Littera sjell për lexuesit librin “Amë” të Nora Prekazit

nora prekazi

 

Shtëpia Botuese Littera ka botuar librin e parë me poezi të poetes Nora Prekazi, titulluar “Amë”.
Librin tashmë mund ta gjeni në librari.
Botimin e këtij libri e mbështeti Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Për librin

Vlora Konushevci: Në kërkim të jetës me ngjyra

përkthimin vlora konushevci alternative war

Poezia mëton t’i eksploroj të fshehtat dhe kompleksitetin e pozitës dhe gjendjes njerëzore, pavarësisht këndvështrimit, qoftë atij gjinor, apo përvojave jetësore. Sidoqoftë, libri që e keni në dorë është shkruar nga një poete e ndërgjegjshme për pozitën e gruas e cila përmes vargut të saj ironizon me stereotipet shoqërore dhe paralelisht bën thirrje për një shoqëri të hapur, sepse siç thotë Simone de Beauvoir ”Grua nuk lind, grua bëhesh”. Kjo nënkupton që gruaja nuk lind pasive, dytësore me role biologjike dhe shoqërore, por ato imponohen nga rrethi dhe shoqëria. Situata e përcakton karakterin dhe jo anasjelltas andaj çdo individ, pavarësisht gjinisë, ka të drejtën e subjektivitetit.   

Nora Prekazi vjen me librin e saj të parë “Amë”, me një zë të fuqishëm individual dhe urban në kërkim të së vërtetës dhe jetës me ngjyra. Libri i saj është i ndarë në tri cikle të cilat janë emërtuar me tri ngjyra: “E Hirtë”, “E Kaltër” dhe “E bardhë”.

Ngjyrat këtu nuk kanë vetëm karakter simbolik, megjithëse simbolizmi është një mjet letrar që përfshin përdorimin e elementeve simbolikë për të përfaqësuar diçka më të thellë se kuptimi i tyre i mirëfilltë. Nisur nga këndvështrimi historik përdorimi i ngjyrave në poezi daton që nga kohët antike, duke filluar nga Sappho, poetja e mirënjohur, e cila është shërbyer me simbolikën e ngjyrave në veçanti me të kuqen, ndërkaq Homeri me ngjyrën e bronztë për ta shpërfaqur fuqinë. Pasues janë edhe: Robert Frost, Edgar Allan Poe, Emily Dickinson etj.

Autorja përdor mjeshtërisht ngjyrat që shërbejnë për të dalluar dhe paralajmëruar gjendjen shpirtërore sa të thjesht, po aq edhe dramatike, sepse ngjyra në poezinë e Norës nuk është thjesht vetëm simbolikë apo element dekorativ, ajo është hapësirë krijuese, është tokë ku ajo e hedh farën.

Cikli “E Hirtë” hapet me poezinë pa titull, siç janë edhe një pjesë e mirë e poezive të Norës, ku misteri i admirimit, dëshirës dhe vetëpërmbajtjes zbulohet dhe befason këndshëm me vargun e fundit. Në këtë cikël poetja trajton dhe ballafaqohet me veten përball njëtrajtshmërisë së bezdisshme të qytetit dhe botës që e rrethon si dhe me absurditetin e adhurimit të gjërave sipërfaqësore. 

Me fëmijërinë, frikat, ëndrrat, pritjet për të ngre një dolli…

Në poezinë mbi vardisjen (fq. 10), poetja e fton lexuesin të heq dorë prej frikës, mëdyshjeve dhe kontradiktave duke dhënë edhe verdiktin më të bukur në vargjet:

“Nuk ka fitues në mes dezertorësh.
Medaljet tani kanë dalë mode,

kur i hasim në duar të çdokushit.
Po çuditërisht ti akoma përgjërohesh
Për ndjesinë e atij metali në dorën tënde,
Mëkat!
Shkurajohem duke parë
Si shëmtohet bukuria jote mishtore,
Nga kërkimi absurd!

Këtu shohim atë që Sartri do ta quante  “Poshtërimi i arsyes”. Zhgënjimi apo dëshpërimi është koncept ekzistencial me të cilin Sartri nënkupton gjendjen e pranimit që qeniet njerëzore pranojnë se kanë kufizime. Pra, fakti që gjërat ekzistojnë pa arsye apo shpjegim – është absurdi dhe ai duhet të përjetohet nga dora e parë nëse dikush do ta kuptojë atë vërtet siç ka bërë në këtë rast Nora.

Në poezinë me titullin “Kësaj si thuhet poezi”, poetja që në titull lidhet hollësisht me ironikën, por edhe poetikën për ta çuar përpara qëllimin e saj estetik përmes elegancës, por edhe vrazhdësisë. Poezi e revoltës dhe protestës kundër kiçit, qenve endacak, reklamave dhe mediokriteteve tjera që kanë marrë rolin e perëndive në qytetin e ndarë, sepse poetja është dëshmitare e kohës dhe vendit ku jeton dhe është folëse me identitet koherent me të hirtën përdore, e cila sikur e ndihmon t’ia dalë mbanë. 

Në ciklin me titullin “E Bardhë”, njësoj sikurse simbolizon edhe ngjyra e bardhë mirësinë, pastërtinë dhe pafajësinë poetja na fut në botën e lirikave të dashurisë dhe dorëzimit të pa kusht ndaj saj. Në një botë ku gjithçka është dinamike, folësi në poezinë e Norës kërkon të ngadalësoj, ta shijoj dashurinë dhe verën e kuqe, ta përdorë dashurinë edhe si lëvozhgë mbrojtëse ndaj “hamamllëqeve” dhe bashkë të krijojnë jetë.

