Nga Albert Vataj
193 vite më parë u lind Lev Tolstoi, një prej penave më të vetvetishme dhe vetëtimshme të shpirtit rus, kremtja më e hyjshme estetike e një botëkuptimi dhe gjeneze nga më të njimendtat që gatoi njerëzimi.
Një pjesë vitale, e dengur dhe e dehur nga hapësira e një lirie që formësohej mbi qiellin e tij, qiell i cili thyhet sapo ai kërkoi ta mbushte me fluturim, erdhi në jetë 193 vite më parë, më 9 gusht 1828, Lev Tolstoi.
Jeta dhe vepra e shkrimtarit të madh të “Ana Karenina”, “Lufta dhe Paqja”, dhe një galerie të pamatë romanesh e qëmtesash letrare, nuk copëzohen nga gjithçka që e gjurmoi deri sot e përgjithmonë, lavdia dhe misteri, filozofia dhe kumti i një shpirti të madh dhe një zemrë që kungonte liri. Një zot në zotërimin e tij mental dhe fizik. Një shenjtor që u përndoq nga ferri, nga demonët e asaj realeje, me të cilën u kacafyt deri në dakikun e mbramë. Luftoi, u përlesh, u kacafyt, nuk u nënshtrua kurrnjiherë. Në kryeradhën e përballjes vendosi një qëndresë kumtuese. Deri në çastin e fundmë, i tillë, kryenaltë dhe i vendosur. Cingëritëse dhe kushtrues ishte zëri tij, jo dhe aq prej yshtjes së një ateisti se sa njeriu mishi dhe ndjenjash, mendimi dhe qëmtimi, zemërate dhe shtërngimi.
Kungimi shpirtëror i papajtueshmërisë me çka ai e pa si heretike, u hodh si balsam mbi plagën e lirisë që sëmbonte, duke marrë krahët e zemrës së tij gjëmuese dhe duke u formëzuar: “Bota bëri çka dëshiroi, i lejoi kishës ta shpjegojë rëndësinë dhe synimin e jetës. Bota vendosi jetën krejtësisht të kundërt me mësimet e Krishtit, kurse kisha studioi veprat e shkruara me të cilat e la popullin të jetojë në kundërshti me ligjin e Krishtit, të jetojë sipas vullnetit të tij. Rezultati ishte se bota filloi të jetojë jetën më të keqe se në jetën pagane, kurse kisha jo vetëm që këtë e arsyetonte, por edhe e miratonte duke folur se kjo është në pajtim me mësimin e Krishtit …”.
Ikja, ashti si behja 193 vite më parë, përnjimend edhe si vepra dhe gjithçka tjetër e korpusit të tij human dhe letrar, shkrepën si vetëtimë në kaltërsinë e parëe dhe panoramimin që ai i mëtoi botës me kahjen e ndryshtë të vështrimit. Erdhi si një i krishter i devotshëm, dhe iku si një “murg” heretik. Lev Nikollajeviç Tolstoj, dha kontribut të madh letërsisë dhe historisë ruse. Pikëpamjet e tij filozofike, shqyrtimet në të cilat ai ka prezantuar idetë mbi Zotin, shpirtin, dijen, dashurinë dhe shumë pikëvështrime të tjera, mbeten të pavdekshme.
LEXO EDHE: Tolstoi: Adhuroj gratë që marrin gjithmonë atë që duan