Littera sjell për lexuesit librin “Gjuha, letërsia dhe filmi” të Enver S. Morinës

Librin më të ri të autorit Enver S. Morina “Gjuha, letërsia dhe filmi” botuar nga Shtëpia Botuese Littera, nga sot lexuesit mund ta gjejnë në librari.

Recensentë të librit janë Bashkim Hoxha dhe Zahrie Kapllanaj, për ballinën dhe dizajnin u kujdes Arbër Murturi, ndërsa botimi u përkrah nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.

Për librin:

Bashkim Hoxha:

Libri me 15 intervista nga Enver Morina është një kontribut me vlerë në trajtimin e problematikave të letërsisë dhe arteve, por mbi të gjitha, plotëson informacionin e munguar të historisë së vonët të letërsisë dhe arteve këndej dhe andej Drinit.

E veçanta e këtij libri është sepse janë vet protagonistët e letërsisë dhe arteve që flasin duke na sjellë jo vetëm informacione të bollshme, por edhe këndvështrimet e tyre personale duke zbërthyer procesin krijues dhe historinë e vonët të letërsisë dhe arteve nga pozicione të ndryshme. Në këtë mënyrë “kamerat” na zbulojnë të gjithë shesh-betejën e krijuesve në përpjekjet e tyre të mundimshme për të ngritur monumentin e artit e letërsisë shqipe.

Ky libër vet është një vlerë shtesë mbi kontributet e shquara që kanë dhënë personalitetet e shquara që janë intervistuar. Përveç krijimeve që analizohen në dialog me autorin e intervistave, ne kemi mundësinë të njihemi edhe me mendimet e tyre të çmuara.

Zahrie Kapllanaj:

Këto intervista janë të rëndësishme dhe të vlefshme, sepse në një rrjedhë kronologjike shënojnë e përcaktojnë zhvillime të shumta e të ndryshme në fushën e gjuhës, letërsisë, artit, folklorit, teatrit, filmit etj. Janë shënjuese të etapave të ndryshme kulturore, në të cilat realizohen ato…

Temat, çështjet, veprat, fenomenet rreth së cilave formulohen pyetjet e përgjigjet janë nga më të ndryshmet. Të para në një tërësi ose të lidhura në një libër, përbëjnë një kombinim shumëdimensionalin fomacionesh e rezultatesh.

Shquhet, për shembull, intervista me Dritëro Agollin, ku bisedohet “për kinematografinë, rrjedhat e filmit shqiptar, e në veçanti për ekranizimin e veprës letrare”. Intervista me albanologun Wilfried Fiedler “për albanologjinë në përgjithësi, për vështirësitë e mësimit të gjuhës shqipe nga një i huaj, për Prishtinën, për prof. Çabejn, për krahasimet mes gjermanëve dhe shqiptarëve, përkthimin e Kadaresë në gjermanisht, etj”. Me akademik Esat Stavilecin “për çështjet e veprimtarisë kulturore, raportet e politikës dhe kulturës”.

Me akademik Rexhep Ismailin si kryetar i atëhershëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, “për rrjedhat dhe kontributin e Akademisë në proceset dhe rrjedhat politike, në veçantinë çështjen e pritjes së zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës, bashkëpunimet ndërakademike e të ndërsjella me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, për gjuhën standarde, dialektet dhe të folmet, qëndrueshmërinë gjithnjë e më të gjerë të standardit, diversitetet gjuhësore, komunikimi midis hapësirave të ndryshme shqiptare, etj”.

Me albanologun e njohur kanadez Robert Elsie “për botimet e ardhshme në lëmin e përkthimit, bashkëpunimet me institucionet kulturore në Kosovës”. Me Teki Dervishin për zhvillimin e teatrit dhe praninë e shikuesve në teatër. Me Isa Qosjen për ringjalljen e “Kosovafilmit”dhe shfaqjen e filmit të tij Kukumi në kinemanë “ABC”. Me Sabri Hamiti “për komunikimet letrare në botën shqiptare, botimet dhe promovimet e fundit në Tiranë, personalitetin e dr. Rugovës, paravështrimin dhe prapavështrimin në kuptimin letrar, për internetin, për globalizimin në fushë të dijes, kulturës, artit etj”. E kështu me radhë.

Për autorin

Enver S. Morina (1965, Gllarevë e Klinës) ka kryer Fakultetin e Filologjisë, drejtimi Letërsi dhe ka ndjekur studimet pasuniversitare (1998-2000). Për disa vjet ka punuar si profesor në Shkollën e Mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë, e më pastaj gazetar.

Shkruan ese e kritikë letrare e kinematografike, opinione, analiza, botuar në periodikun apo gazetat e kohës, si “Koha-javore”, “Sheshi”, “Zëri-javor”, “Flaka”, “Fjala”, “Jeta e Re”, “Bota Shqiptare”, “Verbi”, “Albanica”, “Shqip” si dhe në “MAPO Letrare”, “Nacional”, “ResPublica”, “ExLibris”, “ObserverKult” etj.

Është autor i monografisë “Shndrit ndër breza, Hamit Krasniqi” (2010) dhe i veprës me tregime “Rr’nimi i Arbërit” (Buzuku, 2021).

ObserverKult


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT/ ENVER S. MORINA: MIKUN E MIRË TA ZBULOSH DHE TA MBASH PËRHERË…

ENVER S. MORINA: MË MIRË TË RILEXOJ NJË TREGIM TË MIRË SE SA TË SHKRUAJ NJË TREGIM TË KEQ!?