Nga Stefan Cvajg
“Përpara se të ndahem nga jeta me vullnet të lirë dhe me mendje të kthjellët, shtyhem të përmbush një detyrë të fundit: të falënderoj nga zemra këtë vend të mrekullueshëm, Brazilin, që më dha mua dhe punës sime një pushim shumë të mirë e mikpritës.
Nga dita në ditë kam mësuar ta dashuroj më shumë këtë vend dhe askund nuk do ta kisha rindërtuar më me dëshirë jetën nga e para, pasi për mua bota e gjuhës sime ka perënduar dhe atdheu im shpirtëror, Evropa, po shkatërron vetveten.
Por pas gjashtëdhjetë vjetësh nevojiten forca të veçanta për të filluar edhe njëherë nga e para. Kurse forcat e mia janë dërrmuar nga vitet e gjata të shtegtimit nëpër botë.
Kështu që më duket e drejtë ta mbyll në kohën e duhur dhe me një qëndrim të drejtë një jetë, për të cilën puna shpirtërore ka qenë gjithmonë gëzimi më i kulluar dhe liria personale, mirësia më e madhe e kësaj toke.
Përshëndes të gjithë miqtë e mi! Uroj që ata të kenë fatin të shohin përskuqjen e agimit pas natës së gjatë! Unë, si shumë i paduruar që jam po u paraprij!”
*Marrë nga profili në Facebook i Albert Vatajt
Lexo edhe:
LETRA E NJË TË PANJOHURE: ENDE PA TË NJOHUR, TË PASHË NË ËNDËRR…
Fragment nga novela “Letra e një të panjohure” të Stefan Cvajg…
Dhe pas disa ditësh erdhën bojaxhiu, dekoruesi, pastruesi dhe tapicieri për të pastruar banesën e fëlliqur; dëgjohej çekiçi, shkundnin, pastronin, kruanin, por nëna ishte e kënaqur: ajo thoshte se tani i erdhi fundi çrregullimit atje karshi nesh. Vetëm se ty, edhe gjatë mbartjes, nuk të pashë dot; të gjitha këto punë i mbikqyrte shërbëtori yt, ai shërbëtor zotërinjsh, i shkurtër, serioz, me flokë të thinjur, i cili kujdesej për gjithçka, me qetësi e zotësi.
Ai na pëlqente të gjithëve. Së pari, pse një shërbëtor zotërinjsh ishte diçka krejt e rrallë për ne dhe, së dyti, pse ai me të gjithëse ishte jashtëzakonisht i sjellshëm, por megjithatë dinte të mbante distancë me shërbëtorët e tjerë dhe nuk futej kurrë në muhabete të kota. Që ditën e parë nënën time e përshëndeste me një sjellje të matur serioze...
Tekstin e plotë mund të gjeni KËTU
ObserverKult