë, që të mos zgjatem, e reja që pas letrës së para dy viteve, është alternativa që na ofrohet sot, pas me shume se 30 viteve. Eshtë po ai që ishte, Saliu! E reja tjetër dhe që ka lidhje po me opozitën, është Iliri. Te nesërmen e ikjes nga president, mori partinë që kishte Monika dhe i ndryshoi emrin. Tani quhet Partia e Lirisë. Eshtë në opozitë të plotë e të egër me qeverinë.
Këta pritet të vijnë në pushtet, siç vetë thonë.
Nuk po zgjatem shume me politikën, por telegrafisht po të them se ky Edi Rama paska qenë njeri me fat e ne s’paskemi ditur gjë…
Në Kosovë është pothuaj e njëjta gjë në kuptimin politik. Nuk kemi devijim nga raca. Pothuaj gjithë zinxhiri komandues i ish-UÇK-së është në arrest në Hagë. Në pushtet ka ardhur një “komunist” i vogël, Albin Kurti, i regjur në burgjet serbe dhe një grua që iku nga LDK-ja për t’u bërë presidente. Ka për emër një emër lumi nga toka amë, Vjosa, dhe perandori ka mbiemrin, Osmani. Nuk i kam dëgjuar asnjëherë, as njërin dhe as tjetrën, as t’ua përmendin njëherë emrin kundërshtarëve politikë, ish-presidentit Thaçi e të tjerëve, që akuzohen mbi bazë akuzash me origjinë proserbe, nga një deputet i PE me emrin Dik.
Këtu janë shtuar oligarkët. Të pata thënë për disa, po tani ka dhe të tjerë. Ti nuk i njeh se janë të rinj, po gjithsesi, e kanë një lidhje me racën. Sepse pushteti ekonomik është gjeneratori i atij politik. Teori kineze, por efektive. Këtu ka humbur dashuria në gjithë kuptimet e saj. Nuk të do njeri po nuk pati interes. Pa interes, je nje i huaj që bredh rreth vetvetes në hapësirën gri të këtij qyteti që po bëhet gjithnjë e më i madh. Horizontalisht e vertikalisht.
Ja p.sh, po ta them pa mu skuqur faqja. Kam rreth 7 muaj që kërkoj një takim me një zyrtar të kryeministrisë dhe nuk e takoj dot. I shkruaj, herë përgjigjet, herë jo. Herë është në mbledhje, herë në takim, herë me shefin, herë jashtë Tiranës, herë jashtë shtetit… Po mirë e ka në fakt, se mos i duhem gjë unë tani që s’kam asgjë në dorë?! (Meqë ra llafi, po ta them unë meqë Xhuli s’ta paska thënë. Edhe Xhuli është pa punë.
E hoqi një si biçim ministri, mëkëmbës i Edit, që mbeti e mbeti vetëm zv.ministër. Gent quhej e jam i bindur se mund të kishte dije e kulturë “supersonike”, po zor se ka lexuar një poezi tëndën, se s’po them për libër). Pra, se na prishi Xhuli fillin e muhabetit, ka ikur koha kur jo për 7 muaj, po për 7 minuta apo 7 ditë, takonim 7 herë nga 7 udhëheqës. Ky tipi më kujton N. Lesin e famshëm. Kur dikush e kërkonte Nikollën e ky donte ta hiqte qafe, ja priste shkurt: -jam në OSBE… Por ky tipi nuk ka asnjë ngjashmëri me Nikon që është bio!
“I dua njerëzit që të kërkojnë edhe kur nuk u duhesh. Kjo është arsyeja pse dua pak njerëz”, pat thënë një aktore e famshme.
Po të them copëza që më vijnë ndërmend tani, se s’ka netë dimri që shkruan peizazhin politiko-ekonomiko-kulturoro-mediatik e estetik të shoqërisë këndej botës sonë të frymorëve.
