Lirika e mallëngjimit

Nga Mërgim Bekteshi

Shani Pnishi i takon gjeneratës së studentëve poetë, koha e të cilëve ishte mbyllur në brendinë e humbjes së lirisë dhe përkushtimi për identitetin e nëpërkëmbur të kombit donte mund të madh, sakrifica, edhe të jetës. Kjo gjeneratë ishte ballafaquar me dëbimin nga objektet e universitetit, i ndiqnin studimet në kushte të vështira, larg syrit vëzhgues të armikut. Poezia dhe publicistika mbetën mjetet jetike të autorit për të shprehur akumulimin në tezgjahun e vargut të shqipes.

Pas librit të parë me poezi “99”, libri i tij i dytë, “Këtu dhe atje”, dalë nga shtypi më 2018 nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, paraqet trajektoren goditëse të autorit, që fokuson tri nocione shumë përkufizuese: Jetën, Etnon dhe Erosin. Kjo trilogji e përkufizimit ballkanas, e pashmangshme në vorbullën e ngjarjeve të shekujve që lamë pas dhe këtij që po ndjekim, preku edhe ndjenjën e poetit Pnishi. Në këtë përbërje strukturore,  pa u futur në nocionet e trilogjisë, paraprin (si prolog) Poezia dhe përmbyllja është me poezinë Nëse më lexon.

Në prolog, autori shqetësohet për vargun poetik, kujdesin e shthurur ndaj statuseve satirike të rrjeteve sociale duke lënë pas dore leximin e mirëfilltë:

Poezia po vdes

tha miku

derisa më shihte tek mbaja

një libër poezish në dorë. (fq.5)

Ndërkaq, në epilog, është poezia që ngjan me një zgjatim të pas leximit të trilogjisë, nga këndvështrimi i lexuesit si redaktor, mësues, grua, armik dhe nënë.  

Autori i vështron jetën, kulturën, zhvillimet shoqërore, por jeta prej më se dy dekadash larg atdheut, në Kanada, bën që mallëngjimi shpesh t’i dalë në pah si lëngatë në të tri pjesët e librit, edhe te pjesa e erosit.

Kuptimi për jetën ndeshet me endjen e shpirtit “Këtu dhe Atje”, autori shkruan larg atdheut dhe pasthirrma figurative trajtohet me një leksik të veçantë, jo me rënkimet që hasen në jetën e përditshme si ah!oh!, por p.sh.: “ec nëpër damarët e gjerë të përpjekjes” (fq. 10) apo në një poezi tjetër, ku një poet shkruan me dashuri për natyrën e jetën e begatë, kurse vdekja i vjen nga vetëvrasja.

Në tërë pjesën e parë të librit, Jeta, poezitë shpërfaqin materien e gjallë organike që ngjizet për t’i dhënë kuptim ekzistencës së qenies së njeriut në tokë, më saktë në atdheun e autorit.

Bërthama poetike e librit është pjesa Etno, lirika e mallëngjimit, që autori e ndien,  e kujton dhe ia nxitë ADN-në për freskimin e kujtimeve të shenjta për atdheun, fëmijërinë dhe prekjet e tjera sentimentale, shpesh ndoshta edhe duke krijuar mëdyshje:

Kur jeton në mes të dy vendeve

mund t’u takosh

të dyjave ngapak

ose

asnjërës. (fq.73)

Rrafshnalta e fabulës si gjithmonë kthehet te celula e shoqërisë, familja. Ajo përbën strofullën më emblematike për autorin, aty gjen prehjen, sentimentin, idilin, mëshirën, vlerën më të afërt të ngushëllimit:

Para lufte

baba

shtynte murin me gjoks

e me brinjë të thyer

nën plis i rrinte n’i trohë shpresë lirie. (fq.83)

Po me këtë ritëm kthehet me zhgënjimin lidhur me atdhetarët e rremë, që trumbetuan për lirinë dhe shembën vlerat e atdheut, nëpërkëmbën, përbuzën deri në palcë:

Pas luftës

Politikanët e Rinj

e pshurrën

nga këndi në kënd. (fq. 83)

Në pjesën e tretë, Erosi, autori tundohet si çdo qenie njerëzore, që preket nga dashuria, ngulitet pas aromës ndjellëse, që e lë në Purgator gjatë shijimit:

Një ditë

mund të fshihem

në flokët e tua të dendura

e ti të piqesh në ashtin tim

të fortë. (fq. 106)

Me këtë strukturë dinamike brohorasin një numër i madh i poezive në këtë pjesë të Erosit, por janë edhe përjashtimet, pra shpesh vargu bëhet alegorik dhe fabula bjen në tjetër rrafsh të kontestimit.

Nga ana gjuhësore, vargjet ndërtohen përmes standardit, edhe pse, herë pas herë, me dashje, autori përvjedh elementin krahinor për ta bërë më të qartë porosinë apo elementin përbërës të njohjes me aktin. Në përgjithësi vargu është i lirë, ka një simetri mes vargjeve dhe lidhshmëria e strofave nuk përbën ndonjë abstraksion apo kontradiktë që do të mund të tingëllonin të bezdisshme, të atij lloji vetëm sa për të tërhequr vëmendjen.  

Në përkufizimin e fabulës poetike, Shaniu konkretizon temat aktuale, mbi të gjitha vërehet mungesa e atdheut, një mallëngjim që ka për vendlindjen, kohën e fëmijërisë dhe të fshehtat e tjera që i përcjell përmes vargut poetik. Në këtë dimension vërehen edhe njohuritë e përgjithshme të autorit që e përcjellin në hap me vargun. Në të tri pjesët e librit, Jeta, Etno dhe Erosi (përveç koncepte, janë edhe emrat e të tre fëmijëve të autorit),shprehet jeta e përgjithshme dhe shndrit korrektësia e artit në vargje.