Vals për Margaretën/ Cikël poetik nga libri “Sagë për shtëpinë” i Eduard Frrokajt

eduard frrokaj sagë për shtëpinë

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Eduard Frrokaj, shkëputur nga libri “Sagë për shtëpinë”, Littera, Prishtinë, 2023

LETRA E PARË PËR MARGARETËN

Margareta,
ka ikur në errësirë,
qyteti ka fikur dritat
akull dhe Krishtlindje,
lexoj shenjat në sytë e tu
Margareta…
endem në rrugët e Vjenës
i them tri lutje për njeriun
dhe zogun e mërdhirë
të lagjes…
pranë Katedrales ndalem,
Margareta mua më mbyt dhembja
dhe dritat e fikura…
kilometra larg e kam
ëndrrën dhe lotin,
këtu në qytetin tënd
fiki këtë qiri,
lexoj shenjat në sytë e tu,
tri lutje pranë Katedrales
e shkruajnë edhe dhembjen time,
mbesin vetëm sytë e tu
dhe natyrisht nata e qytetit,
edhe zogjtë e mërdhirë
nuk qëndrojnë indiferent,
lexojnë kronikat dhe
fluturojnë për në vise më romantike
ku nuk i vret akulli dhe vetmia…

LETRA E DYTË PËR MARGARETËN

Kur ike ti ishte një ditë e zymtë vjeshte
në fshatin e humbur
një plakë në të zeza
parashikonte fatin,
vjeshta u shkrua në sytë tanë
si një refren i trishtë
lulet që kishim mbledhur
i pa syri i keq,
plaka në të zeza ende shikon
në ballkonin e rrënuar,
si ballkoni ishte parashikimi i saj,
vjeshta a vjeshta, si ajo vjeshtë
e shkruar në sytë tanë,
as lule, as shi
vetëm ti…


LETRA E TRETË PËR MARGARETËN


Taman në kohën kur mbërrin kjo letër
ti i djeg dëshirat,
i thua edhe tri dëshira
në heshtje si recital i malësores
shituar zana,
lutesh për tri dhembje,
i shkurton pak flokët,
luan në piano dhe
lexon letërsi krahasimtare,
një zë dëgjohet në anën tjetër
të rrugës,
lufta dhe dashuria janë kaq afër
njëra tjetrës,
ti tashmë ke lexuar
dy letra si dy histori
të zërave që edhe mund
të vijnë nga netë të çmendura,
nuk e di ç’është dashuria dhe trëndafilat
në cigare i fik kujtimet,
në letrën e tretë përshkruhen
vetëm tri lutje si tri dhembje,
ti luan edhe pak në piano
i shkurton një nga një trëndafilat
e jetës,
pranë kësaj vjeshte klasike
në rrugët e botës…

VALS PËR MARGARETËN

A ka zjarr ajo këngë
a ka lot ai vals
a ka dritë ai zjarr
a të shestohen rrugët
a t’i lidhin shtrigat plagët
pas kaq pyetjeve,
megjithatë Margareta mbetesh
e vetmja bukuri në këtë vals…
a ka peng ajo dashuri
a digjen netët,
a lidhen vargjet
shitohen zanat,
a është kjo baladë e krisur
Margareta…
a ka alkool a lot kjo gotë
për ty Margareta
a është loti, a është vdekja
apo mbetet kënga…

SIMFONI E VRARË

Margareta,
merre këtë simfoni
është dhuratë antike
të premtën e zezë ta dhurova,
mban mend atë kohë të bezdisshme,
është vargu im i fundit
për ty falas e shkrova,
të premtën e zezë ta dhurova,
është shenja e shpirtit që ka mbetur
për ty e dogja kornizën,
mban mend atë kohë
kur na vrau shiu i parë
edhe e premtja e zezë e bëri një sy gjumë…
ra heshtja në kronikën e stinëve…

TI FLUTURON

Margareta,
ti fluturon e bjen
peisazheve të drojtura
fushave të Dukagjinit,
ku vjen erë molle
pak pa rënë loti…
fluturon e bjen
si gjarpën në synin tim
si këngë në pikëllimin tënd,
fushave prapë ju vjen erë molle
deri sa të vjen pikëllimi yt
në aktin e fundit
të dramës e cila nuk
përfundon kurrë,
Margareta
ti fluturon e bjen
si kënga e fundit
në fushat me erë molle,
ende nuk dihet kush e krijoi këtë pikëllim…

ObserverKult

lexo edhe:

LITTERA SJELL PËR LEXUESIT LIBRIN “SAGË PËR SHTËPINË” TË EDUARD FRROKAJT

eduard frrokaj
Eduard Frrokaj

Shtëpia Botuese Littera sjell për lexuesit librin “Sagë për shtëpinë” të autorit Eduard Frrokaj.

“Sagë për shtëpinë”’ është një libër i dhembjes, ikjes, kthimit, ëndrrës, vdekjes dhe dashurisë. Është një paralele poetike për njeriun, atdheun dhe shtëpinë.
Saga e shtëpisë mund të lexohet si jeta e njeriut nëpër një dramë të madhe, e njeriut që nuk njeh Atdhe, por është kudo në rrugët e botës, e njeriut që është edhe në ëndrrën e gjyshit, në dashurinë e vashës… në varreza masive.

Tekstin e plotë e gjeni duke klikuar KETU

ObserverKult