Libri i Barack Obama-s thyen rekorde, shiten mbi 3 milionë kopje

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, publikoi një muaj më parë librin e tij “A Promised Land”, i cili ka tejkaluar çdo lloj parashikimi për sa u përket kopjeve të shituara. Edhe pse ka kaluar vetëm një muaj nga hedhja në treg, deri tani janë shitur mbi 3 milionë kopje të librit.

Shtëpia botuese “Crown” ka njoftuar se shitjet e “A Promised Land” kanë arritur në 3,3 milionë në SHBA dhe Kanada dhe cilësohet se një nga librat më të shitur të presidentëve të kohës moderne.

Book Review: 'A Promised Land,' by Barack Obama - The New York Times

Në librin “A Promised Land”, Obama flet për zgjedhjen e tij në krye të Amerikës në vitin 2008 dhe gjithë çfarë ka kaluar gjatë asaj periudhe. Pritet që së shpejti të dalë edhe një vëllim i dytë për librin, por ende nuk ka një datë të saktë për publikimin e tij.

Librat “Dreams from My Father” dhe “The Audacity of Hope” që Barack Obama ka shkruar para se të bëhej president, kanë arritur shitje në mbi 1 milion kopje. Ndërsa librat e ish-presidentëve “My Life” i Bill Clinton dhe “Decision Points” i George W. Bush arritën shitje nga 3,5 deri në katër milionë kopje.

Ndërsa libri “Becoming” i ish-zonjës së parë, Michelle Obama, bashkëshortes së Obamas është shitur në mbi 8 milionë kopje në Amerikën e Veriut që nga viti 2018 kur ai doli në treg./konica.al