Pashko Vasa: Pasurinë e sulltanit me e pasë ta hajnë kushërinjtë që ankohen!

pashko vasa shqypni

Pashko Vasa ishte njëri ndër rilindësit më të spikatur të Shqipërisë dhe njëri ndër iluministët e ndritur të kombit. Ai, tërë jetën dhe veprën ia kushtoi çështjes së çlirimit të Shqipërisë, arsimimit, kulturës, diturisë.

Janë të njohura letërkëmbimet e tij me familjarët dhe personalitetet e njohura vendore e ndërkombëtare të cilat “Rilindja” i pati përmbledhur dhe botuar në vitin 1989.

Më poshtë mund ta lexoni njërën nga këto letra e që ia kishte dërguar vëllait të tij, Nikollës.

Fort i dashur vëlla,

Sot kam marrë letrën tënde të dashur të 11 tetorit dhe gëzohem se je i kënaqur nga detyra dhe se punon me zell e këmbëngulje. Kështu duhet bërë për të hapur rrugën e së ardhmes në jetë. Kush punon me zellë, me nder dhe me besnikëri, gjen më në fund shpërblimin dhe e mira u vjen pak e nga pak atyre që dinë të sillen mirë dhe të jenë të durueshëm.

Sot është ditë poste për Stambollin dhe nëse Mektubgi im do ta mbarojë me kohë postën zyrtare, do të ta dërgoj letrën e rekomandimit që më kërkoje për Bahri pashën; nëse jo, duhet pritur deri në mbarimin e javës tjetër.

Me kënaqësi të them se të gjithë ne këtu gëzojmë shëndet të plotë dhe unë të falënderoj për urimet që më bën. Shpresoj se edhe ju andej gëzoni shëndet të mirë.

Vogëlushet e Rozës sime të gjorë janë shëndoshë e mirë dhe po rriten të bukura e të hirshme. Ato nxënë me shumë zell dhe Silva, që është tetëvjeçare, njeh mirë deri tashti frëngjishten e anglishten dhe po përvetëson muzikën për mrekulli. Ato janë ngushëllimi im dhe shpresoj se Zoti do të më japë jetë deri sa t’i shoh të lumtura në këtë botë.
Ime shoqe të përshëndet ty dhe gruan tënde. M’i puth fëmijët nga ana ime dhe ti vetë merr një përqafim zemre nga vëllai yt shumë i dashur,
                                                                                             Pashkoja.

P. S. Më shkruaj, të lutem rreth motiveve për të cilat Ganxheja ankohet shpesh lidhur me gjendjen e mjerueshme. Unë besoj se atë që kam bërë për të, edhe vetë i jati nuk do ta kishte bërë.

Por në Shkodër njerëzit e paskan zakon të ankohen dhe të qahen gjithmonë. Edhe Ageja**) e Gjon Gjokë Vasës më shkruan që ta ndihmoj.

Po ajo e fitoi çështjen e shtëpisë; pra ajo e ka një shtëpi, ka burrin e vet dhe, megjithatë, lyp lëmoshë. Duhet t’i bëhet e ditur se, në qoftë se do të duhej të ndihmoja një batalion të tërë kushërinjsh nevojtarë dhe të varfër të tjerë të Shkodrës, do të ishte dashur të kisha thesaret e sulltanit në dorë ose të bëhesha edhe unë i varfër si ata. Dhe çfarë besojnë këta njerëz? Se unë duhet të punoj, të vuaj, dhe të rropatem nëpër këto male të Libanit për të ndarë pastaj rrogën time me ata? Me të vërtetë qenkan të pacipë dhe pa farë dinjiteti njerëzor”.

29 tetor 1888, Beitedin. Letër autografe e nënshkruar Pasco” dërguar të vëllait, Nikollës, në Shkodër.

Arkivi Qendror Historik i RPS të Shqipërisë, fondi 61, dosja 6, letra 1.

Përkthimi në gjuhën shqipe:
– V. Bala, Letra të panjohura të Pashko Vasës…, Buletini shkencor, Instituti i lartë Pedagogjik, Shkodër, nr. 14, v. 1979, fq. 177.

“Beitedin”, 29 tetor 1888

*Shkëputur nga “Vepra 3” e Pashko Vasës, botuar nga Rilindja më 1989

pashko vasa shqypni

Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître», London 1887).

Ai zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve.

E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873).

Që nga viti 1883 e derisa vdiq, në qershor të vitit 1892,  Pashko Vasa shërbeu si Guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq.  Eshtrat tij u sollën në Atdhe në kohën e regjimit komunist të Shqipërisë.

E përgatiti: A. S.- ObserverKult

—————————————-

LEXO EDHE:

PASHKO VASA: O MOJ SHQYPNI, E MJERA SHQYPNI…