Lili i revoltuar

halil matoshi the lil's poem

Albert Kamy thotë se “Një nga të vetmet qëndrime filozofike koherente është revolta”(Miti Sizifit) dhe në vazhdë të saj, unë e shoh Matoshin në grupin e mendimtarëve të revoltës. Shtjella e tmerrshme ku gjendej qenia e njeriut shqiptar për disa dekada, Matoshin do ta kaliste për ta përkufizuar në njeri të revoltuar e rebel përballë fashizmit, siç paraqitet ai në poezi, por edhe në diskurset e tjera letrare, e edhe filozofike e politike.

halil lili mërgim bekteshi lilit

Nga Mërgim Bekteshi

Në vitin 2023, Shtëpia Botuese ‘’Littera’’ u përkujdes për botimin e  librit me poezi ‘’THE LIL’S POEM’’ ku përfshihen mbi tetëdhjetë poezi të pandara në tufa, prandaj lexuesit i mbetet t’i selektojë vetë ato. Në librin e tij të mëhershëm “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe’’(Prishtinë 1994), Halili thotë: “të gjithë lexuesve të mirë të Borhesit dhe sime bijë Artianës, paçin bekimin e Perëndisë’’(f.9). Vërehet se edhe në përmbledhjen e vitit 1994, por edhe te kjo e fundmja e 2023-shes, Matoshi u drejtohet lexuesve që janë besnikë të vargut poetik. Në këndvështrimin ideor, Matoshi, si njohës i filozofisë, e mbërthen vargun me njohuritë e përgjithshme universale, bën edhe përgjithësime, por i qëndron besnik zanafillës poetike, vargut poetik. Si shembull mund të merret poezia “Gruaja që zhduket”: U shfaq si asteroid i frikshëm/ që munet përshesh me ba tokën hi(f.11) apo kur poeti tenton të ngjitet edhe më lart: Sytë që keshin e bajnë Zotin/ të dokshëm mbajtës shandani (f.15). Mundimi për të zgjidhur disa enigma është peshë e rëndë që poeti e sfidon me të menduarit racional kur kërkon Dëshmi se Zoti nuk asht mizor, apo dëshmi se njeriu nuk është qenie e pabesë, dëshira që Matoshi i mendon se janë të parealizuara.

Në gjithë rrugëtimin e poemës së Matoshit,ku kalohet nga një trajtë në trajtën tjetër, tiparet e tërësishme të njeriut kapin tendencën për të kaluar kufijtë, gjejmë shtjellime për fëmijëroren e njeriut që e personifikon vetveten, pastaj shpesh plasin shtëllunga ballkanase të cilave edhe ua ka frikën kur thotë: deka na u ngjit me këmishën/ u rritëm pa kanë kurrë fmi (f.19). Përvuajtja apo skenari i robërisë është ngjitur në çdo varg të poemës, edhe atëherë kur i thur vargje dashurisë p.sh.: Sa herë dëshprue e mbetun n’errsinë kam sharru/ n’terrin e mendimeve/ Tue ia nxjerr thelbin lirisë (f.27). Janë  edhe tema të tjera që prekin mendësinë ballkanike si: Me thanë fjalën e duhun/në vend të gabuam të varin/ Në vend të duhun të shpërfillin (f.31), apo më tej kur shprehet, ankohet se sado që të bësh punë të mira askush nuk të lumturon me fjalën ‘’bravo’’. Ngushëllimin e nxjerr kur kujton lartësinë e disa personaliteteve si të presidentit historik Ibrahim Rugovës, të regjisorit Bekim Lumit apo të heronjve Beqir Gashit e Mujë Krasniqit. Po i citoj disa vargje të Matoshit për Bekim Lumin: para revolucionit/i vu shejat dhe u largue nga skena/refuzues e rebel mbi pirgje shëmtie (f.34).

Në librin ” The Lil’s Poem” ka edhe poezi për vuajtjet e tij dhe të bashkëkombësve që u dergjën në burgje e kampe përqendrimit. Poeti ishte vetë i burgosur për shkak të revoltës, për kauzën e drejtë që u shpagua në fund shekullin e kaluar, por duke e ruajtur modestinë, përshkruan vetëm gjendjen kaotike: kur këputën hallkat dëgjohet/nji rënkim i shkurt si kërhatje/ e kur janë të nxetë lëshojnë tingull (f.41). Disa poezi që i shkrin me tërë qenien janë ato për heronjtë e gjallë që lanë gjymtyrët për atdheun, për të masakruarit që vdesin me identitetin e tyre të hedhur në një gropë (poezia Humbetina f.45) apo poezia E lirë lexon tregime lufte (f.144): E blej veç një këpucë/ e ma lirë ma qet/më mjafton nji kamb/me prek tokën e lirë tha një veteran, apo kur tjetri mësohet të shkruajë me dorën e majtë si pasojë e humbjes së dorës së djathtë (po ashtu veteran).

Poema e Matoshit shpesh të shpie te disa mendime filozofike të Niçes. Shikuar kështu do t’i veçoja vargjet: Shqiptari që mbeti gjallë/ e lyen me lloç korën e jetës (f.99) apo vargjet e një poezie tjetër për njeriun shprehur metaforikisht: evolucioni u ka shkurtu kambët/ e zgjatu udhët (f.126). Në këtë evoluim poetik, poeti shpesh mbërthehet edhe nga mallkimi, nga zënka, angështia, përbuzja e qenies: Së pari ishte asgjëja/pastaj fjala (f.75) dhe shkon më tej si Niçe duke kërkuar mbinjeriun: Njeriu doli nga zemra e territ/ zuni besë në nji Zot që i premtoi ditën.

Si në librin “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (Prishtinë 1994) edhe në ‘’The Lil’s Poem’’ Matoshi  është po ai poet i revoltës apo, siç thotë populli, “qafë shkurtë”. Gjërat i thotë hapur, troç dhe pa ngurrim me një gegnishte të zotëruar me lehtësi, në poezi të mbruajtura nga thellësia filozofike, materien dhe idetë e të cilave Halili i trajton me kujdes e besa edhe me sinqeritet.

ObserverKult

Lexo edhe:

KUR JETA, MENDIMI DHE POEZIA BËHEN NJË/ RECENSION PËR LIBRIN “THE LIL’S POEM”