Linda Agolli: Nuk ishte më…

Po sonte kur të zhdukemi bashkë Do zhdukemi bashkë? Përmbi shkëmbinj majë gishtash të qëndrojmë Nën ujë të puthemi pa frymë Përtej shtatë qiejsh të shtegëtojmë.

Nga Linda Agolli

Unë jam Duart. Vazhdoj të end pëlhurën që nuk e di kur e kam nisur, a ndoshta dikush tjetër para meje e ka disenjuar. Nuk di as ku i kam gjetur grepat, format, dredhkat, bisqet, degët, jelet. Të gjitha erdhën vetë dhe u dyndën në pëlhurë.
Dikur pata folur me Binjaken dhe i pata thënë se emri im nuk ka kurrfarrë kuptimi pa Fillin.
Ç’fill, ma pati kthyer ajo. Çdo lloj, ia preva. E pashë si shqeu sytë dhe ngriti supet, pastaj me sa kujtoj, m’u bë se dëgjova një “ja, pa ta shohim njëherë!”
Në krye të herës ishte Fill. Nga ai i absurdit. Shkëlqente si jargë kërmilli riosh. Më joshte si me magji dhe për kaq ditë e netë, e ndiqja. Ndonjëherë, ai shkëlqim zhdukej s’di ku; merrte nuanca gri, fillimisht të çelura, e pastaj zgjatej e zgjatej derisa humbte diku nëpër terr dhe bëhej njësh me të. Heraherë shfaqej, më fshikullonte me shtiza tinzare shkëlqimtare dhe pastaj zhdukej po aq papritmas.
Një ditë u lodha. Lëshova një “ufff” tërkuzë dhe ktheva shpinën. Ndjeva ngricë. Hodha sytë rrotull dhe zhbirilova terrin. M’u bë se i pashë skajin Fillit dhe u përkula ta mbërthej me thonj. Nuk ishte më!
Unë end. Binjakja kërcen nga një kaçube aty pari dhe del nga errësira. Merre këtë, më thotë, dhe më zgjat një fill që duke e mbështjellë, bëhet një top i madh. Ç’të bëj me këtë?! Pëlhurën, ma kthen, ti je Duart dhe mund të thurrësh më të bukurën.
Unë jam Duart dhe në radhët e para qëndis thonjtë. Kapem pas tyre dhe gdhend boshtin. Pastaj e vesh me degëza e sythe. Ditët kalojnë, unë end, Filli nuk shterret. Rradhë pas rradhe shkëlqen i mëndafshtë, i butë, i rrëshqitshëm. Binjakja më ndjek me të gjitha shqisat. Para pak po më thoshte se nuk jam më Duart.
Kushedi ç’ka ndërmend ndonjë emër tjetër, dua të them diçka tjetër, që edhe ajo thurr por e padukshme…

*Titulli i origjinalit: “Pëlhura”


Lexo edhe:

LINDA AGOLLI: DO ZHDUKEMI BASHKË?

ObserverKult