Përkujtim për bijën time Lindën, në tremujorin e kalimit të saj në amshim
Nga Xhabir Ahmeti
Në buzëqeshjen tënde, Lindush, fshihet një botë e madhe
Lindush, u bënë tre muaj që s’të kemi pranë, kurse ne prindërit e tu, çka mund të bëjmë ne, ne rrimë në qetësinë e tmerrshme të banesës, të cilës Ti edhe yt vëlla Lurani i jepnit kuptim e jetë. Tash kur s’ju kemi pranë është krejt ndryshe, banesa jonë nuk është më banesë, por një oqean kotësie, një xingonë mbi të cilën rri lëvarur një fener i zbehtë dhe në zgrip digjen dy qirinj – vëlla e motër – për të bërë dritë mbi vetminë tonë, mbi dhembjen tonë; është një banesë që nuk shërben për asgjë tjetër përveç se për t’i mbledhur fjalët më të mira të gjuhës sonë me të cilat shkruhen kujtimet të cilat na i keni lënë në rrugën e shkurtër të pleqërisë së mundimshme që na ka mbetur ta kalojmë me dhembje e pikëllim në perspektivën pa shteg. Hë, edhe për diçka shërben kjo banesë, po – ta shohim fotografinë me portretin Tënd që qëndron para nesh me buzëqeshjen e papërsëritshme brenda së cilës fshihet një botë e madhe ku mbretëron dashuria e pafund. Aty mund të lexohet ajo mrekullia që gjëmon duke përshkruar klithmat nga ngushtica e njeriut të mirë e të pambrojtur të ngujuar në boshllëkun e trungut.
Lindush, mbrëmë për herë të parë babi shkova në një manifestim letrar pa Ty. Ishte një punë shumë e vështirë për mua të nisem vetë dhe ishte shumë e vështirë edhe për mamin Tënd që të dalë te dera të më përcjellë mua pa Ty. Mirëpo ishte diçka që lidhej aq shumë me Ty. Dhe, shkova.
Shoqet Tua të ngushta Xhemazija dhe Vjollca na befasuan këndshëm sepse e kishin vazhduar projektin Tënd letrar SHKUPI LEXON (të cilin e ndërpreu politika) duke ia kushtuar shkrimtarit tonë të papërsëritshëm Ismail Kadare. Por, me këtë rast që të dyjat nuk e lanë pa shprehur mirënjohje të thellë edhe për Ty për një varg manifestimesh SHKUPI LEXON të cilat i organizoje me përgjegjësi e dashuri të madhe për krijuesit letrarë.
Ato shprehën gatishmëri që ta vazhdojnë punën Tënde, sepse Ti e kishe ëndërr që këtë manifestim ta bëje tradicional. Jam i sigurt se do ta vazhdojnë, Lindush. Dhe do ta realizojnë bukur, siç e kishin realizuar edhe mbrëmë, ku dëshmuan se të kanë dashur dhe të kanë respektuar. Dhe se angazhohen për të të kujtuar Ty dhe për ta ngritur kulturën e kujtesës kolektive.
Pas këtij manifestimi vjen kthimi në banesë. Heshtja e madhe dhe në atë heshtje fillojnë të gëlojnë kujtimet të nxitura nga shumë librat me mite, romane tregime, ese, nga biblioteka familjare dhe shënimet tua. Dalin si yjet kur shfaqen me të rënë të territ. Xixëllojnë. Banesa e kanosur nga zbrazëtia, por ajo nuk e merr dot pushtetin e plotë, sepse këto yje dalin nga vargjet tua dhe janë gjurmë të ndritshme të erosit, dalin nga përpjekjet tua sizifiane për t’i hapur dyert e suksesit në poezi, në letërsi përgjithësisht dhe në punën kërkimore. Lindushi ynë që iu bashkove vëllait Tënd – Luranit.
Ju duam shumë!
ObserverKult
Lexo edhe:
MIQTË E PIKËLLUAR NGA HUMBJA E LINDITA AHMETIT/ U PREHSH NË PAQE, POETE!