Të vetmen gjë të bukur që e prodhon lufta është liria, të tjerat janë të pista përveç forcës letrare për të rrëfyer në vargje dëshmitë dhe përjetimet që mos të harrohen kurrë. Poezia ime e parapëlqyer e Nora Prekazit është ajo me titullin “Ode mocanikëve”. Këtu poetja edhe në aspektin stilistik edhe atë tematik ju flet bashkëmoshatarëve, por edhe ne të tjerëve na rrëfen për gjeneratën e saj. Poezia ngërthen në vete aq shume elemente dhe detaje që ofrojnë imazhe të gjalla mbi periudha dhe gjenerata të tëra të këtij vendi. Kjo poezi mund të shërbej edhe si një regjistër i përvojave të pajetuara, një jete të ndarë në dysh në qytetin e ndarë në dysh. Vargu i saj ndërthuret për të krijuar një peizazh elegjiak, por pa klishe, me kompozim të pasur që është jashtëzakonisht njerëzor. E papërpunuar dhe lirike por me rrënjë të ngulitura thellë në kujtimet e gjeneratës.

Në poezinë e fundit me titullin “Amë”, siç është edhe titulli i librit, poetja na flet për ndërgjegjen dhe pushtetin mbi veten dhe rolet e shumta që gruaja i ka në shoqëri. Stereotipizimi dhe futja në kallëp e grave pra konstrukti shoqëror në shoqëritë patriarkale i ka dhënë gruas role, por jo subjektivitet. Poetja me ironi shpërfaq edhe konstruktin ideologjik të riprodhimit, të cilin shoqëria e ka ndërtuar:

“Jam amë
E lindur bilogjikisht për tu riprodhua
E mësuar të jem në gatishmëri
Qoftë për vnerin, qoftë për dritën
Qoftë edhe veç zhurmën
Gjithmonë me masa të gatshme e të domosdoshme  edhe për  pastrimin e jashtëqitjeve”

Libri “Amë”, është i pari i Norës  me poezi, ndaj jo rastësisht mbanë këtë titull, duke qenë se në aspektin gjuhësor, ama është burimi, apo gurra. Njësoj, Nora hap ciklin e krijimtarisë së saj me “Amë”, ngase siç ndodh zakonisht burimi supozohet të jetë i pashtershëm, njësoj siç urojmë të jetë krijimtaria e saj.

Nora refuzon ta shoh botën bardh e zi, ndaj bota e saj është në kërkim të ngjyrave. Këto ngjyra i japin kuptim jetës, e paraqesin atë në të gjitha dimensionet e saj, duke hapur debat, ngre dilema dhe ndeshur teza.

Ka një predominim të lehtë të së hirtës, ndoshta me të drejtë, si një shpërfaqje e ngjyrës së jetës sonë nga vitet e fundit, e cila është patjetër e ndikuar nga periudha e tranzicionit, trendet dhe zhvillimet globale, luftës dhe krizës ekonomike.

Por, këto janë ngjyrat e jetës, cilado që të jeto ajo. Ato, në fakt i japin kuptimin asaj, ato shpërfaqin portretin real të jetës sonë dhe ato ndërtojnë idenë e të ardhmes. Kjo ngase spektri i ngjyrave në asnjë rast nuk është i pandryshueshëm, sikurse që është vetë jeta.

Jeta rrjedhë e transformohet krahas me ngjyrat e saj. Një jetë gri e transformuar në një jetë blu ku shpresa varet në teh, e ardhmja mbetet projeksion e çasti përjetim.

Njeriu duhet t`i kërkoj të gjitha ngjyrat e jetës! Ndoshta smund ta kapërcejmë ylberin, por mund të kërkojmë ta jetojmë botën me ngjyra!

Për autoren

Nora Prekazi u lind dhe u rrit në qytetin e Mitrovicës. Diplomoi në Etnologji, në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës dhe mbaroi studimet master në Antropologjinë urbane në Institutit për Studime Antropologjike dhe Arte të Bukura në Tiranë.

Nora është e angazhuar në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës. Ajo filloi të shkruajë poezi dhe të pikturojë që kur ishte adoleshente. Poezitë e saj janë botuar në disa antologji dhe revista letrare si: MM, botimet e Polip Festival, Exlibris, ObserverKult, Magma etj.
Poezitë i janë përkthyer në gjuhën angleze, serbe dhe greke.
Është autore e librit me kujtime rreth veprimtarisë kinematografike në Mitrovicë me titullin “Në kujtim të kinemave të humbura”, botuar në vitin 2022.
Në vitin 2018 ka themeluar Fondacionin Dhemetra në Mitrovicë nga viti 2018, si dhe ishte ideatore dhe udhëheqëse e tri edicioneve të Festivalit të Letërsisë ZaNa në Mitrovicë, ku u botuan dhe përkthyen tetë vëllime poetike me krijimtarinë e poetëve pjesëmarrës, vendorë dhe ndërkombëtarë.
Tash është drejtore në Muzeun e Qytetit të Mitrovicës.
Përveç punës së saj profesionale, Nora njihet si aktiviste sociale dhe artiste.
Libri me poezi “Amë” është përmbledhja e saj e parë poetike.

______________

ObserverKult

Kliko edhe:

INTERVISTË ME DREJTORESHËN E MUZEUT TË MITROVICËS, NORA PREKAZIN (VIDEO)