
“Libri i vjershave”, që u quajt në fillim “Poezia”, është përmbledhja e parë me poezi kineze dhe një nga 5 veprat më të famshme klasike kineze. Në të janë përmbledhur 305 vjersha të krijuara gjatë 500 vjetëve nga shekulli i 11-të para erës sonë deri në shekullin e 6-të para erës sonë. Disa prej këtyre vjershave janë të njohura pothuajse për çdo kinez.
Vjershat e këtij libri ishin në fillim tekste këngësh, që mund të këndoheshin ose të recitoheshin shoqëruar me muzikë dhe me valle. Ato ndahen në tri pjesë, të quajtura “Feng”, “Ya” dhe “Song”, afërsisht si termat e letërsisë shqipe “baladë”, “himn” dhe “ode”. Vjershat “Feng” kanë qenë tekste të këngëve popullore të krahinave të ndryshme të Kinës së atëhershme; vjershat “Ya” ishin poezi të oborrit mbretëror të dinastisë Zhou (nga shekulli i 11-të para erës sonë deri në shekullin e 3-të para erës sonë), kurse “Song” kanë qenë tekste të këngëve të lutjes në tempuj.
Sot në Kinë, edhe në lëndët mësimore të gjuhës të shkollave fillore dhe shkollave të mesme janë futur pjesë nga “Libri i vjershave”, që janë të kuptueshme për nxënësit, siç është vjersha “Minjtë e tokës”, ku thuhet: “Mos ma hani drithin, o minjtë e tokës! Jeni ushqyer gjithmonë me djersën time, por mua nuk më jeni mirënjohës. Betohem të largohem prej jush, për të jetuar në tokën e lumturisë.” Autori i kësaj vjershe kritikonte në mënyrë alegorike sundimtarët shfrytëzues, duke i quajtur në mënyrë metaforike “minjtë e tokës” dhe duke u betuar se do të largohej prej tyre për të jetuar në “tokën e lumturisë”, ku nuk do të shfrytëzohej më.
Radhët e autorëve të “Librit të vjershave” janë mjaft të ndërlikuara. Ndër ta kishte edhe aristokratë, edhe fshatarë. Meqenëse veprat e përmbledhura në të janë të krahinave të shumta dhe kanë përmbajtje shumë të pasur, “Libri i vjershave” u konsiderua si një akumulim kulturor i dinastisë Zhou të atëhershme dhe u bë lëndë mësimore për aristokratët në periudhat mjaft të gjata të shoqërisë feudale kineze. Prandaj edukata e leximit të “Librit të vjershave” ishte e domosdoshme për çdo aristokrat.
Shumica e veprave në “Librin e vjershave” pasqyrojnë jetën reale të atëhershme, ashtu siç thuhet në një këngë popullore: “I urituri u këndon ushqimeve, punëtori i këndon punës”. Këngët popullore kineze të periudhave të mëvonshme e trashëguan këtë traditë të mrekullueshme. Të gjithë poetët dhe shkrimtarët përparimtarë kinezë të periudhave të ndryshme, që treguan kujdes dhe ushqyen simpati për popullin, u përpoqën për ta çuar më përpara këtë traditë të “Librit të vjershave”.
Një pjesë e madhe e veprave në “Librin e vjershave” pasqyrojnë dashurinë e dëlirë të të rinjve dhe të rejave të asaj kohe. Për shembull, në vjershën “Një gocë e qetë” nga baladat e principatës Bei, përshkruhet takimi i një vajze me djalin që dashuron.
Vajza e ftoi djalin për takim në mbrëmje rrëzë murit rrethues të qytetit. Djali mbërriti në kohë, mirëpo nuk e gjeti vajzën dhe filloi të priste me padurim, por ajo nuk po vinte. Ai e dinte se s’kishte lezet që ta thërriste me zë të lartë, por nuk dinte se ku ta kërkonte.
Kështu që djali filloi “të kruante kokën dhe të përplaste këmbët”. Më pas, ai u gëzua pa masë kur vajza doli befasisht. Në fakt, ajo kishte ardhur më herët dhe ishte fshehur aty afër. Lexuesit mund ta marrin me mend se ajo u fsheh vetëm për të bërë shaka me djalin, ose dikush mund të thotë se ajo u fsheh për ta provuar atë. Sidoqoftë, kjo vjershë trajton plot me humor një dashuri të dëlirë.
Veprat në “Librin e vjershave” përshkojnë një periudhë të gjatë historike të krahinave të shumta kineze dhe kanë kaluar një proces shumëvjeçar të grumbullimit, të klasifikimit dhe të redaktimit me punën e njerëzve të shumtë, prandaj themi se këto vepra pasqyrojnë nivelin e krijimtarisë poetike në Kinën e lashtë. Pjesa më e madhe e tyre kanë vlerë shumë të madhe artistike.
Për shembull, në vjershën “O, burri im” nga baladat e principatës Vei, autori përshkroi me pak fjalë mallin e një nuseje për burrin e saj që shërbente në ushtri në vise të largëta. Në këtë vjershë shkruhet: “Qëkurse u nise për në lindje, flokët i kam si shkurre.” Duke përshkuar pamjen e saj të jashtme, autori tregon botën shpirtërore të nuses, që përtonte për arsye të mërzisë dhe nuk donte as të krihte flokët.
Qarqet letrare kineze e vlerësojnë lart “Librin e vjershave”, duke e quajtur “pikënisja e letërsisë realiste kineze”. Si nga këndvështrimi i vetive ideore, ashtu edhe i vetive artistike, këto vjersha tregojnë se letërsia kineze u zhvillua shumë herët.
“Libri i vjershave” ushtroi një ndikim të thellë e të shumanshëm në letërsinë e brezave të mëpasshëm, duke u lënë atyre shumëllojshmërinë e krijimtarisë poetike, siç janë poezia lirike, poema epike, vjersha e punës, kënga e dashurisë, kënga e lutjes, himni luftarak, kënga e zisë, kënga përkujtimore, odja, poema satirike etj.
Në saje të veprave në “Librin e vjershave”, jo vetëm u zgjeruan temat e krijimtarisë poetike dhe u përsosën gjinitë e vjershave të brezave të mëpasshëm, por edhe u poq më tej metoda kineze e krijimtarisë poetike. Me një fjalë, “Libri i vjershave” është trashëgimi e çmueshme e letërsisë kineze.
ObserverKult
Lexo edhe:
“E NDËRTUAN ENGJËJT”/ VEND I SHENJTË DHE MAHNITËS ME KISHA “TË VARROSURA” NËN SHKËMB