Shtëpia botuese Kava Pech në Çeki, e specializuar në botimet e letërsisë botërore, përkthyer në esperanto, para disa ditësh ka nxjerrë nga shtypi librin me poezi “Mi venos kvazaŭ la morto” të poetes dhe studiueses Donika Dabishevci, ku përfshihen të gjitha poezitë e librit “Kam me ardhë si deka”.
Poezitë e Dabishevcit u përkthyen nga esperantisti i njohur shqiptar, z. Bardhyl Selimi, dhe u botuan në kujdesin e botuesit Petr Chrdle.
Recensentë të librit në esperantishte janë: Birgitta Anevik, Mikaelo Bronŝtejn, Jimmy Stryhn Meyer dhe Jozefo Horváth, ndërsa dizajnin e ka bërë Arber Murturi.
Po i njëjti libër i Dabishevcit para një muaji u botua në gjuhën maqedonase. Kjo falë Shtëpisë Botuese Rezna, në krye me Hashim Baftiarin, në përkujdesjen e së cilës libri “Kam me ardhë si deka”, e Dabishevcit është botuar në Maqedoni. “Ke stasam kako smrtta” titullohet libri i përkthyer nga shkrimtari dhe studiuesi Ahmet Selmani, i cili po ashtu ka dhënë edhe një mendim kritik e analitik në parathënien e librit. Redaktore e librit është Marta Markoska, lektore Liljana Pandeva.
Libri “Kam me ardhë si deka” i Donika Dabishevcit, u botua për herë të parë në vitin 2015 nga Shtëpia Botuese OM, në Prishtinë, ndërsa ka pasur vlerësime të shumta nga kritika dhe lexuesit. Në vitin 2023 u ribotua nga Shtëpia Botuese Littera.
Në vitin 2017, ky libër është përkthyer në gjuhën italiane nga Gëzim Hajdari i cili ka shkruar edhe parathënien, dhe është botuar nga Shtëpia Botuese Essemble në kuadër të kolanës Alter Poesia. “La tua Robinja”, titullohet libri botuar në Romë.
Poezi nga ky libër, kryesisht në formë ciklesh tashmë janë përkthyer në 11 gjuhë. Ato flasin në gjuhën angleze, gjermane, frënge, italiane, suedeze, bullgare, rumune, turke, serbe, maqedonase, esperanto dhe janë botuar në antologji apo revista letrare të vendeve përkatëse.
ObserverKult
Lexo edhe:
“KE STASAM KAKO SMRTTA”, POEZITË E DONIKA DABISHEVCIT FLASIN NË MAQEDONISHTE
RIBOTOHET LIBRI “KAM ME ARDHË SI DEKA” I POETES DONIKA DABISHEVCI