Media i dashur, është e lirë. Madje jo e lirë, po në një liri të shfrenuar. Aq sa për ta patur frikë. Po po. Unë e kam frikë lirinë e shfrenuar. Dhe është çmenduri kjo që po them. Është vrastare të kesh frikë nga liria. Këtu mund të hapësh krahun me “librin e shpisë” ndaj kujtdo, që nga kryeministri e gjer tek më i fundit në radhë. Fjalorin dhe etikën lëre mënjanë, janë “armiqtë” e medias. Në ekranet tona apo mediat e shkruara mund të shohësh e lexosh jo vetëm fjalor që ne nuk e përdornim as në tavolinat në kafe “Europa” apo “Dajti” orëve të natës, por nuk po gjej fjalë ta përshkruaj. Mënxyrë! Etika?
Mos e përmend se do të të etiketojnë demode, si njeri të dalë boje. Mu kujtua një pasazh i një filozofi të madh që pat shkruar “Njeriu banon në gjuhë”… Këtu gara më e fortë në televizionet tona nuk është gara e shikueshmërisë apo e balancave informative. Gara e vërtetë është se kush nga gazetarët bëhet vetë lajm në panel me kryeministrin. Duket sikur gazetari në vend që të përgatitet të bëjë pyetje, “përgatitet” si të bëhet vetë lajm. Ka ndodhur jo pak herë.
Po përsëris atë që kam thënë shumë heret dhe më duket sërish aktuale: “Sot ka gazetarë që bëjnë pallate e ndërtues të pashkollë që bëjnë gazeta”!
Për ta përfunduar konglomeratin e madh të mediave, mund të them se ka ende shpresë. Por me një kusht. Kur analistët e gazetarët të jenë kaq të lirë sa të thonë në ekran ato që thonë nëpër kafene!
Ne jemi një vend i çuditshëm. Të gjithë ankohen se jemi të varfër, por të gjithë i gjen zgjuar e ngrysur nëpër kafene; thonë s’kemi rroga të mira, por pushimet i kalojnë jashtë e makinat i kanë më të kamura se i kishin anëtarët e Byrose Politike dikur; ankohen të gjithë se qeveria nuk investon për pastrimin, por plehrat i hedhin nga ballkoni; të gjithë ankohen për strehimin, por këtu çdo ditë mbin një pallat apo kullë e re; ankohen për rendin, por këtu vriten për një gërvishtje makine, për një të parë shtrembër, për një parkim makine, për një vijë uji…
Jetojmë në një vend ku mirësia është më e lirë se urrejtja, ku dasma është më e lirë se dashuria, ku botoxi është më i rëndësishëm se leximi; ku e vërteta është më e lirë se maska; ku ndjesa quhet turp e arroganca krenari; ku besa u arratis e ku lindi tradhtia; ku mbijnë gurë e vdesin trëndafila; ku servilët hanë bukë e të aftët lajnë pjata; ku i dituri ka shef injorantin… Mosmirnjohës e të marrë, ti pështysh në surrat!
Do iki dhe kokën nuk do ta kthej
të shikoj Dajtin plak të trishtuar,
të shoh kafetë mbushur me pleq,
të shoh gazetat në rrugë shtruar.
Pse ta kthej kokën? Këtu çdo cep
një gjë të hidhur më kujton.
Një fëmini që iku për lesh,
sa për rininë, si erdhi shkoi!
……………………………..
Ndoshta do ketë për mua globi
Një pëllëmbë vend me paqe, jetë,
Një pëllëmbë vend ku nuk është hobi
Mos lesh njeri të jetë i qetë.
Por, sidoqoftë, do jetë më mirë.
Një zë më thotë: “Mbathja me vrap”,
Dhe tjetri shton: “Ik me dëshirë”!
Tani i dashur, nuk kam ç’të të them më. Po deshe, tako Tos Baxhakun e Gjergj Xhuvanin, Xhode Ferrin, Kiço Blushin e Petrit Rukën, Rikard Ljarjen e Bardhyl London…e bëni film a roman a dramë ose… shkruani një këngë vaji për ne të gjallët!
Do të të duam gjithmonë, të fala andej!
(tirananews.al)
Lexo edhe: