I pushkatuari, amanet gruas: Mos qani, as ti, as fëmijët…

letrën-amanet

Gazetarja Desada Metaj, ka publikuar kohë më parë në faqen e saj në ‘Facebook’, letrën-amanet që i gjyshi i shkruajti bashkëshortes, para se të mbyllte sytë.

Me të mbaruar lufta, komunistët nisën pushkatimet me dhe pa gjyq ndaj kundërshtarëve, në çdo cep të Shqipërisë. Një prej intelektualëve që u pushkatua në Fier, gushtin e parë të pasluftës, ishte dhe Sadush Kuqari (Metaj).

“Në gushtin e vitit 1945, pushteti diktatorial i Enver Hoxhës çoi para skuadrës së pushkatimit një grup intelektualësh nga qarku i Fierit. Mes tyre ishte dhe gjyshi im, Sadush Kuqari (Metaj). Letra e testamentit që i la gruas së tij, gjyshes time Deko, dëshmon dhe njëherë që kriminelët e pasluftës vranë dhe persekutuan qytetarinë dhe vlerat e kombit. Për të instaluar diktaturën e proletariatit, injorancën, krimin dhe pabesinë ndaj njerëzve dhe Zotit!”, shkruan Desada duke publikuar edhe testamentin.

E dashur gruaja ime Deko!

Me datë 5 gusht 1945 u dënova me vdekje nga gjyqi i popullit.

Të lë amanet që të mos qash as ti, as çiliminjtë mos i leç të qajnë dhe të hapin sytë e të rrinë mirë. Edhe djemtë tanë të ndjekin shkollën, po pate vakt dhe në rrofsh edhe jashtë shtetit ta nxjerç. Për mua mos u mërzit fare se kjo gjë qe e thënë nga ana e Zotit. Të duroç siç kanë duruar tê gjith gratë e tjera.

Se unë në bazë të zëmrës që e kam të pastër dhe drejtsis time me shpresën e Zotit xhenetin e gjej te hapët, luftrat kështu e kan.

Ta le amanet me të shoqen e Selimit (vëllait) të shkosh më mirë sec ke shkuar dhe Shefqetin (qehajain) të ma mbajç mir, më mirë seç e ke mbajtur dhe në qoftë se dëshiron të vej ne Kalenje. Është i lirë të bëjë si të dojê. Ju ta mbani mirë.

E dashur Deko, ta le amanet Myzaferes (vajzës së madhe) ti japç paj më mir nga shoqet se ka vuajtur shumë me mua dhe mundimi i saj vete kot. Thoi mos u mërzit fare se ke Selimin, Qamilin, Fatbardhin, çunin e Selimit, Myzaferen, Nadiren, Dritën, ke plot. Neve kemi për të larë borxhet tona te Zoti.

Tashti e përfundoj duke të dërguar të falat e fundit dhe të piqemi në jetën e përsosur.

Burri yt

Sadush Kuqari

Fier, 11.8. 1945

*Marrë nga facebook-u i gazetares, Desada Metaj, mbesa e tij/Kujto.al

ObserverKult

Lexo edhe:

NËNA E VRAU VETEN DUKE U HEDHUR NË ZJARR, NUK PËRBALLOI…