Libër për shpresën dhe ata që nuk ia dolën

Nga Shtëpia Botuese “Armagedoni” këto ditë u publikua libri i dytë i gazetarit dhe poetit Bekim Muhaxheri.

Libri me poezi i titulluar “Në zemrën tonë dimri ka mbetur” merret në mënyrë të figurshme me pasojat që po lë pandemia e koronavirusit dhe mundohet të japë shpresë se gjithçka do të jetë më mirë pasi kjo e keqe të mposhtet.

Vjershat e kësaj përmbledhjeje janë shkruar kryesisht gjatë mbylljes totale pandemike në mars dhe prill 2020, por kapin një brez të gjerë temash: lirinë e ngufatur, rezistencën, luftën, detin, dashurinë e shpresën.

Botuesi Berat Dakaj në fjalën e tij thotë se Muhaxheri “me maturi, me përkujdesje gjuhësore dhe me vëzhgim të gjerë e të hollë ka rrokur për koke temat kryesore që shqetësojnë shoqërinë shqiptare”.

Vitin që shkoi Muhaxheri botoi librin e tij të parë po me poezi “Ëndrrat bëhen pranga”.