“Qysh nga çasti i parë, në fund të vjeshtës së trishtë të vitit 1956, në një kafe në Paris me emër anglez, ku ai shkonte me raste për të shkruar në një tavolinë diku në cep, sikurse bënte edhe Jean-Paul Sartre vetëm treqind metra më tutje, me një fletore shkollore dhe një stilograf që ia njolloste gishtat me ngjyrë përligjëse.
E pata lexuar “Bestiario”, librin e tij të parë me tregime, në një hotel rastësor në Barranquilla, ku flija kundrejt çmimit një peso e pesëdhjetë qindarka, mes sportistësh të keqpaguar e laviresh të hareshme, teksa që në faqen e parë kuptova se ai ishte pikërisht shkrimtari që do të kisha dashur të bëhesha unë, kur të rritesha dikur.
Më pati thënë dikush që ai shkruante në Paris, në kafenenë Old Navy, në Bulevardin Saint-Germain, ku e pata pritur për disa javë, gjersa e pashë të hynte porsi një vegim i mirëfilltë.
Ishte burri më i gjatë i përfytyrueshëm, me një çehre prej çilimiu të shthurur, i mbuluar nga një pallto e paskajshme e zezë, që ngjante më shumë me rasën e një vejani, kurse sytë i kish tejet të largët njëri nga tjetri, si të viçit, kaq të anuar dhe të tejdukshëm, saqë mund të dukeshin djallëzorë, po të mos ishin nënshtruar nga zemra e tij.
Vite më vonë, kur ishim bërë miq tashmë, m’u duk sikur përsëri e pikasa si atë ditë, ngase dukej sikur ta kish trilluar veten në një tregim të tij, ndër më të arrirët, “El otro cielo”, si një personazh latinoamerikan që sodiste kureshtar ekzekutimet në gijotinë, të përshkuar nga Cortázar kështu:
“Kish një shprehje të përhumbur e njëherësh tejet të përqendruar habitshëm, fytyrën e dikujt që është mpirë në një çast përçartje, duke mos pranuar t’ia lërë hapin pritshmërive”.
Gjëja e habitshme është që nuk pata guxuar t’i afrohesha Cortázar-it atë pasdite në Old Navy, nga droja. E kundrova tek shkruante përgjatë një ore, pa reshtur fare as për të menduar, pa pirë asgjë, përveç gjysmë gote me ujë mineral, gjersa nisi të mugëtonte përjashta, kur e rrasi stilografin në xhep dhe doli me fletoren nën sqetull, me pamjen nxënësit më gjatosh e të hajthëm në botë.
Asnjëherë nuk mora guximin t’i tregoja që në vjeshtën e trishtë të vitit 1956, e kisha soditur, pa guximin për t’i folur, në cepin e tij në Old Navy, megjithëse e di se kudo të ndodhet tani, do të më shajë me libër shtëpie për faj të ndrojtjes time.
Idhujt ngjallin respekt, admirim, dashamirësi, e patjetër edhe zili të madhe. Cortázar t’i ngjalltë tërë këto ndjesi, si shumë pak shkrimtarë të tjerë, por gjithashtu të shkaktonte edhe diçka tepër të rrallë: përkushtim!
Mbase pa qëllim, ai u shndërrua në argjentinasin që e deshën të gjithë përzemërsisht!”
Përkthyer nga: Elvi Sidheri
ObserverKult
Lexo edhe:
GABRIEL GARCIA MARQUEZ: ISHTE APO S’ISHTE DASHURI?
Gabriel Garcia Marquez (6 mars 1927 – 17 prill 2014) ishte një shkrimtar, skenarist dhe gazetar kolumbian i njohur me emrin “Gabo” nëpër të gjithë Amerikën Latine.
I konsideruar si një nga autorët më të rëndësishëm të shekullit të njëzetë dhe një nga më të mirët e gjuhës spanjolle, ai fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1982. Ai braktisi studimet për drejtësi me synimin për të bërë karrierë si gazetar.
Vepra e Marquez erdhi në shqip duke filluar nga fundi i viteve 1980 falë shqipërimeve të Mira Meksit, Aurel Plasarit dhe Robert Shvarcit.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
GABRIEL GARCIA MARQUEZ: ISHTE APO S’ISHTE DASHURI?
Gabriel Garcia Marquez (6 mars 1927 – 17 prill 2014) ishte një shkrimtar, skenarist dhe gazetar kolumbian i njohur me emrin “Gabo” nëpër të gjithë Amerikën Latine.
I konsideruar si një nga autorët më të rëndësishëm të shekullit të njëzetë dhe një nga më të mirët e gjuhës spanjolle, ai fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1982. Ai braktisi studimet për drejtësi me synimin për të bërë karrierë si gazetar.
Vepra e Marquez erdhi në shqip duke filluar nga fundi i viteve 1980 falë shqipërimeve të Mira Meksit, Aurel Plasarit dhe Robert Shvarcit.
Ai u bë i famshëm për një stil letrar të njohur si realizmi magjik, i cili përdor elementë magjikë në ngjarje të zakonshme dhe realiste.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult