Libri i Tolsojit

 (L.N. Tostoj: Rrëfimi, Aleph, J&H, Prishtinë, 2021)

Nga: Adora Krasniqi

1.  Intro

“Rrëfimi” është autobiografia e një prej autorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Lev Nikolaevich Tolstoj, autor ky i veprave të mëdha, si “Ana Karenina” e “ Lufta dhe Paqja”. Në këtë vepër portretizohet më së miri jeta dhe mendimet e Tolstojit në moshën e mesme, i cili po kalonte nëpër një krizë ekzistenciale. 

Kjo vepër me temë individuale e motive personale, e shkruar prej perspektives retro ka  fill e fund ka diskurs analektik. Duke qenë se kjo vepër është autobiografi, koha në të cilën zhvillohet rrëfimi është objektive. Ndonëse i përkufizuar si tregim, “Rrëfimi” shkon përtej zhanrit të deklaruar në fillim, qoftë si strukturë, qoftë si shtjellim, duke  u shndërruar jo në një rrëfim mëkatesh, por një libër jete. 

2. Në kërkim të përgjigjeve të mëdha

Çdo aspekt i kësaj vepre mbështetet në një kërkim të një përgjigjeje të pamundshme për t’u gjetur. A janë pyetje të duhura këto: “Çfarë kuptimi ka jeta?”, “Çka ndodh me jetën time?” dhe “Përse ekziston krejt kjo që ekziston dhe përse ekzistoj unë?”? Ja kjo është edhe një pyetje më shumë që nuk ka përgjigje. Dy pyetjet e lartë përmendura janë pyetjet të cilat, ia shtroi autori vetes dhe të cilat e munduan atë për më shumë se një vit. Këto janë pyetje që çdo qenie njerëzore, pavarësisht moshës, i mendon herë pas here. Çdo e ashtuquajtur përgjigje, që mund të jepet nga njerëzit për këto pyetje, nuk mund të jetë e saktë! 

Shkencat ekzakte nuk mundën t’i jepnin as Tolstojit, e askujt tjetër përgjigjen jetësore, prandaj hapi tjetër do të ishte t’i drejtohej filozofisë spekulative. “Nëse filozofi, esencën e jetës, e cila gjendet në mua dhe në çdo gjë ekzistuese, e quan substancë, shpirt apo vullnet, filozofi gjithnjë thotë të njëjtën: se ajo esencë ekziston dhe që unë jam ajo esencë; mirëpo për çka është ajo, ai nuk e di dhe, nëse është mendimtar i saktë, nuk përgjigjet.” Kjo është fjalia që paraqet më së miri synimin e autorit. 

Në autobiografinë e tij, autori e bëri të qartë, se për një kohë të gjatë të jetës së tij, ai nuk arriti të gjejë përgjigje tjetër për jetën, përpos “Kurrfarë kuptimi.” dhe “Unë ekzistoj për shkak se ekzistoj.” Këto janë përgjigjet e vetme që i ofruan, atij shkenca eksperimentale dhe ajo spekulative. Të dyja këto shkenca kanë për qëllim studimin e njeriut dhe shfaqjen e madhështisë mendore të tij, por ato dallojnë për nga krahasimi i njeriut me shkakun final. Ajo eksperimentale nuk e përfshin shkakun final, ndërsa spekulativja po. 

Të lexosh një autobiografi të tillë do të thotë, si lexues, të mos jesh në gjendje të mbashë një qëndrim. Do të thotë të përthithesh në jetën e këtij autori dhe të futesh thellë në konfuzionin e tij. Tolstoji, gjatë zhvillimit të kësaj vepre bie në kontradiktë me vetveten, shumë shpesh. Në fillim, ai bazohet në përvojat e njerëzve, që i cilësonte si të njëjta me të. Ai vjen në përfundim se për njerëzit e rrethit të tij ekzistonin katër rrugëdalje nga jeta e mjerueshme: padituria, epikurianizmi, energjia (siç e quante ai vetëvrasjen), dobësia.

Nga të gjitha këto rrugëdalje, ai e cilësonte vetëvrasjen si atë që zgjedhin njerëzit e fortë. Ndërsa, veten, Solomonin, Shopenhauerin, Sokratin e Budën i kategorizon në grupin e dytë dhe të katërt. Ai flet për Solomonin, i cili edhe pse e di se jeta është e pakuptimtë dhe gjëja më e ligë që mund t’i ndodhë një njeriu, sërish vazhdon të jetojë në mënyrë që të shfrytëzojë pasuritë dhe kënaqësitë që i ofrohen, kurse për veten e Shopenhaurin thotë se janë të vetëdijshëm se cila është rrrugëdalja e duhur, por janë shumë të dobët për ta bërë atë. Ai madje thotë se për një periudhë një vjeçare u detyrua që të qëndronte larg gjërave të ndryshme në mënyrë që të shtynte veten të mos vetëvritej. 

Kjo është një pikë ku unë kam gjykuar mjaft rëndë autorin. Edhe pse ai e cilëson veten si të dobët se nuk mundi t’i jepte fund jetës së tij, sipas mendimit tim, ai ishte i dobët sepse i duhej një përgjigje për kuptimin e jetës, nuk i mjaftonte të jetonte për familjen e tij dhe nuk dinte të vlerësonte momentin  kulminant të jetës si moment stabiliteti, por e ktheu atë në një periudhë konfuzioni e mjegulle verbuese.

Megjithatë, në fund autori e shpreh pendimin e tij për këto mendime, të cilat edhe vetë i cilëson si të pakuptimta. Ai e sheh se mendimi që ai e Shopenhaueri ndanin për jetën, nuk ishte i saktë, sepse njerëzit kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë duke e ditur mjaft mirë kuptimin e jetës. Pas këtij ndërgjegjësimi, ai kupton se e vetmja gjë që i kishte dhënë kuptim jetës së tij ndonjëherë kishte qenë besimi në Zot. Ai thotë se në momentet kur ka besuar në Zot, jeta e tij ka pasur kuptim e ai ka qenë i lumtur, ndërsa kur ai humbiste besimin në një forcë më të madhe, jeta e tij merrte fund. Prandaj, ai i kthehet fesë dhe mundohet t’i përkushtohet asaj pa kusht, pa e kontestuar në asnjë moment, por shumë shpejtë e sheh që ajo do të jetë e pamundur. Sërish kishte filluar të dyshonte në po ato parime, që shumë vite më parë i kishte hedhur poshtë. Ai më në fund arriti të kuptonte se pyetjes së madhe: “Pse ekzistoj unë?” nuk mund t’i përgjigjet as shkenca e as feja, sepse nuk ka një përgjigje universale. Përkundrazi çdo njeri duhet të kërkojë arsyen personale pse ai jeton, qëllimin e paracaktuar jetësor të tij. 

3. Fiksion dhe ‘objektivitet’

Çdo shkrimtar mundohet që vepra e tij të jetë atraktive dhe kuptimplotë, por kjo është e pamundur në një autobiografi. Vetëm fakti se autori shkruan për veten dhe jetën e tij e bënë të pamundur objektivitetin. Të trajtosh me objektivitet jetën tënde, sikur të mos ta kishe jetuar, është fare e pamundur. Njeriu duhet ta trajtojë jetën e tij, sikur të mos ishte e tija kur shkruan për vetën e tij dhe kur lejon çdo individ të shikojë brenda zemrës dhe shpirtit të tij. Prandaj, ai shndërrohet në një makinë, që edhe faktet i trillon. Për mendimin tim, autobiografi pa fiksion nuk ka. Në këtë lloj letrar, fiksioni është i vetmi element që siguron pikën më të vogël të objektivitetit.

Është e pamundur të përfshihet e gjithë jeta e një personi, kushdo qoftë ai, në 78 faqe. Por Tolstoji arriti ta kapte thelbin e jetës, arriti të shfaqte rrugëtimin e qenies së tij në ato 78 faqe. Ai pasqyroi jetën e tij që nga fëmijëria, besimin e tij në fenë e krishterë ortodokse, humbjen e këtij besimi, pjesëmarrjen në elitën e cila ndjek “progresin” dhe në grupin e shkrimtarëve “mësues”, martesën, stabilizimin e jetës, mëdyshjen, konfuzionin, absurditetin, revoltën, vetëvrasjen, vdekjen, ringjalljen dhe ribesimin në krishterizëm. Të gjitha këto etapa të jetës, vetëm e vetëm për të kuptuar se esenca e jetës nuk është të jesh personi i përkryer, më i forti, më i zgjuari, më i respektuari. Por, çdonjëri duke shikuar pafundësinë e qiellit, duhet të kërkojë gjënë e cila i jep shpresë, durim, guxim, qëllim. 

4. Fragmenta vitae

Fragmentet e shkëputura nga jeta e Tolstojit dëshmojnë për qasjen supersticioze dhe pikëpamjen e tij ndaj jetës nëpër faza të ndryshme të rrugëtimit, për qasjen ndaj konceptit të “progresit” (i cili kishte përfshirë mendimet e mendjeve më të ndritura në kohën kur ai jetoi) dhe për konfuzionin që i shkaktoi ai. Në këto fragmente vërehet shumë qartë edhe gjendja shpirtërore e trazuar e tij.

Jam pagëzuar dhe edukuar në fenë e krishterë ortodokse. Atë fe ma kanë mësuar në fëmijëri dhe gjatë kohës së djalërisë e rinisë sime. Por, kur dola në universitet nga viti i dytë i studimeve, si tetëmbëdhjetë vjeçar, nuk besoja më në asgjë nga ato që më kishin mësuar. Gjykuar nga disa kujtime, unë as që kam besuar ndonjëherë seriozisht, por kam pasur besim në atë që më kishin mësuar, dhe në atë që para meje kanë besuar të rriturit; mirëpo ky besim ka qenë tepër i luhatshëm. Kur isha njëmbëdhjetë vjeç, më kujtohet se si një djalosh, nxënës i gjimnazit, i  cili tashmë ka vdekur, një të diele kur ishte te ne, na tregoi për një zbulim që kishte dëgjuar në gjimnaz. Zbulimi kishte të bënte me atë se nuk kishte Zot dhe se ajo që neve na mësonin ishte thjesht një trillim (kjo ka ndodhur në vitin 1838). Mbaj mend se si vëllezërit më të mëdhenj u interesuan për këtë risi dhe më patën thirrur edhe mua në bisedë. Më kujtohet se si të gjithë u gjallëruam dhe e morëm këtë lajm si shumë të mundshëm dhe interesant. (f.7)


2. Braktisja e fesë nga unë ndodhi ashtu siç ka ndodhur dhe ndodh edhe tani tek një njeri i arsimuar si unë. Siç më duket mua, kjo në rastin më të shpeshtë ndodh kështu: njerëzit jetojnë ashtu si jetojnë të gjithë, e të gjithë jetojnë me parime që jo vetëm s’kanë asgjë të përbashkët me doktrinën e besimit, por që në rastin më të shpeshtë, janë plotësisht të kundërta; besimi nuk merr pjesë në jetë, në raportet me njerëzit e tjerë kurrë nuk sjell konflikt dhe as ndodh që në jetën personale dikush të udhëhiqet nga ai; besimi mbahet diku atje larg jetës dhe i pavarur prej saj. Në qoftë se përballesh me të, përballesh si me ndonjë dukuri të jashtme, pa lidhje me jetën. (f.8)


3. Nuk mund të mos i kujtoj ato vite pa tmerr, urrejtje dhe dhimbje në shpirt. Vrisja njerëz në luftë, i sfidoja në duele për t’i vrarë, humbja në bixhoz, haja mundin e muzhikëve, i rrihja, bëja kurvëri, mashtroja. Mashtrime, vjedhje, imoralitet të çdo lloji, dehje, dhunë, vrasje… Nuk kishte krim që nuk e kisha kryer, dhe për këtë të gjithë moshatarët më lëvdonin dhe më konsideronin njeri mjaft të moralshëm
. (f. 11)


4. Pastaj, me të dyshuar në vërtetësinë e vetë fesë së letërsisë, fillova t’i vëzhgoja me shumë vëmendje priftërinjtë e saj dhe u binda që pothuaj të gjithë priftërinjtë e kësaj feje, shkrimtarët, ishin njerëz të pamoralshëm, shumica njerëz të këqij, me karakter të ulët, më të ulët se shumica e njerëzve që takoja në jetën time të mëhershme, të ngeshme dhe ushtarake, por që këta ishin të sigurt në vete, dhe të vetëkënaqur, ashtu siç mund të jenë njerëzit vërtetë të shenjtë, ose edhe ata që nuk e dinë se çka është e shenjtë. U neverita nga njerëzit, u neverita edhe nga vetja ime, dhe kuptova se kjo fe ishte mashtrim. (f.13)

5. Kështu, mënyra e ekzekutimit të dënimit me vdekje, gjatë qëndrimit tim në Paris, zbuloi pasigurinë e besimit tim tek progresi. Kur e pashë se si koka u shkëput prej trupit dhe si ajo u përplas për dërrasa, kuptova – jo me mendje, por me tërë qenien time, se asnjë teori e arsyeshmërisë së çdo gjëje që ekziston, as ajo e progresit, nuk mund ta arsyetonte atë veprim, edhe sikur të gjithë njerëzit e krejt botës, që prej krijimit të saj, sipas cilësdo teori, ta konsideronin këtë të nevojshme – unë di se nuk është e nevojshme, se kjo është e shëmtuar dhe se, për shkak të kësaj, gjykatës i asaj se çka është mirë dhe e nevojshme, nuk është ajo çka thonë dhe bëjnë njerëzit, as nuk është progresi, por është zemra ime. Çasti i dytë i ftillimit tim se besimi i zbrazët në progres nuk ishte i mjaftueshëm për jetën, ishte vdekja e vëllait tim. Njeriu i mirë, i mençur, serioz, u sëmur qysh në rini, u dergj më shumë se një vit dhe vdiq në mundime të padurueshme, pa kuptuar përse jetoi, e aq më pak përse po vdiste. Gjatë kohës së gjatë të vdekjes së tij të ngadaltë e të mundimshme, këtyre pyetjeve nuk mund t’u jepte përgjigje asnjë teori, as mua e as atij.

(Autorja ndjek leksionet në “Mileniumi e Tretë”)


Lexo edhe:

TAKIMI I MITRUSH KUTELIT ME TOLSTOIN